Çka po ndodh me dialogun?

Opinione

Çka po ndodh me dialogun?

Nga: Skender Musliu Më: 26 korrik 2020 Në ora: 14:19
Skender Musliu

Gabimi më i madh është bërë kur Kosova – Thaqi filloi dialogun me Serbinë. Pas nënshkrimit të kapitullimit të Serbisë me Marrëveshjen e Kumanovës në Qershor të vitit 1999, pas shpalljes së pavarsisë së Kosovës, pas njohjeve të Republikës së Kosovës nga shtetet më të fuqishme dhe më të zhvilluara të botës, pas Vendimit të Gjykatës Ndërkombëtare të Drejstësisë ku shpallja e Republikës së Kosovës ishte konform të Drejtës Ndërkombëtare, Kosova nuk është dashur t’a vëjë në pyetje subjektivitetin e saj duke dialoguar me Serbinë. Sidomos nuk është dashur të pranohen bisedimet me Vuçiqin që ishte ministër i propagandës në regjimin e Millosheviqit, e as me Daçiqin që ishte zëdhënës i Millosheviqit.

Dialogu Kosovë – Serbi, mes Thaqit dhe Vuçiq, zanafillën e ka menjëherë pas publikimit të librit të Carla Del Ponte dhe Raportit të Dick Marty, për të gjeturat e tyre për krimet e supozuara të disa pjestarëve të UÇK-ës.

Për këto bisedime Serbia gjeti një aleat në Shqipëri, Edi Ramën, të cilit në takimin e Nishit në vitin 2016, Vuçiqit ia prezentoi projektin e ndarjes së Kosovës si një mundësi e vetme për arritjen e një Marrëveshje definitive mes Kosovës dhe Serbisë. Kështu, pasi morrën « bekimin » e Ramës, Thaqi dhe Vuçiq e intensifikuan aktivitetin e tyre diplomatik në arenën ndërkombëtare duke avancuar publikisht idenë e këtij projekti.

Mirëpo me publikimin e aktakuzës joefektive të Prokurorit Special të Dhomave të Specialmizuara të Gjykatës Speciale ndaj Hashim Thaqit, rrjedha e dialogut ndryshoi kursin, respektivisht Hashim Thaqi pa vullnetin e tij doli nga « loja », kështu jotransparenca dhe prapaskenat rreth ndarjes së Kosovës morrën fund.

Me largimin e Thaqit nga proçesi i dialogut, shumë gazetarë dhe analist nëpër televizione të ndryshme, deklaroheshin se ky ishte një hendikep për Kosovën dhe se proçesi tani e tutje do të jet i vështirë sepse Kosova do të jet në pozitë inferiore karshi Serbisë.

Unë mendoj se pikërisht me largiminn e Thaqit nga ky proçes, dialogu do t’a merr të mbarën duke u vendosur në binarë institucional dhe duke u organizuar konform interesave të saja. Në bisedimet e ardhshme delegacioni i Kosovës duhet t’a përballë Serbinë me kushtet për normalizimin dhe njohjen reciproke.

Dialogun që Avdullah Hoti po e vazhdon me Serbinë me ndërmjetësimin e BE-së, është si pasojë dhe vazhdimësi e dialogut jokonstruktiv dhe jotransparent të Hashim Thaqit, që filloi dhe po vazhdon mbrapsht. Në këto rrethana përfituesi më i madh i dialogut është Serbia, e cila duke u proklamuar se është për dialog, përfiton fonde dhe ndihma ekonomike nga BE-ja si dhe punon për përmbylljen e Kapitujve që e afrojnë Serbinë me BE-në, kurse Kosova nuk përfiton asgjë.

Prandaj është moment i volitshëm që proçesi i dialogut të organizohet me një strategji veprimi krejtësisht tjetër duke abondonuar mënyrën e gjertanishme të dialogut jo transparent.

Republika e Kosovës gjindet para një situate jashtzakonisht të ndërlikuar në shtetndërtimin dhe konsolidimin e saj, sikurse është dialogu, aktakuzat joefektive të Thaqit dhe Veselit, pandemisë si dhe krizës ekonomike. Prandaj në këto momente institucionet e Kosovës duhet të jenë në nivel të kësaj situate, mirëpo fatkeqësisht për shkak të tekeve personale, interesave të ulta dhe prapaskenave eventuale, si po duket këto zhvillime nuk janë prioritet i tyre.

Mirëpo këto sfida dhe proçese nuk mund të zgjidhen nga Qeveria aktuale, e cila nuk e ka legjitimitetin dhe kredibilitetin, sepse është Qeveri e pazareve, që u formua me votat e Listës Srpska, me votën e siguruar pas mesnate nga Thaqi dhe Haradinaj dhe me votën e deputetit të dënuar me burgim efektiv me Aktgjykim të formës së prerë i cili është dashur të jet në vuajtje të dënimit në burg e jo në Parlament, Qeveri kjo e formuar me humbësit e zgjedhjeve të 6 Tetorit 2019 që sovrani i çoi në opozitë.

Duke patur parasysh kontekstin politik, sfidat dhe situatën aktuale,ka qenë mëse e domosdoshme që dialogu Kosovë – Serbi të pezullohet përkohësisht deri në organizimin e zgjedhjeve të parakohshme, në mënyrë që sovrani t’a përcaktojë Legjislaturën dhe Qeverinë e re e cila do t’a ketë legjitimitetin për t’i ecur proçeset, në të kundërtën çdo gjë do të jet improvizim dhe humbje kohe në dëm të Kosovës.

Nuk mund të ketë dialog pa një Platformë gjithëpërfshirëse të miratuar nga Parlamenti i Kosovërs me 2/3 e votave dhe pa koncenzus të gjërë politik. Proçesi i dialogut duhet të jet obligim dhe përgjegjësi e të gjithëve e jo e individëve.

Përveç tjerash, Platforma duhet t’i përmbajë kushtet e Kosovës ndaj Serbisë, siç janë : kërkim-faljen, pranimin e gjenocidit, ekzekutimet, masakrat, sigurimin e pensionit të luftës grave dhe vajzave të përdhunuara, të pagjeturit, plaçkitjen e bankave, fondin e pensioneve, dëmet e luftës, artifaktet dhe dokumentacionin e vjedhur, si dhe shumë kushte tjera legjitime. Vetëm duke e përballur Serbinë me këto kushte, ajo mund t’i kthehet realitetit të hidhur të bisedimeve të vërteta dhe serioze, dhe kështu Serbia do të jet më e përgjegjshme para faktorit ndërkombëtar por edhe atij të brendshëm, që nuk ishte rasti me Hashim Thaqin. Pa plotësimin e këtyre kushteve Kosova nuk duhet të pranojë Marrëveshje me Serbinë.

Tek e fundit, pas plotësimit të këtyre kushteve, mund të arrihet një Marrëveshje gjithëpërfshirëse për normalizimin e marrëdhënieve me Serbinë edhe pa njohjen reciproke, me kusht që Serbia mos t’a pengojë Kosovën në anëtarësimin në organizmat dhe institucionet ndërkombëtare duke përfshirë edhe ulsen në OKB.

Por e gjithë kjio mvaret nga sjelljet dhe veprimet e politikanëve të Kosovës, të cilët duhet sa më shpejt t’a marrin këtë punë me seriozitet, e jo të sillen sikurse Kosova të ishte një Bashkësi Lokale në kohën e komunizmit.

Së fundi duhet theksuar rolin e madh dhe determinues të SHBA-ve në këtë proçes, sepse pa pjesëmarrjen e tyre, vështirë se mund të arrihet një Marrëveshje, respektivisht vetëm përmes një synergjie mes BE-së dhe SHBA-ve mund të ketë rezultat që do të garantonte të ardhmen e Kosovës.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat