Mediat e Tiranës, “embargo” nacionalizmit

Opinione

Mediat e Tiranës, “embargo” nacionalizmit

Nga: Skënder Sadri KAPITI Më: 20 tetor 2020 Në ora: 13:34
Skënder Sadri Kapiti

Të gjitha mediat me përjashtime shumë të rralla, pra,pothuajse të gjitha  që dalin në Tiranë u kanë vënë embargo shkruesve, opinionistëve, intelektualëve dhe shkencëtarëve e studiuesve patriotë e kombëtarë,  botimeve me tema patriotike e kombëtare,kur dihet historikisht se çëshja e pazgjidhur në Ballkan është ajo shqiptare. 

Mediat në Shqipëri si ato të shkruara, portalet dhe televizionet, ato në tërësi janë tipike, janë si avokaturë dhe si zëdhënëse dhe tejskajshmërisht politike, si trashëgimi kjo e medias në diktaturën komuniste, dhe më sakt akoma ato janë  edhe servile e mercenare të pushtetit, interesit e parasë.

Televizioni publik shqiptar është dhe mbeti gjithmonë  televizion i qeverisë dhe kryeministrit sa që askush nuk e ndjek, ndërsa disa portale e gazeta të shkruara janë aq shumë politike dhe servile të partive dhe të kryetarëve të tyre   sa që nuk janë  të tilla as vetë gazetat e as portalet e  partive politike.

Janë për t’u përshëndetur dy gazeta të Tiranës  të cilat po paraqesin aktivitetin e Presidentit të Republikës, Ilir Meta, i cili po mbron me përgjegjësi të lartë si Kryetar Shteti:  Ligjin, Kushtetutën, Demokracinë dhe Republikën në Shqipëri; si dhe për faktin se është i vetmi President  i Shqipërisë që promovon, respekton  dhe dekoron e nderon historinë, intelektualët, dëshmorët dhe herojtë e Shqipërisë pa dallime politike si dhe  patriotizmin e shqiptarizmin gjithëkombëtarë.

Disa media të tjera  edhe kur ndonjëra prej tyre duket sikur denoncon dhe kritikon korrupsionin, edhe këtë ajo e bën në mënyrë selektive, spekulative e korruptive për interes të momentit, duke mbajtuar anshmëri të theksuar e të lexueshme.

Por, të përbashkët këto media kanë mungesën dhe deficitin e madh kombëtar e nacionalist, gjë që do të thotë atë se: mediat në Tiranë janë ashtu si politika, janë politikisht të kapura, materialisht të mercenarizuara dhe për interesin kombëtar aspak të interesuara.

Media në Shqipëri vepron si politika, pasi pothuajse politika e të gjitha partive politike shqiptare  bën një “VETING” dhe skanim të rreptë për moslejimin  e depërtimit në politikë, në qeveri, në administratë e në diplomaci dhe as në akademi   të elementit kombëtar, nacionalist, të aftë dhe të ndershëm.

Mediat e Tiranës jo vetëm kaq, por ato edhe përçojnë dhe edukojnë mbrapsht dhe keq te publiku në emër të gjoja  lirisë së mendimit, shprehjes  e shkrimit.

Ato  mezi presin dhe konkurojnë njëra-tjetrën për lajme dhe informacione “bombë”, për ndodhi e ngjarje krimesh ordinere, seksuale, droge, skandalesh e  e turpesh të tjera.

Janë jo pak   media në Tiranë që u shërbejnë edhe interesave dhe agjendave antishqiptare si dhe janë edhe shumë vigjilente për të mos lejuar e as promovuar personazhe e as opinione e studime të  personaliteteve të virtytshëm e me bindje nacionaliste,  si dhe as intelektualizmin patriotik të  mirëfilltë, të cilët fatmirësisht falë teknologjisë dhe mediave shqiptare të vërteta , të lira, demokratike e patriotike të Kosovës, Maqedonisë, dhe të diasporës si p.sh.”Fjala e Lirë”të cilat bëjnë të mundur që shqiptarët të njohin dhe të lexojnë e mësojnë nga shkrimtarë, artistë, historianë, politiknjohës dhe studiues patriotë e nacionalistë shqiptarë.

Botuesit e gazetave të Tiranës kanë vendosur korniza dhe pranojnë e reklamojnë idetë, qëllimet dhe veten e tyre së pari si dhe  shokët dhe akrabanë e vet dhe të njëjtët persona, pavarësisht se janë bërë publikisht të   bajatshëm pasi shkruajnë po shkrime e opinione të   përsëritshme vazhdimisht.

Gazetat në Shqipëri , shumë prej tyre edhe kanë falimentuar , dhe disa të tjera, dalin në treg  me një numër shumë të vogël, disa copë, që edhe ato  nuk ua  blen kush.

Botuesit nxjerrin një numër të vogël gazetash sa për të thënë se ata kanë gazetë, por qëllimi i tyre është vetëm sa të lexohen në faqet e para të tyre në mëngjes për reklamë të emrit të vet në ekranet e televizioneve për interesa e servilizëm por edhe për  korruptim, presion e shantazh.

Thjesht dhe me pak fjalë: mediat në Shqipëri në tërësinë e tyre, pothuajse shumica janë media mediokre, të zbrazëta intelektualisht dhe  shterpë pasi janë të instrumentalizuara politikisht, servile  të pushtetit dhe mercenare të parasë.

Mediatikët në Shqipëri e kanë shumë të zhvilluar shqisën e “të nuhaturit”, të pabesit e të servilit: pasi sapo e shohin se pushtetit fillojnë t’i lëkunden themelet, papritmas shume nga mediatikët shqiptarë rrotullohen e ndryshojnë kursin me 360 gradë, duke ndryshuar orientimin dhe marrin kahjen  prej andej nga fryn era e pushtetit të ri.

Edhe nëpër televizionet shqiptare, nëpër emisione si politike e deri dhe në  ato argëtuese e artistike, nëpër  studiot e tyre lëvizin, ekspozohen e qarkullojnë  sa të njëri e te tjetri televizion po të njëjtën individë me lidhje bisnesesh, politike e pushteti; me lidhje nepotike, familiare, miqsh, të njohurish  e shokësh, tipikisht ashtu sikurse është dhe veprohet edhe në  politikën shqiptare.

Mediat në Shqipëri jo vetëm se nuk janë të hapura për të promovuar të renë, të rinj, talentin dhe profesionalizmin por që realisht  ato i kanë vënë embargo atyre dhe sidomos, sidomos nacionalizmit e patriotimit shqiptar, por që fatmirësisht patriotizmin  shqiptar po e vlerëson Presidenti I. Meta.

Krejt ndryshe janë dhe sillen mediat, sidomos gazetat në Kosovë dhe ato në diasporë, te të cilat shkruajnë dhe botojnë edhe ata shkrimtarë, studiues, historianë, opinionistë e analistë të mrekullueshëm dhe të vërtetë nga Shqipëria, ata të cilët në Tiranë e kanë “të ndaluar” dhe u vihet “embargo” mediatike.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat