Asosacioni i komunave serbe në Kosovë, krijon precedent të rrezikshëm!

Opinione

Asosacioni i komunave serbe në Kosovë, krijon precedent të rrezikshëm!

Enver Bytyçi  Nga Enver Bytyçi Më 16 tetor 2020 Në ora: 13:22
Foto ilustrim

Kosova është para një trysnie të pazakontë. Kësaj radhe "komplotin" kundër saj e kryeson Viroslav Lajçak, një dipolomat liberal i Bashkimit Europian me rrënjë në Sllovaki. Ai vizitoi këtë fillm-javë Kosovën dhe kërkoi me ngulm që delegacioni i saj në bisëdimet me Serbinë të pranojë pa kundrështi që në Bruksel të diskutohet për krijimin e asosacionit të komunave serbe, madje pa ndryshime nga marrëveshjet e vitit 2013 e 2015.

Kryeministri Hoti ka reaguar, duke thënë se ai nuk është i gatshëm të diskutojë për këtë çeshtje. Madje ka shtuar se asosacioni është tashmë një çeshtje e mbyllur. Por Lajçak i është bashkuar planit serb për të fajësuar Kosovën për bllokimin e bisedimeve. E njëjta skemë si në rastin e taksës Haradinaj. Politikanët e Kosovës kundërshtojnë, por nuk provojnë të argumentojnë se "nuk është Kosova, përkundrazi është Serbia bojkotuese e bisedimeve"! Nuk është kundërshtia ndaj asosacionit, por destruksioni serb që krijon probleme!

Në fakt ky është dhe sherri i Serbisë, por atë sherr e kanë pranuar gjithashtu Hashim Thaçi e Isa Mustafa kur nënshkruan ato marrëveshje. Mustafa u përpoq t'ia hedhë fajin Frederica Mogherinit, duke publikuar një letër të saj, ku ajo angazhohej se "Asosacioni nuk do të kishte kompetenca ekzekutive"! Megjiithatë kjo letër nuk e lehtëson përgjegjësinë e Isa Mustafës dhe Hashim Thaçit për nënshkrimin e marrëveshjeve, në të cilan Gjykata e Kosovës ka gjetur 23 shkelje kushtetuese. 

Por le të kthehemi te kërkesa këmbngulëse e Lajçak. Pse ai ngutet të fusë në rend dite sa më shpejt nënshkrimin e marrëveshjes në fjalë, edhe pse e di që Gjykata Kushtetuese i ka thënë jo asaj? Nga ajo që vihet re në këtë diskurs dhe rrjedhat që zhvillohen duket qartë se Lajçak, edhe pse është kundër ndryshimit të kufijve për shkak të precedentit në vendin e tij, përsëri kërkon t'ia bëjë një çokë Beogradit. Në këtë presion të pakuptimtë ai bëhet solidar me palën tjetër, atë serbe, në bisedime e për pasojë në vend të zgjidhjes do të korrë dështimin.

Institucionet e Kosovës dhe drejtuesit e tyre nuk e duan dështimin e të ngarkuarit të BE-së për ndërmjetësim në dualogun shqiptaro-serb. Ndaj ata, ose ato, kërkojnë me ngulm përmbylljen e këtij dialogu me marrëveshjen për njohjen e ndërsjelltë të shtetësisë së të dy vendeve. Por Lajçak mendon ndryshe. Ai mendon se asosacioni do të ishte një trofe në duart e tij për t'ia bërë dhuratë Beogradit. Ai ngutet, sepse dëshiron të shfrytëzojë periudhën deri në zgjedhjet e 3 nëntorit në SHBA, si më të përshtatshme për të ushtruar presion te pala e Kosovës. Lajçak beson se marrëveshja e Uashingtonit e 4 shtatorit e ndihmon atë që shqiptarët të bëjnë lëshime të paprecenta dhe të krijojnë brenda shtetit një shtet të tretë apo të katërt serb.

Nëse e shqyertojmë me kujdes kërkesën e të ngarkuarit të Brukselit në dialog, duhet të vemë re disa elementë, të cilët e bëjnë të rrezikshëm precedentin e krijimit të asosacionit të komunave serbe në Kosovë. Rreziku kryesor qëndron në faktin se ky asosacion merr kompetenca ekzekutive e madje legjislative, ndërkohë kur këto funksione i takojnë institucioneve qendrore dhe atyre lokale të Kosovës. Nëse ndodh krijimi i një asosacioni të tillë në Kosovë, atëherë këtë model do ta kërkojnë p.sh hungarezët, të cilët jetojnë në Republikën e Sllovakisë. Do ta kërkojnë të gjitha pakicat në botë dhe për pasojë pakicat etnike do të diktojnë finksionalizimin e veprimtarisë shtetërore.  Kjo është arsyeja pse sa herë ka patur ndarje dhe etni të caktuara kanë kaluar nga një shtet te një tjetër, është bërë kujdes që këto pakica të kenë autonomi kulturore të gjerë, por jo edhe kompetenca vendimmarrëse. Sepse ndryshe me modelin që ofron Lajçak, shteti dhe institucionet e tij humbasin kontrollin në territorin që administrojnë. Nuk është lejuar që pakicat të marrin kompetenca ekzekutive e legjislative as në përfundim të Luftës së Parë Botërore, kur shumë pakica, përfshirë edhe atë hungareze në Sllovaki, ndryshuan "atdhe".

Prandaj dhe grupi negociator i Kosovës duhet ta përdorë argumentin në dobi të funksionalitetit shtetëror. Plani Ahtisaari u dha serbëve në Kosovë fuqinë që më forcën e kartonit të bllokojnë ndryshimet kushtetuese. Gjithashtu bazuar në atë plan u krijuan shumica e komunave serbe, të cilat ekzistojnë tashmë në territorin e Kosovës. Nuk ndodh në asnjë shtet dhe vend tjetër sovran që një ose disa fshatra me 400-500 banorë minoritarë (në rastin konkret serbë) të kenë një komunë të tyren, siç ndodh në Kosovë. E megjithatë udhëheqësve serbë "u erdhi oreksi duke ngrënë". Pasi përfituan krijimin e komunave me një fshat, realizuan marrëveshjen e asosacionit. Dhe pasi nuk u ngopën edhe me këtë, kërkuan aneksimin e Veiut të Kosovës. Nëse do të shkonin në bisedime për ndarjen e Kosovës, është e sigurt se do të kërkonin edhe Pejën dhe Deçanin.

Kurrë nuk ngopet Serbia me territore të huaja. Sa më shumë t'i japësh, aq më shumë do të kërkojë. Këtë formulë duhet ta ketë mësuar edhe Miroslav Lajçak. Por nuk jam i sigurt nëse e kanë mësuar ata që nënshkruan marrëveshjet e kaluara (2013 e 2015) për asosacionin. Qeveria Hoti nuk ka arsye të pranojë presione ngado që i vijnë ato. Eshtë shumë me fisnike të japë dorëheqjen e ta çojë vendin në zgjedhje të reja, sesa të pranojë kapitullimin para Serbisë dhe miqve të saj në Bruksel.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat