Ali Ahmeti, Menduh Thaçi, unë dhe sikleti

Opinione

Ali Ahmeti, Menduh Thaçi, unë dhe sikleti

Nga: Rexhep Torte Më: 27 tetor 2020 Në ora: 14:07
Rexhep Torte

Diktati ndaj meje dhe censura e shkrimeve të mia kanë qenë dhe mbeten më të urryerat në jetën time.

Po të mos botohej teksti për Shtabin e UÇK-së në Shipkovicë të Tetovës në vitin 2001, shikuar nga perspektiva e moshës sime të sotme 76 vjeçare, do të ndjehesha sedërshkelur, i ofenduar, i poshtëruar dhe pa dinjitet.

Këtë siklet nuk do ta përballoja në asnjë mënyrë, që do të rezultonte ose me çmenduri ose me vetëvrasje.

Një grup i aktivistëve të PDSH-së, që asokohe e udhëheqnin pushtetin vendor në Dibër, më datë 24 dhjetor 2001 e vizitoi Shtabin e UÇK-së në Shipkovicë të Tetovës me në krye Ali Ahmetin dhe Gëzim Ostrenin. Nga Dibra atij mëngjesi u nisëm dy vetura me gjithsej tetë persona në mesin e tyre edhe unë gazetar i “Faktit” .

Me Ali Ahmetin dhe Gëzim Ostrenin qëndruam më shumë se 4 orë. Ali Ahmeti me ne ndenji më shumë se 1 orë pasi ishte i zënë për shkak të takimeve që i kishte me përfaqësuesit ndërkombëtarë që e vizitonin.

I nxitur nga profesioni i gazetarit unë përgatita disa pyetje dhe ua dhashë ti lexojnë Ali Ahmetit dhe Gëzim Ostrenit. Përgjigja e tyre ishte se pyetjet janë të qëlluara, por aktualiteti i tanishëm nuk na lejon që të përgjigjemi.

Megjithatë vendosa që këtë vizitë në Shtabin e UÇK-së ta përshkruaj në nje formë reportazhi.

Kur arritëm në Dibër i pyeta të gjithë bashkëvizitorët a janë dakord që në reportazhin tim tua përmend emrat. Përgjigja e tyre ishte unamime se janë dakord.

Në shtëpi arrijta kah ora 22, dhe pasi pushova pak, u ngjita në dhomën time të punës dhe fillova ta shkruaj reportazhin me përshtypjet e freskëta që i kisha, sepse mëngjesin e datës 25 dhjetor 2001 e kisha caktuar të udhëtoj për në Prishtinë për ta kryer intervistën me z. Sadije Agani, bashkëshorten e të ndjerit Fehmi Agani, lidhur me vrasjen e këtij akademiku dhe patrioti të shquar.

Nga Prishtima u ktheva pas dy ditësh. Në bisedën telefonike që pata me kryeredaktorin e gazetës “Fakti” ku punoja lidhur me materialet për botim, mësova se kryetari i Degës së PDSH-së në Dibër kishte kërkuar nga kryeredaktori që assesi të mos botohet teksti im nga Shtabi i UÇK-së dhe Ali Ahmeti.

Ky lajm më indinjoi së tepërmi, sepse gjëja më e urryer për mua është ti nënshtrohem ndonjë diktati.

Atë ditë mu paraqit në telefon edhe kryetari i Degës së PDSH, me kërkesë që të mos e dërgoj për botim reportazhin për vizitën tonë në Shtabin e UÇK-së në Shipkovicë.

Unë fillimisht u përgjigja me urtësi duke i thënë se nuk ka problem, emrat tuaj nuk po i shënoj edhe pse paraprakisht ratë dakord.

Kryetari i Degës së PDSH-së mu përgjigj, emrat asesi nuk duhet të shënohen, por as tekstin mos e dërgo, sepse për vizitën tonë ka dëgjuar Menduh Thaçi, kryetar i PDSH-së dhe se urdhëri i tij është që ai tekst mos botohet.

Përgjigja ime ishte e prerë. Unë jam gazetar dhe jam duke e kryer punën time. Ti nuk ke asfarë të drejte që je paraqitur në redaksi. Unë nuk të kam as shok, as nuk jam në partinë tënde, dhe se që tani tekstin e reportazhit do ta nis për tu botuar, dhe ia ndëpreva lidhjen telefonike.

Të nesërmen u habita kur shikova që teksti im nuk ishte botuar në gazetë. E pyeta në telefon kryeredaktorin pse nuk është botuar teksti për Ali Ahmetin, dhe përgjigja e tij ishte se teksti është botuar në botimin që del në Evropë, sepse “Fakti” asokohe botohej edhe në disa shtete të Evropës.

Kryeredaktorit iu përgjigja, nëse nesër teksti im nuk botohet në gazetën që botohet në Shkup, mua mos më llogaritni gazetar të redaksisë. Fitova bindjen se telefonatat e PDSH-së kishin ndikuar që reportazhi im për Shtabin e UÇK-dë dhe Ali Ahmetin të mos botohej në Maqedoni.

Ultimatumi im qe frytdhënës dhe teksti im i reportazhit nga vizita në Shtabin e UÇK në Shipkovisë u botua të mesërmen.

Në punën time më shumë se gjysëm shekulli si gazetar gjer më sot asnjë tekst i dërguar nuk më ka mbetur i pa botuar, sepse tekstet i hartoj me sinqeritet dhe përkushtim maksimal.

Menduh Thaçi kësi qëndrimesh manifestonte në vitin 2001 ndaj gazetarëve dhe anëtarëve të partisë së vet, dhe tani në zgjedhjet parlamentare vitit 2020 mbeti me një deputet, dhe ai deputet është personalisht Menduh Thaçi vet.

Vijon shkrimi që Menduh Thaçi u mundua ta ndalojë të mos botohet, por nuk pati sukses.

Shfaq komentet
comments powered by Disqus
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat