Përse nuk duhet të vrasë njeriu?

Opinione

Përse nuk duhet të vrasë njeriu?

Nga: Lekë IMERAJ Më: 25 gusht 2020 Në ora: 13:40
Lekë IMERAJ

Në vitin 1984, gjenerali gjerman, Keissling, shkaktoi një “vorbull” në ploitikë, psikologji dhe filozofi, me thënien e tij se: “Gjithashtu, një ushtar i Ushtrisë së Kuqe sovjetike, është vëllai im!” Vorbulla përfshiu edhe komandon e NATO–s në Bruksel. Sa i përgjegjshëm dhe i ndërgjegjshëm ishte gjenerali për thënien e tij!? Normalisht, nëse një ushtar tregon dashuri për armikun dhe e mendon atë vëlla, duhet larguar menjëherë nga radhët e ushtrisë.

Ai nuk është aspak i gatshëm ta vrasë armikun, nëse do t’i duhet ta bëjë këtë. Për rastin e gjeneralit, u mendua se, një arsye e brendshme, e shtyu atë aq larg, sa deklaroi atë që një gjeneral, kurrsesi nuk duhej ta deklaronte. Edhe një ushtar, jo. Gjenerali, megjithëse ishte bërë gjeneral për të vrarë, dhe paguhej për të vrarë, nuk donte të vriste. Sepse morali i tij nuk ia lejonte këtë. “Mekanizmi vrasës”, atij nuk i funksiononte. Ashtu si dhe dhjetëra burrave të batalionit 101. Megjithatë, a është çdo njeri i pajisur me “mekanizmin vrasës” dhe si funksionon ai? Fjala është: a duhet të vrasë njeriu? Kristina, 40 vjeçe, pyet: “A duhet ta vras unë xhaxhain tim, Thomain apo ai duhet të vazhdojë të jetojë? Kush është Thomai? Thomai është një burrë, rreth të shtatëdhjetave dhe i shëndoshë si kokrra e mollës. Një burrë, që gjithë jetën e tij ka tiranizuar njerëz. Edhe vëllain e vet, babain e Kristinës. Kush nuk ka vuajtur nga ai. Të afërm, komshinj, të njohur dhe të panjohur. Gjithkush që ka pasur fatin e keq të ketë të bëjë ose të takohet me të. Është martuar pesë herë. Tri gra i ka “ngrënë” për së gjalli dhe dy i ka ndarë. Ka pasur dy djem dhe që të dy, me dallaveret e tij, ua ka nxjerrë të tjerëve në pritë dhe i kanë vrarë. E gjithë jeta e tij është vetëm konflikte. Kush nuk e ka vrarë atë, me mend, sa dhe sa herë. Edhe Kristina. Ndoshta me dhjetëra herë. Ai është i pasur, shumë i pasur. Me ndërrimin e sistemeve, brenda pak viteve, ai u bë shumë i pasur. Bëhet fjalë për miliona. Trashëgimtarja e vetme është Kristina. Me kujdesin që ai tregon për jetën e vet, duket sikur nuk ka ndërmend të vdesë kurrë. E vetmja gjë që atij i intereson, janë paratë.

Nëse ai vdes në moshën 90 vjeç, unë atëherë jam mbi 60, mendon Kristina. Kush mund ta dijë se, edhe nëse i marr milionat e tij në këtë moshë, mund të më hyjnë në punë. Nganjëherë i uroj xhaxha Tomit të vdesë që nesër. Përse nesër? Që sot. Pastaj bëhet pishman. Përse duhet të vdesë ai!? Përse duhet ta vras unë? Vetëm që të përfundoj konfliktin me të? Utilitarizmi filozofik nuk ia lejon këtë. Jeremy Bentham (1748-1832), themeluesi i utilitarizmit filozofik, u lind në Londër. Ai ishte liberal, pacifist dhe mbrojtës i mendimit të lirë. Dëshira e babait të tij, i cili ishte shumë i pasur, ishte që ai të bëhej avokat. Bentham studioi për avokat, por në jetë nuk u bë i tillë. Ai ëndërronte njeriun, jetën dhe liritë e tij. Iu përkushtua së drejtës civile, reformës sociale, mendimit të lirë, përmirësimit të jetës në burgje dhe mbështeti lëvizjen e parë të gruas. Arsyen e gjithë veprimtarisë së tij e përmblodhi në një ide të vetme:- Lumturia është e mirë, vuajtja është e keqe. Sipas kësaj ideje, qëllimi i shoqërisë duhet të jetë: “Sa më pak vuajtës dhe sa më shumë të lumtur. Sa më shumë lumturi, që vjen në botë si rezultat i përpjekjeve, aq më e nevojshme dhe më e mirë është ajo. Këtë parim themelor, Bentham e quajti utilitarizëm. Parimi themelor, vuajtja është e keqe dhe lumturia është e mirë, duket shumë bindës. Përse të mos përdoret në rastin e Xhaxha Thomait?! Ai nuk ka sjellë dhe as që ka ndërmend të sjellë kurrë lumturi në këtë botë. As për veten e tij dhe as për të tjerët. Edhe paratë e tij në bankë, nuk sjellin ndonjë të mirë për të tjerët. Është e mundur që dikush të ndryshojë diçka. A nuk do të ishte më mirë që me paratë e tij të mjekoheshin fëmijët që vuajnë nga leuçemia apo sëmundje të tjera, për kurimin e të cilave u duhen shumë para? Paratë e një njeriu të lig, do t’i bënin ata të lumtur. Bentham ka të drejtë. Duhet shpërthyer arka e vjetër, ku mbahet e mbyllur lumturia e të tjerëve. Thomai duhet vrarë. Askush nuk do të derdhë asnjë pikë loti për vdekjen e tij. Përkundrazi. Të gjithë do të gëzohen. Do të gëzohen!? Nëse e vret xhaxhain e vet, Kristina do të mund të ndihmonte disa fëmijë të sëmurë me paratë e tij. Xhaxhai është ligësia.

Duke hequr këtë ligësi nga kjo botë, do të mund të bëhen disa të lumtur. Pra, kur ligësia është e mundshme për t’u kthyer në lumturi, përse njeriu nuk duhet ta bëjë atë? Por çfarë do të mendonte Bentham për një gjë të tillë? Me utilitarizmin e tij ai ka menduar që, sa më pak vuajtje dhe sa më shumë të lumtur. Nuk ka thënë se sa më pak vuajtje, duke vrarë ata që i bëjnë të tjerët të vuajnë. Në asnjë rast ai nuk është shprehur se vuajtja pakësohet duke vrarë të tjerët. Kushdo qofshin ata. Te gjithë dimë diçka për vrasjet dhe vdekjet e rreth 8 milion njerëzve në dhomat e gazit nga Hitleri. Është fare normale që të gjithë të pyesim se përse njerëzit e asaj kohe nuk e ndjenin për detyrë vrasjen e Hitlerit dhe t’i kursenin njerëzimit kaq shumë vuajtje dhe dhimbje?

Duke e argumentuar rastin sipas teorisë së Bentham, duhet menduar se një tiran që vret dhe mbyt njerëzit e pafajshëm në dhomat e gazit, që rrezikon paqen në botë, duhet të vritet. Kjo, për arsyen se pesha e fatkeqësisë dhe vuajtjeve që sjell ai tek të tjerët, janë shumë më të mëdha se sa fatkeqësia e personit që i shkakton ato. Kështu është për kryeterroristin Bin Laden, Sadamin, Milosheviçin, Gadafin etj. Por, nëse do të mendohej kështu edhe për Thomain, sigurisht që Bentham do të vdiste së qeshuri. Nëse do të pranohej vrasja e Thomait, askush nuk do të ishte në gjendje të thoshte se deri ku do të shkonte vrasja. Kush e di sa politikanë, mashtrues, kriminelë, të sëmurë psikikë, sakatë etj., do të asgjësoheshin brenda natës, në krevat duke fjetur.

Imagjinoni panikun që do të shpërthente në gjithë botën! Imagjinoni konfliktet e pafundme që do të sillnin vdekje të tilla! Vuajtjet dhe dhimbjet që do të shkaktonin ato, janë të paimagjinueshme. Nëse Kristina e mendon rastin me xhaxhain e saj të veçantë, gjithësecili do të kishte të drejtë që rastet e veta t’i mendonte të veçanta. Përse jo!? Kështu që do të kishim një vrasje masive dhe të përhershme, botërore. Nëse gjithkush do ta gëzonte të drejtën e vrasjes, atëherë askush më, nuk do të ndihej i sigurt. Nëse Kristina mendon se ka të drejtë ta vrasë xhaxha Thomain, kush mund ta sigurojë ate se dikush tjetër nuk paska të drejtë ta vrasë edhe atë? A mund ta mendojë ajo jetën e saj pa konflikte me të tjerët!? Vrasja kurrë nuk është, as qetësi dhe as zgjidhje.

Ajo është vetëm vuajtje, si në kohën e mendimit ashtu  edhe pas kryerjes së krimit. Vrasja është ferri i përjetshem, para dhe pas vdekjes. Vuajtja, edhe sipas Bentham, nuk pakësohet me vrasjen, qoftë dhe të atij që ta shkakton atë. Vrasja nuk zgjidh konflikte. Përkundrazi, ajo kthehet në reaksion zinxhir konfliktesh. Morali dhe e drejta nuk janë çështje hamendjesh individësh. Ato janë shumë më tepër. Një të drejtë të përbashkët, askush nuk ka të drejtë ta shpërdorojë, për interesat e veta, sado që të rrezikohen ato. Edhe për rastet ekstreme, shoqëria i ka gjetur dhe përcaktuar të drejtat. Xhaxha Thomai duhet të vazhdojë të jetojë. Kristina duhet ta zbrazë “shiringën” e helmit.

Lekë IMERAJ-shkrimtar, përkthyes, publicist

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat