Vendimi i Gjykatës Speciale ishte një farsë gjyqësore, sepse për keqpërdorim të fondit të trepërqindëshit (3%), ende nuk janë marrë në pyetje përgjegjësit kryesorë!?

Opinione

Vendimi i Gjykatës Speciale ishte një farsë gjyqësore, sepse për keqpërdorim të fondit të trepërqindëshit (3%), ende nuk janë marrë në pyetje përgjegjësit kryesorë!?

Nga: Rexhep Elezaj Më: 13 nëntor 2020 Në ora: 18:43
Rexhep Elezaj

Zbardhja e destinimit dhe e keqpërdorimit të mjeteve të Fondit të Republikës së Kosovës, për “Tre-përqindëshin” (3%), i formuar në Gjermani në vitin 1992 me vendim të ish qeverisë në ekzil, me seli në qytetin Weißenhorn afër Ulmit, është dhe duhet të jetë objektiv moral, kombëtar dhe shtetëror i çdo patrioti, intelektuali dhe politikani në Kosovë, sepse vetëm me zbardhjen e këtyre fondeve të cilat ishin shtyllat kryesore për financimin e rezistencës tonë aktive politike dhe ushtarake për çlirimin dhe pavarësinë e Kosovës, mund të ndërtojmë besim, ndershmëri dhe moral të pastër njerëzor dhe kombëtarë që të jemi shembulli më i mirë për brezat e ardhshëm, kur është fjala për ruajtjen e interesave të shtetit të Kosovës.

Ngase, me hajni, korrupsion, përvetësime, uzurpime të pasurive të Kosovës si dhe krim të organizuar ekonomik, është iluzore të presim që të bëhemi pjesë e familjes demokratike euro-perëndimore, andaj këto dukuri duhet të luftohen duke filluar nga krerët e shtetit, e jo nga bishti, siç ndodhi ditë më parë me dënimin e dy ish administruesve të fondit privat, të ashtuquajtur “UFORK”, të ish-deputetit Naser Osmani dhe Atdhe Gashit, dënim ky i cili do duhej t’i hapte rrugë trajtimit të gjithëpërfshirës gjyqësor çështjes së tre-përqindëshit (3%), se cilët janë në fakt ata që i ka keqpërdorë dhe përvetësuar afër 60 milion DM të mbetura në Fondin e tre-përqindëshit (3%) të Republikës së Kosovës!

Mbase, dënimi i dy sekserëve të fondit privat të B. Bukoshit dhe Isa Mustfaës, me emrin “UFORK” nuk ka të bëjë asgjë me kërkesën dhe aktakuzën e disa mërgimtarëve të ngritur kundër Bukoshit dhe Mustafës pranë organeve të drejtësisë gjermane në vitin 2013, me qëllim të zbardhjes së fatit të afër 60 milion DM të tepruara në Fondin në fjalë, por të tjetërsuara në fondin privat, “UFORK”, për të cilët miliona duhet të japin llogari para Kuvendit të Kosovës, B. Bukoshi dhe Isa Mustafa, gjë të cilën nuk e kanë bërë deri më sot!  

 Fondi, i cili është formuar në Gjermani në vitin 1992, me vendim të ish qeverisë së Republikës së Kosovës në ekzil, selia e të cilit ka qenë fillimisht në Shtutgart dhe nga mesi i vitit 1993, tinëzisht është bartë në qytetin Weißenhorn afër Ulm-it, ku e ka pasur të hapur edhe Konton e tij deri në vitin 2010, në të cilin fond, siç dihet janë derdhur nga viti 1992 -1999 me qindra miliona marka gjermane nga mundi, djersa dhe puna e mijëra mërgimtarëve tanë në Evropë dhe gjithë botën, të cilët pa kursyer asgjë nga buxheti familjarë e kanë paguar 3%-in me vullnet dhe dëshirë për ta ndihmuar organizimin e jetës institucionale në Kosovë gjatë viteve të 90-ta, për ta ndihmuar mbijetesën e popullit tonë nën okupim të egër serbo-sllav, si dhe për ta financuar luftën çlirimtare.

Pra, dënimi me 3 vite burg të ish-deputetit të LDK-së, Naser Osmanit dhe Atdhe Gashit, meqë rast procedura ndaj Bujar Bukoshi ishte veçuar(!?) i marrë me 11. 11. 2020 nga Gjykata speciale, me akuzën për veprën penale, “shmangie nga tatimet për përfitime financiare”, është pa asnjë dilemë, një dënim farsë, mbase edhe i dakorduar me dy të akuzuarit kryesorë për keqpërdorim të Fondit të 3%-it, ish-kryeministrin Bujar Bukoshi dhe ish ministrin për financa Isa Mustafën në qeverinë tonë në ekzil, rezulton qartë se si qëllim ka qenë minimizimi si dhe formalisht ky proces gjyqësor të kalojë simbolikisht pa e procesuar fare Aktakuzën e mërgimtarëve, e ngritur qe 8 vite më para, si dhe për ta përmbyllë këtë lëndë, në vend se për 3%-in njerëzit kryesorë, Bukoshi dhe Isa Mustafa të jepnin llogari para organeve të drejtësisë!

Siç e kemi njoftuar opinionin disa herë në 7-8 vitet e fundit, Grupi prej disa mërgimtarëve tanë në Gjermani (në mesin e tyre edhe autori i këtij shkrimi), në vitin 2013 kishte ngritur Aktpadi pranë organeve gjermane të drejtësisë (shih shtojcën nr. 1), lëndë të cilën pas shqyrtimit ia kishin përcjellë EULEX-it në Kosovë, dhe i cili të njëjtën ia kishte dorëzuar Gjykatës speciale në Prishtinë. Gjithashtu, në vitin 2012 edhe një Grup i veprimtarëve tanë në SHBA, në krye me veprimtarin, z. Musa Dakaj, kishin ngritur Aktpadi kundër Bukoshit dhe Mustafës për tjetërsim të mjeteve të Fondit të Republikës së Kosovës, 3%-in, por që nga gjykata në fjalë asnjëherë nuk kishin marrë përgjigje se deri ku ka arritur shqyrtimi i aktakuzave së tyre..!?

Kërkesat publike të Grupit për zbardhjen e fondit të 3%-it si dhe Aktakuza drejtuar organeve gjermane të drejtësisë, vetëm sa për ilustrim.

Siç, dihet pas mbarimit të luftës në Kosovë B. Bukoshi dhe I. Mustafa mjetet financiare të tepruara në Fondin e 3%-it, siç ka deklaruar vetë I. Mustafa në vlerë prej 50 milion markash së bashku me paratë e deponuara në “Dardania Bankë” në Tiranë, diku afër 10 milion marka, i kishin bartur në Fondin privat, i ashtuquajtur ‘UFORK’, i themeluar nga të lartë përmendurit, të cilët ish deputetin Naser Osmani dhe A. Gashin i kishin autorizuar për menaxhim të këtij fondi, me qëllim që mos të figurojnë vetë si pronarë zyrtarë të tij..!?

Me një fjalë, janë Bujar Bukoshi dhe Isa Mustafa ata të cilët në Kosovë me këtë veprim do e mbjellën korrupsionin, krimin e organizuar ekonomik, siç janë edhe përvetësues të buxhetit të Kosovës, duke i hapur kështu rrugë grupeve tjera kriminale për vjedhje dhe grabitje të pasurive të Kosovës, e që sot e kësaj dite bashkërisht menaxhojnë asete të mëdha të privatizuara, sikur ato të kishin qenë pasuri që ua ka lënë babai në trashëgim atyre dhe familjarëve të vetë..!

Andaj, me këtë rast e përsëritim pyetjen tonë të shtruar disa herë deri më sot; ku mbetën edhe 3 milion euro të vjedhura në filialën e “Dardania Bankës” në Prishtinë, diku kah fundi i vitit 2002, për të cilat mjete dhe për këtë rast kriminal të hajnisë, askush nuk ka folur as edhe një fjali deri më sot..!?  

Dhe, pikërisht këtu qëndron shkaku i ngritjes së Aktakuzës nga ana e grupit të mërgimtarëve tanë në Gjermani, kontribuues shumëvjeçar në këtë Fondin e 3%-it, ngase B. Bukoshi dhe Isa Mustafa, në vend se mjetet e mbetura financiare nga ky Fond me seli në Gjermani (50 Milion marka), ato në Dardania Bankë në Tiranë (afër 10 milion) si dhe paratë e fituara nga shitja e shtëpive në Wießenhorn të Gjermanisë, etj., t’ia kthenin buxhetit të Kosovës së shkatërruar nga lufta, duke ia ofruar Kuvendit të Kosovës raportin financiar për çdo markë-euro të harxhuar, etj., përkundrazi këta dy bosa, “pronarë” të miliona markave-eurove nga paratë e mërgimtarëve, të gjitha ato mjete do t’i deponojnë në fondin e tyre privat, UFORK, veprim ky jashtë ligjor dhe antikushtetues, që me shumë të drejtë ka nxitur dyshime tek mërgimtarët tanë për keqpërdorim të mundshëm të gjitha këtyre mjeteve, në vlerë diku mbi 60 milion euro..!?

E drejta e mërgimtarëve kontribuues në këto fonde për të qenë të informuar si dhe për çfarë destinimesh janë harxhuar të hollat e tyre të ndara nga buxheti familjarë për çlirimin e Kosovës, si dhe për mbijetesën e popullit tonë në rrethana tepër të rënda të okupimit të Kosovës (1989-99), ishte dhe do mbetet e drejtë e pakontestueshme e tyre, gjë të cilën nuk e kanë bërë asnjëherë dy të apostrofuarit kryesorë në këtë shkrim. Pra, kemi të bëjmë me keqpërdorim të shumave financiare prej miliona eurove nga Fondi i 3%-it, e jo siç pretendon Prokuroria Speciale se dy të dënuarit paskan tërhequr shumën prej 154 mijë eurove nga xhirollogaria e UFORK-ut”, gjë që vendimi i kësaj Gjykate është jo i sakët, është mbulim i fakteve, ngase është kjo Gjykatë e cila që 5 vite e mbanë të fshehur në sirtarët e saj Aktpadinë e grupit të mërgimtarëve, Nr.: E-1402.2013/257, duke mos e filluar kurrë procedurën e marrjes në përgjegjësi të Isa Mustafës dhe Bujar Bukoshit, gjë që jep të kuptohet se gjykatat gjegjëse në Kosovë të cilat ishin të obliguara ta luftojnë korrupsionin dhe krimin e ekonomik, asnjëherë deri më sot nuk e kanë kryer punë e tyre siç duhet..!?

Image
Image
commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat