Letër e hapur drejtuar udhëheqësve tanë shtetëror të Shqipërisë dhe Kosovës

Opinione

Letër e hapur drejtuar udhëheqësve tanë shtetëror të Shqipërisë dhe Kosovës

Nga: Xheladin Zeneli Më: 29 gusht 2020 Në ora: 06:46
Xheladin Zeneli

Zotërinj udhëheqës qeveritar dhe shtetëror,

zt. Kryeministër Rama dhe  

zt. President Thaçi!

Si liderë shtetërore dhe qeveritar që përfaqësoni dy shtetet tona kombëtare (pra, Shqipërinë dhe Kosovën), po gaboni rëndë me ndërhyrjet e juaja të njëanëshme dhe të papërgjegjëshme dhe më këtë po ndikoni në  përçarjet e  mëtejshme të faktorit politik shqiptar në Mal të Zi, në prag të zgjedhjeve të 30 Gushtit.

Fillimisht duhet cekur se është për tu përshëndetur mobilizimi, vëmendja dhe ndërgjegjësimi i juaj lidhur me rëndësinë e këtyre zgjedhjeve për shqiptarët në Mal të Zi.

Mirpo ku ishte  ky mobilizim , vëmendje dhe shqetësim i shteteve tona, (pra Shqipërisë dhe i Kosovës ) kur në Mal të Zi kishte shkelje të të drejtave kombëtare të shqiptarëve?

Prej vitit 2011 e deri në fund të vitit 2019 në emër të Ligjit të ashtuquajtur për rendin dhe qetësinë ,përkatësisht në emër të nenit famëkeq 23 të tij, janë ndjekur penalisht dhe janë gjobitur financiarisht, por edhe janë burgosur nga organet e sigurimit të Malit të Zi, me dhjetra shqiptarë vetëm se kanë përdorur dhe valvitur, në raste të ndryshme flamurin shqiptar, pra simbolin e tyre kombëtar.

Nuk më kujtohet se ka pasur ndonjë  reagim apo ndërhyrje  serioze  në emër të shtetit apo qeverisë Tuaj përkatëse lidhur me incidentët( tashmë të njohura) me flamurin tonë kombëtar që ndodhen gjatë asaj kohe në Mal të Zi !

Gjithashtu nuk më kujtohet se ka pasur ndonjë notë protestuese nga ana e dy shteteve tona ndaj qeverisë së Malit të Zi atëherë kur nëpër rrugët e qytetave malazeze digjej dhe nëpërkëmbej flamuri ynë kombëtar!. Edhe nëse ka pasur reagime, këto kanë qenë minimale dhe sipërfaqësore.

Zotërinj liderë të shteteve tona kombëtare,

Ju, me deklaratat e juaja të njëanëshme ,(kurse në rastin e kryeministrit të Shqipërisë me deklarata mbështetëse edhe për PDS-në e Millo Gjukanoviqit), po fyeni dhe ofendoni elektoratin shqiptar në Mal të Zi. Ata, pra votuesit shqiptarë në Mal të Zi e dijnë më mirë se Ju ,se për të cilën listë shqiptare do të votojnë dhe nuk kanë nevojë për ndërhyrjet e juaja “influencuese” në këto zgjedhje. 

Pse nuk e keni shfrytëzuar influencën tuaj shtetërore te qeveria e Malit të Zi dhe Millo Gjukanoviq atëherë kur ajo pjesë e popullit të ndarë shqiptar, kishte nevojë më shumë për ndihmën tuaj ? Pse nuk e keni shfrytëzuar dhe nuk e shfrytëzoni  influencën tuaj si burrështas ,atëherë kur shqiptarëve iu muar e drejta e përfaqësimit të tyre autentik në Kuvendin qendror të këtij shteti ? Apo atëherë kur atyre iu mohuan dhe gjithënjë iu mohohen të drejtat e tjera si në përfaqësimin e tyre proporcional në organet dhe institucionet shtetërore, në fushën e arsimit, ekonomisë, me rastin e realizimit të të drejtave të tyre pronësore, decentralizimit të pushtetit  lokal etj.

 Nëse nuk keni kurajo e guxim politik e kombëtar të ndërhyni kur është e nevojshme dhe kur pritet nga Ju që  të ndërhyhet, (pra kur shqiptarëve iu cenohen të drejtat e tyre kombëtare) , atëherë përse të ndërhyni tani me preferencat e juaja personale para zgjedhjeve parlamentare?!

Ironia dhe absurdi më i madh  është se derisa Ju, pra krerët e dy  shteteve tona dhe përfaqësuesit e ministrive tuaja përkatëse ,po e injoroni   krejtësisht dhe nuk po e njihni edhe kualicionin tjetër shqiptar , pra listën e dytë që po garon në këto zgjedhje,  në ndërkohë përfaqësuesit e dy kualicioneve shqiptare po  sillen në mënyrë korrekte dhe po tregojnë respekt ndaj njëra tjetrës gjatë këtyre zgjedhjeve . Kandidatët  për deputetë si nga Lista Shqiptare “ Koha është tani” si dhe nga kualicioni “ Bashkë një zâ”)  në mënyrë të ndërsjelltë,po iu drejtohen haptas votuesëve të tyre se nëse nuk preferojnë të votojnë listën e tyre , atëherë të zgjedhin listën apo kualicionin tjetër shqiptar dhe në asnjë mënyrë subjektet joshqiptare.

Për dallim,Ju me preferencat e juaja  të njëanëshme politike ,dashur apo padashur po diskriminoni  ndaj njërit grupim politik shqiptar në Mal të Zi. Të gjithë ne patëm dëshirë për formimin e një liste të përbashkët zgjedhore por fatëkeqësisht nuk erdhi deri te kjo . Tani nuk është koha të kërkojmë fajtorët,por të bëjmë thirrje për bashkimin dhe unitetin e zgjedhësve shqiptar rreth dy listave të tyre zgjedhore më qëllim që shqiptarët të përfaqësohen në mënyrë autentike me numrin sa më të madh të mandateve në legjislacionin e ardhshëm të Kuvendit të Mal të Zi .

Një fjalë e urtë thotë se nëse  nuk mundeni të bëni dobi, atëherë së paku sherr mos bëni! Kjo vlen edhe për Ju!

Nëse nuk mund t’i kontriboni bashkimit dhe nëse nuk mund të luani rolin e unifikuesit , atëherë së paku ,me sjelljet dhe qendrimet e juaja mos luani rolin e preferuesit dhe mos i shërbeni ndasive dhe përçarjeve të panevojshme!.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat