2 Korriku 1990, gur themeltar i Kosovës së pavarur - Bota Sot
2 Korriku 1990, gur themeltar i Kosovës së pavarur

Opinione

2 Korriku 1990, gur themeltar i Kosovës së pavarur

Adem Breznica Nga Adem Breznica Më 2 korrik 2020 Në ora: 14:27
2 Korriku 1990

30 vite më parë, në një datë si kjo e sotshmja, më 2 Korrik 1990, në rrethana të jashtëzakonshme, por legjitime, Kuvendi i atëhershëm i Kosovës nxori Deklaratën Kushtetuese, sipas së cilës Kosova shpallej njësi e barabartë politike me republikat tjera të ish-Jugosllavisë. Me këtë akt, fillimisht Kosova nuk u pavarësua nga Jugosllavia, por e ngriti statusin e saj juridik në kuadër të federatës, që dmth se de-jure u pavarësua nga Serbia duke u bërë e barabartë me të, dhe pesë republikat tjera, në kuadër të federatës-konfederatës jugosllave. Deklarata Kushtetuese e 2 Korrikut 1990 njëkohësisht është edhe Deklarata e Parë e Pavarësisë së Kosovës. Vendimi i radhës që u morë nga delegatët e të njëjtit Kuvend, me 7 Shtator 1990, është nxjerrja e aktit më të lartë juridik - kushtetutës, e cila e definon Kosovën Republikë me të drejtën e shprehjes së vullnetit të popullit të saj për shkëputje dhe pavarësi nga federata.

Ndërkaq me 26 Shtator 1991, mbështetur në këtë kushtetutë si dhe në deklaratën e më hershme të Kuvendit të ish-Krahinës Socialiste Autonome të Kosovës, u organizua Referendumi për Pavarësinë e Kosovës, me ç’rast, përmes votës së lirë, populli do të deklarohej nëse është pro qëndrimit të shtetit të ri në kuadrin e federatës jugosllave, si njësi e barabartë, apo për pavarësimin e Kosovës nga kjo federatë-konfederatë dhe mëvetësinë e saj të plotë. Pjesa dërmuese e popullit-qytetarëve të Kosovës, shqiptarët si shumicë dhe pakicat tjera jo-serbe, u deklaruan për pavarësinë e plotë dhe, me këtë akt, Kosova juridikisht bëhet plotësisht e pavarur.

Tutje, në kuadër të zhvillimeve të reja dhe konsolidimit të institucioneve të para demokratike, më 24 maj 1992 u mbajtën zgjedhjet e para parlamentare dhe presidenciale, prej nga u konsolidua Kuvendi i parë pluralist i Republikës së Kosovës dhe njëkohësisht u zgjodh Presidenti i parë i saj, Dr. Ibrahim Rugova.

Kuvendi i ri, pastaj nxori organet e tij drejtuese, prej nga edhe u formuan institucionet e tjera të Republikës së Kosovës, ndër të cilat edhe Qeveria e drejtuar nga Dr. Bujar Bukoshi. Dy prej ministrive më funksionale të kësaj qeverie që vepronin medoemos në Kosovë kanë qenë Ministria e Arsimit dhe ajo e Shëndetësisë. Pa funksionimin korrekt të këtyre ministrive, Kosova do të katandisej në regres të pariparueshëm kulturo-arsimor dhe do të zhytej në krizë të thellë humanitare...

Solidarizimi, njohja dhe bindja e qytetarëve të Kosovës ndaj këtyre arritjeve organizative, megjithëse nën gjendjen e jashtëzakonshme të pushtimit klasik serb, e bën Kosovën shtet institucional dhe funksional, edhe pse fillimisht jo të njohur nga fuqitë e mëdha dhe OKB-ja, por gjithsesi të respektueshëm ndërkombëtarisht.

Duke qenë se Serbia nuk e njohu Deklaratën e 2 Korrikut, shpërndau Kuvendin dhe mori masa të dhunshme policore e ushtarake në instalimin e organeve kukull-lojale ndaj Beogradit, të dala nga ndryshimet regresive të dhunshme amandamentare të 23 marsit 1989, atëherë shumica e qytetarëve të Kosovës u rreshtuan drejt njohjes dhe bindjes ndaj institucioneve të Republikës së Kosovës, pavarësisht se ky rreshtim do t'ju kushtojë me përjashtim nga puna, privim e largim nga institucionet dhe objektet kulturore, arsimore e shëndetësore, pastaj përndjekje, dhunë, burgosje, vrasje, e deri te dëmtimi dhe shkatërrimi i ekonomive të tyre familjare, gjegjësisht shpërngulja masive e të rinjve por edhe e familjeve të tëra drejt Perëndimit.

Megjithatë, mosbindja ndaj organeve pushtuese të Serbisë si dhe njohja e bindja ndaj institucioneve të Republikës së Kosovës, që zunë fill më 2 Korrik 1990, dhanë rezultatet e tyre të jashtëzakonshme në krijimin e Shtetit Paralel të Republikës së Kosovës, por shumë funksional, në rrethanat më të jashtëzakonshme që po kalonte një popull i tërë pas shembjes së komunizmit dhe sponsorizuesëve të tij.

Institucionet e Republikës së Kosovës, vazhduan rrugën e tyre të konsolidimit dhe të plotësimit të mëtejmë, brenda dhe jashtë vendit, duke arritur të sensibilizojnë çështjen e Kosovës dhe popullit shqiptar në piedestalet më të larta ndërkombëtare si dhe duke e shtruar atë në tryezat diplomatike të shteteve më të fuqishme të botës demokratike perëndimore...

Represioni i vazhdueshëm i pushtuesit serb si dhe rezultatet e munguara të politikës paqësore dhe institucioneve tona paralele në arritjen e objektivave të Deklaratës së 2 Korrikut 1990, Kushtetutës së 7 Shtatorit 1990 si dhe Referendumit të 26 Shtatorit 1991, sollën domosdoshmërish daljen në skenë të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK).

Ashtu siç paralajmëronin dhe sensibilizonin jashtë vendit institucionet paralele, dhe edukonin e përgatisnin rininë shkollare në frymën e mosbindjes dhe mosnënshtrimit ndaj pushtimit serb, populli i Kosovës, respektivisht rinia e saj, në fund të viteve ’90, mbase dhe më herët, mori dhe armët në duar për të çliruar vendin.

UÇK-ja edhe zyrtarisht më 28 Nëntor 1997 mori përsipër barrën e luftës së armatosur, dëbimin e pushtuesit dhe çlirimin përfundimtar të Kosovës nga Serbia, objektive këto të cilat do të arrihen shumë shpejt.

Vullneti paqësor dhe diplomacia e institucioneve tona paralele në sensibilizimin e opinionit ndërkombëtar dhe veçanërisht lufta e armatosur e UÇK-së provokuan intervenimin ushtarak të faktorit ndërkombëtar në Kosovë. Serbia u mund dhe u detyrua të nënshkruaj Marrëveshjen e Kumanovës më 9 Qershor 1999, me ç’rast detyrohej të tërhiqej nga Kosova. Si rezultat i kësaj, një ditë më vonë, Këshilli i Sigurimit i Organizatës së Kombeve të Bashkuara (KS i OKB), miratoi Rezolutën 1244 sipas së cilës Kosova merret nën mbikëqyrjen civile të OKB-së dhe nën sigurinë e NATO-s. Më 12 Qershor 1999, trupat e NATO-s hynë në Kosovë, dhe kjo shënon datën zyrtare të çlirimit të Kosovës nga pushtimi 87 vjeçar serb. Tutje në Kosovën e lirë u krijuan institucionet vetëqeverisëse të cilat e shpallën pavarësinë e vendit më 17 Shkurt 2008. Kosova sot është njohur nga mbi gjysma e shteteve anëtare të OKB-së, ndërkaq aspirata për t’u bërë pjesë e kësaj organizate ndërkombëtare, tashmë, thuajse është në rrugëtimin e saj të fundit.

Shfaq komentet
comments powered by Disqus
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat