Vasaliteti i shqiptarëve në Maqedoninë e Veriut

Opinione

Vasaliteti i shqiptarëve në Maqedoninë e Veriut

Nga: Ismail Arsllani Më: 2 gusht 2020 Në ora: 15:16
Ismail Arsllani

Rrëfimi fillon me një shqiptar lakmitar, i cili, për të depërtuar në karrierë, kishte dërguar një sërë urgjencash te krye-pushtetari, për pranim. Pasi kishte trokitur në derë te kabineti i tij, shqiptari i pacipë kishte rastisur ekselencën duke pastruar këpucët e veta. Kishte mbetur i stepur dhe pa fjalë nga ajo që kishte parë, përpara tavolinës së punës përplot letra e dokumente.

“Ekselencë, si ashtu, ju vetë po i pastroni këpucët tuaja?”, shkrepi ky me habi e gjoja me qesëndi, disa fjalë të pamenduara, më shumë sa për ta thyer akullin e heshtjes në të cilën u gjend.

“Pse, or mik, ti këpucët e kujt po i pastron?!”, pyeti ekselenca e tij, në vend se të japë përgjigje.

Si duket, kjo anekdotë që po përflitet shpesh nëpër kuluare, ka një dozë realiteti edhe në përditshmërinë e jetës politike në Maqedoninë e Veriut, ku po ndodh një fenomen paradoksal, ai i vasalitetit të skajshëm të shqiptarëve ndaj pushtetmbajtësit. Personat e kufizuar me taban intelektual, ndërtojnë në imagjinatën e tyre një vizion të shtrembëruar për pushtetarët, që i bën ata nga fillimi të jenë të nënshtruar, të përçmuar e deri në fund luajalë, për të fituar një karrige e pastaj për t’i kthyer punët së prapthi. Ata shpejt humbin toruan, gjykimin e shëndoshë, tjetërsohen, maskohen dhe distancohen prej popullit të vet, që pret prej tyre zgjidhjen e problemeve jetike. Por, në anën tjetër, kanë vetëm një orientim, që s’i tund në asnjë çast nga synimi prijatar – atë të përfitimeve personale. Kësisoj, përafërsisht, është ndërtuar politika shqiptare në Maqedoninë e Veriut ndër dekada e po ndërtohet edhe sot, në këtë vend me turbulenca nga më të ndryshmet në një vijë të pakëputur.

Me shembjen e sistemit monist në përfundim të shekullit të kaluar, së pari në vendet e Evropës juglindore, pastaj edhe në ato të Ballkanit, sikundër edhe në Maqedoninë e Veriut, ku, pas pavarësimit të saj nga tutoria jugosllave (8 shtator 1991), mori dhenë pluralizmi si sistem politik, që synonte ngritjen e demokracisë në nivel më të lartë. Ky proces inkluziv, i imponuar nga rrethanat ekzistuese politike në një bllok më të gjerë shtetesh, u determinua si një imperativ, pavarësisht nivelit përgatitor të strukturave politike në përqafimin e një politike të këtillë sistemore. Si atëherë, edhe tash, partitë politike që dolën nga radhët e popullit, sikundër edhe ato shqiptare, në Maqedoninë e Veriut, në platformat e tyre politike dhe në fushatat zgjedhore të niveleve të ndryshme, thirreshin në popull.

Në fakt, në ato parti (shqiptare) që shijuan pushtetin, për shkak të futjes në një botë ëndërrimtare të privilegjeve, të zgjedhurit e popullit shumë shpejt harruan se kush i kishte deleguar dhe kënd e përfaqësonin në instancat e niveleve të ndryshme shtetërore. Kësisoj, mbetën të thirren në popull vetëm ato parti që ishin në opozitë. Që të jetë ironia më e madhe, ato parti në pushtet, të cilat me forcën e votës së popullit, në ndërkohë, depostoheshin në opozitë, sërish i ktheheshin popullit. Kështu, ndër vite e dekada të pluralizmit politik, populli u shndërrua në një instrument manipulimi për nevoja politike e partiake. Kjo bëri që populli të humb gradualisht identitetin e vet, si bartës i sovranitetit, të “demosit” e demokracisë, për t’u shndërruar në “klientelë” partiake. Pra, populli, i cili ishte një dhe i vetmi, u dromcua në më shumë pjesë, si pjesë klientelash partiake, duke humbur unitetin dhe fuqinë reale vepruese, madje duke u armiqësuar mes grupesh të interesit, të nxitur nga militantët partiakë.

Do të ishte korrekte nga partitë politike që në të ardhmen të mos thirren më në popull, por në klientelën e tyre partiake, grupeve të interesit dhe individëve. Kështu duhet të ndodhë, përderisa ky popull të vetëdijesohet, derisa nuk “deuniformohet” nga ngjyrat partiake, derisa nuk vë në lëvizje kokën dhe mendjen e vet, derisa nuk do të mendojë si partia dhe krerët e saj.

Në një situatë të këtillë, është absurde që partitë në pushtet në Maqedoninë e Veriut të thirren në popull, kur, në fakt, për shumëçka nuk e pyesin dhe nuk e konsultojnë atë, si për ndryshime të ligjeve, investimeve kapitale, projekteve infrastrukturore e për të tjera veprime. Nuk është dëgjuar ndër shqiptarë të Maqedonisë së Veriut të jetë organizuar ndonjë referendum për çështje me rëndësi jetike, siç po ndodh në botën perëndimore. Kjo dëshmon qartë se populli (shqiptar), si “demos”, është pothuajse inekzistent në këtë shtet, se nuk gëzon demokraci, liri dhe fuqi të vendosjes, përkundrazi, vit për viti po pëson keq e më keq nga manipulimet për interesa partiake apo grupore, mjerisht, gjithnjë mbi kurriz të tij. Ata që hetuan këtë sistem mashtrimi, që po përsëritet në çdo cikël zgjedhor, sikundër edhe para do kohe në zgjedhjet e parakohshme parlamentare në Maqedoninë e Veriut, janë të rinjtë, pjesa më vitale e kombit, të cilët, mjerisht, nga dëshpërimi i madh, jo të gjithë për shkaqe ekonomike, po braktisin me të madhe vendin për të jetuar e punuar në një botë tjetër, më të drejtë, më premtuese e më demokratike.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat