Marrëdhëniet e familjes feudale Gjinolli kundrejt familjeve tjera feudale shqiptare gjatë fuqizimit të pushtetit në gjysmën e dytë të shek XVIII dhe fillim shek. XIX

Opinione

Marrëdhëniet e familjes feudale Gjinolli kundrejt familjeve tjera feudale shqiptare gjatë fuqizimit të pushtetit në gjysmën e dytë të shek XVIII dhe fillim shek. XIX

Nga: Merita Veseli Më: 21 nëntor 2020 Në ora: 20:44
Merita Veseli

Zhvillimet politike që zotëronin asokohe në trevat shqiptare në fillim shek XIX, në raport me situatën e ndërlikuar të marrëdhënieve të brendshme dhe ato të jashtme, bënë që marrëdhëniet e pashallarëve shqiptarë në planin politik t’u përshtaten rrethanave të kohës.

Fuqizimi i familjes feudale bazohej në dy tendenca:

1. Krijimi i një principate autonome, (pavarësia nga Porta e Lartë) dhe

2. Zgjerimi i hapësirës territoriale të sundimit.

Ishin qëllime primare, të cilat ndikuan në zhvillimin e marrëdhënieve reciproke të oxhaqeve shqiptare. Oxhaku i Gjinollëve si derë e njohur e kohës, luajti rol të rëndësishëm në zhvillimet politike, duke pasur edhe shumë herë rolë kyç në rrethanat e krijuara që shtrunë për obligim në marrëdhëniet mes feudalëve shqiptarë në luftë kundër Portës së Lartë.

Intensifikimi i përpjekjes për zgjerimin dhe fuqizimin e oxhakut, quan në zhvillimin e marrëdhënieve ndonjëherë edhe jo të mira të shumë pashallarëve, si dhe në përçarje mes feudalëve, kjo politikë e ndjekur nga shumë feudalë është në interes të përmendim, nuk kishte të bënte me feudalë të familjes së Gjinollëve, e sidomos të vetë Maliq Pashës, pavarësisht se ai ishte përkrahës i ndonjërit nga ta. Maliq Pasha, një politikan më subtil, kishte zgjedhur një taktikë tjetër. Ai u kishte ofruar strehim sundimtarëve të rrëzuar të Pejës dhe të Gjakovës. Këta dy pashallarë ishin vendosur para shumë vjetësh në sarajin e Maliq Pashës ku gëzonin të gjitha nderimet që i përkisnin rangut të tyre. Ishte ky një demonstrim i fuqisë së pashait të Prishtinës, prapa të cilit mund të supozohet se qëndronte shpresa që me kthimin eventual të këtyre feudalëve në pashallëqet e tyre, ata do të bëheshin në një mënyrë ose në një tjetër vasalë të Maliq Pashës.

Është e njohur për ne se luftërat për zgjerim dhe fuqizim të oxhakut bëheshin në dy mënyra

a) duke i marrë nën mbrojtje feudalët kur ata e kishin nevojën e më pas duke i kthyer në vasalë dhe;

b) duke i luftuar me anë të forcave ushtarake. Në këtë rast Maliq Pasha ndoshta kishte zgjedhur mënyrën e parë të fuqizimit të oxhakut.

Fillimi i kryengritjes serbe më 1804, në pjesët e Serbisë veriore pati për pasojë që gjatë pesë vjetëve të parë të kryengritjes, lufta u përhap nga jugu deri në Sanxhak të Novi-Pazarit, afër kufirit të Kosovës; pati trazira edhe në Kosovën e Veriut, kështu që disa çeta serbësh depërtuan atje. Pashallarët e Kosovës e të Shqipërisë së Veriut, mobilizuan reparte ushtarake dhe zhvilluan disa beteja kundër forcave serbe. Kjo paraqet një pasqyrë të bashkëpunimit në mes të familjeve feudale, interesat e të cilëve përkonin në ruajtjen e kufijve shqiptarë, kundrejt interesave të popujve ballkanik, në këtë rast interesave serbe për zgjerim të territoreve. Edhe në vitet në vazhdim të kryengritjeve serbe këta feudalë shqiptarë treguan besnikërinë e tyre ndaj njëri-tjetërit, si në betejën e Çegrit të 19 majit të vitit 1809, në të cilën edhe pashai i Prishtinës i përmbahej politikës së largimit të fshatarëve serbë nga rajoni i ndjeshëm i Llapit, në Kosovën verilindore. Pavarësisht grushtit të hekurt që iu dha kryengritësve serbë nga ana e pashallarëve shqiptarë, në të cilën betejë Maliq pasha ishte dalluar më së shumti, vazhdimi i kryengritjes serbe si duket e bindi sulltanin që në vitin 1815, t’ia dorëzonte pushtetin e vetadministrimit një shteti të vogël serb nën knezin ose princin e vetë.

Bashkimi politik i krerëve shqiptarë ndonjëherë kishte të bëjë edhe me interesat personale të tyre, si marrja e pushtetit apo zgjerimit të territoreve. Një gjendje e tillë u pasqyrua edhe në periudhën e luftës civile të vitit 1810 në Shkodër që kishte ndodhur si pasojë e mosmarrëveshjes për marrjen e pushtetit të Xheladin Beut dhe Mustafa Beut, pas vdekjes së Ibrahim Pashës, e cila situatë shtyri pashaun e Prishtinës të jetë përkrahës i Mustafa Pashës, në realizimin e qëllimit të tij. Për të plotësuar interesat e tij të kahmotshme Xheladin Beu lidhi marrëveshje me përkrahësit e tij kapedanin e Mirditës Preng Lleshin dhe komandantin e Lezhës Sylejman agën, duke i premtuar Numan Pashë Begollit administratorit të Sanxhakut të Dukagjinit bashkimin e krahinave të Lezhës, të Zadrimës e të Mirditës me këtë sanxhak. Pashau i Prishtinës duke e ndier veten të kërcënuar nga fuqizimi i oxhakut të Begollëve ishte futur në valle duke u bërë përkrahës i Mustafa Beut të Shkodrës. Qëllimi primar i tij (Maliq Pashës) ishte ruajtja e territoreve ku ai administronte dhe se premtimi i dhënë nga Xheladin Beu paraqiste kërcënim të madh për oxhakun e Gjinollëve. I detyroi që krerët e Sanxhakut të Prizrenit, Shkupit, Tetovës dhe Prishtinës të afroheshin me Bushatliun, duke i premtuar edhe përkrahje ushtarake.

Politika e ndjekur e Maliq Pashës ishte e njëjtë sikurse politika e Kapllan pashës së Krujës, që përkrahte Xheladin Beun, për arsye se afër zotrimeve të tij nuk donte të kishte Bushatlinjtë që paraqisnin kërcënim për të edhe Maliq Pasha i Prishtinës nuk donte të kishte një pashallëk të fuqishëm në kufi të zotërimeve të tij, atë të Begollajve. Krijimi i raporteve të mira ndërmjet Maliq pashës dhe Mustafa Beut përgjatë kësaj periudhe, mbështetjen e saj e gjeti edhe te krijimi i lidhjeve miqësore me anë të krushqisë, të cilat lidhje kishin ndikim të madh në krijimin e marrëdhënieve reciproke përgjatë shtrimit të nevojës. Këto lidhje krushqi në thelb të tyre shfaqnin interesat politike që ndikuan edhe në bashkëpunimin e zhvillimit të marrëdhënieve të shumë pashallarëve shqiptarë. Përgjatë kësaj periudhe, një lidhje miqësore ishte bërë edhe ndërmjet familjes së Maliq Pashës dhe Mustafa Pashës së Shkodrës, kur në mesin e gushtit të vitit 1812, Bushatliu martoi kushërirën e tij, të bijën e vezir Ibrahim Pashës, me Jashar Pashën, pra me djalin e birësuar të Maliq Pashës. Kjo lidhje me krushqi ndërmjet këtyre dy familjeve feudale ishte bërë pas emërimit më 25 maj 1812 të Mustafa Pashës mytesarif të Sanxhakut të Shkodrës e të njësive që vareshin prej tij dhe që e ngrinte atë në shkallën e vezirit. Siç duket këto lidhje më shumë i shërbenin karakterit politik pasi që e vetmja mbështetje e Maliq Pashës për fuqizimin e oxhakut, mbrojtjen e kufijve dhe qeverisjes autonome ishte mbështetja në më të fortin, mirëpo edhe në anën tjetër përkrahja e Portës së Lartë për ngritjen e Bushatliut ishin forca shtytëse që Maliq Pashë Gjinolli të përforcojë pozitën e tij dhe të gjejë mbështetje në mënyrë të sigurimit të paqes dhe qeverisjes. Padyshim se të gjitha këto benificione që vinin nga Porta e Lartë ishin shfrytëzim i gjendjes që mbretëronte mbi sanxhakët shqiptarë.

Në vitin 1821, rrjedha e ngjarjeve në Sanxhakun e Prishtinës ndryshoi, pasi që për kreun e Prishtinës Maliq Pashën kërcënim tani përbënte Korpusi i Jeniqerëve, të cilët shfaqën mosbindje të plotë ndaj administrimit të Oxhakut të Gjinollëve, duke mos kryer edhe obligimet e tyre shtetërore të pagesës së taksave për perandorinë. Pikërisht për këtë shkak nga fundi i vitit 1821 Maliq Pasha i Prishtinës, i cili mbante postin e mytesarifit të Shkupit dhe në Prishtinë, pasi kishte lënë si ajan nipin e tij, Meleq Beun, u transferua nga Shkupi në Lepant. Në vend të tij u dërgua Ismail Pashë Plasa. Mirëpo, ndërsa ai u largua nga Prishtina për të vajtur në Lepant, ku nuk mund të mbërrinte, sepse rruga ishte bërë e pakalueshme prej kryengritësve grekë, në Prishtinë shpërtheu turbullira dhe të nipin e dëbuan. Mirëpo ekuilibri politik që kishte vënë Maliq Pasha me pashallarët shqiptarë, do të kontribuojë në kthimin e tij në pushtet. Refuzimi i Mustafë Pashë Bushatliut dhe pashallarëve të tjerë për të marrë pjesë në ekspeditat kundër Greqisë me thirrje nga valiu i Rumelisë, Mehmet Reshid Pasha, e që njëherit ishte edhe kryekomandat i këtyre ekspeditave, si pasoj kishte pësuar humbje, siç duket refuzimi i pashallarëve shqiptarë kishte të bënte me ‘çështjen e Prishtinës’, largimit të Maliq Pashës. Zhvillimi i procesit të bashkëpunimit dhe politika paqësore e kreut të oxhakut të Gjinollëve iu shpërblyen mu në çastin kur ishte nevoja, në çastin kur Maliq Pasha ndoshta edhe kishte kërcënimin më të madh nga korpusi i jeniçerëve të cilët mezi prisnin t’u jepej rasti i parë për të çrrënjosur njëherë e përgjithmonë nga Sanxhaku i Prishtinës Maliq Pashë Gjinollin dhe anëtarët e tij. Porta qe e detyruar të kthejë pashaun e Prishtinës në Shkup për shkak të qëndrimit të pashallarëve shqiptarë.

Bashkëpunimi reciprok i ndërtimit të urave lidhëse ndërmjet krerëve të oxhaqeve shqiptare e sidomos të oxhakut të Gjinollëve me ardhjen në pushtet të djalit të adoptuar të Maliq Pashës Jashar Pashë Gjinolli në krahasim me paraardhësin e tij i cili njihet si njëri ndër figurat më të ndritura të historisë së oxhakut të Gjinollëve në ngritjen dhe fuqizimin e oxhakut, në vitet në vazhdim do të pasoj me lëkundjen e themeleve të marrëdhënieve. Kontribut për këtë do të japë edhe Porta e Lartë, me intrigat e saj në përçarjen e pashallarëve shqiptarë, e që filluan me përfundimin e çështjes së Ali Pashës, shuarjes së Pashallëkut të Janinës. Portës si duket tanimë iu zgjidhën duart për të vepruar kundër krerëve të pabindur ndaj saj. Me fillimin e zbatimit të reformave të reja ushtarake nga ana e Portës, tendencat e saj për marrjen nën kotroll të plotë të pashallëqeve shqiptare kontribuoi në afrimin e oxhakërisë shqiptare në këtë rast edhe të Jashar Pashës nga oxhaku i Gjinollëve që së bashku me Mahmud Pashë Rrotllin nga Prizreni, Hysen Pashë Vraja, iu bashkuan Mustafë Pashë Bushatliut, si dhe shumë pashallarë të tjerë, që të kontribuojnë në luftën kundërreformiste. Kontributi i Jashar Pashës në luftë kundër Portës për zbatimin e reformave dhe marrëdhënieve bashkëpunuese në planin politik që kishte me pashallarët shqiptarë si fillim ishte me të vërtetë për çdo lëvdatë.

Në betejën e 4 majit 1831, ndërmjet forcave ushtarake të udhëhequra nga i dërguari i Portës së Lartë veziri Mehmet Reshid Pasha dhe Bushatliut së bashku me aleatët e tij, betejë kjo e zhvilluar midis Përlepit e Qyprilisë një betejë e përgjakshme, e cila qe vendimtare për fatet e kryengritjes së Gegërisë. Pas 5 orë lufte, forcat e Bushatlliut, duke qenë të pakta në numër pësuan disfatë të plotë. Forcat aleate shqiptare pas humbjes qenë të detyruara të vendosen në Babunë. Pas humbjes që pësuan pashallarët shqiptarë nuk nguruan të kërkonin falje nga Porta e Lartë të cilët edhe u falën, mirëpo kjo falje për Jashar Pashën si duket ishte e vonuar pasi që disa ajanë të luhatshëm që u treguan në kohë të aksionit të Prilepit, tani u thyen nga boshnjakët, kështu, boshnjakët korrën fitore kundër Jashar Pashë Gjinollit, i cili qe i detyruar të lëshoj Prishtinën. Në korrik të vitit 1831, Prishtina ra në duar të kapedan Hysen Gradashqeviqit dhe kazaja e Gjilanit e administruar nga vëllazëria Gjinolli, ra në duar të boshnjakëve. Mirëpo, ambiciet për pushtet të Kapedan Hyseinit ndaj premtimit të dhënë se Sulltani do të emëroj atë vezir të Bosnjes, në mënyrë që të tërhiqet nga Kosova, nuk qe gjë tjetër por vetë se kurthë e përgaditur nga Porta e Lartë. Pas përfundimit të operacionit osman ndaj Bushatliut, po ashtu edhe me atë boshnjak, rrjedha e ngjarjeve filloi të marrë tatëpjetën për pashallarët shqiptarë, si pasojë ndikoi që miqësia e kahmotshme e krijuar ndërmjet oxhakut të Gjinollëve me oxhakun e Rrotllit të Prizrenit, të vihet në pikëpyetje. Në letrën dërguar në kryeqytet mytesarifi i Shkupit Jashar Pasha bën të ditur se: Mytesarifi i Prizrenit, një nga mirimiranët, Mahmut Pasha, nuk rri urtë. Ai, në bashkëpunim me myteselimët e Gjakovës (Sejfedin Pasha) dhe të Pejës (Asllan Pasha), me anë të ajanit të Vuqitërnit, Mahmut Beut, ka shkaktuar revolta në nahijet Llab e Gollak, si dhe disa veprime të papëlqyeshme. Veprimi i Jashar Pashës në këtë rast si duket kishte të bëjë me shpëtimin e tij ndaj ndëshkimit që priste të merrte nga Porta e Lartë dhe për të shpëtuar kokën e tij pasi që edhe ai (Jashar Pasha) ishte në mesin e të dyshuarve, Jashar Pasha e bën pre të tij Mahmut Pashën, kështu më 1836 Mahmut Rrotlla u arrestua dhe u syrgjynos me dyshim se po përkrahte një kryengritje tjetër në Shkodër, ndërsa Jashar Pasha vazhdoi të mbajë postin e tij mytesarif i Shkupit me qendër në Prishtinë deri në vitin 1840, dhe si pasojë vdes nga dora e vetë Sulltanit.

Duke marrë parasysh zhvillimin e ngjarjeve përgjatë gjithë kësaj periudhe të fuqizimit të oxhakut të Gjinollëve, politikën e ndjekur nga kreu i parë i kësaj familje dhe duke bërë krahasimin, mund të pohojmë se politika e Maliq Pashës ishte politikë paqësore e zhvillimit të marrëdhënieve bashkëpunuese ndaj feudalëve shqiptarë dhe politikë stabile, ndërsa, Jashar Mehmet Pasha pavarësisht bashkëpunimit politik me feudalët e kohës, ai ndoqi politikë të dyanshme, jostabile, duke mos mundur t’i qëndrojë besnik asnjërës.

Pas vdekjes së Jashar Pashës, vendin e tij e zuri djali i tij Abdyrrahman Pasha, mirëpo për shkak të ndryshimeve që u bënë në zbatimin e reformave nga Porta e Lartë, dhe kryengritjet shqiptare që kishin marrë hov, politika e tij ishte mjaft pasive në zhvillimin e ngjarjeve duke mos bërë fjalë për konsolidimin e një pashallëku të pavarur. Marrëdhëniet e tij ndaj feudalëve shqiptarë na dalin në pah vetëm kur bëhet fjalë për kryengritjen shqiptare atë të Dervish Carës e zhvilluar në vitin 1844. Kryengritja kishte marrë hov të madhë në të gjitha trevat shqiptare, duke pushtuar edhe Prishtinën. Në këtë kohë në Prishtinë ndodhej djali i Jashar Pashës Abdyrrahman Pasha, i cili qe i detyruar të largohej te miku i tij në Prizren, Izet Mehmed Pasha të cilin Abdurrahman Pasha e bindi t’i lërë në disponim komandantin e Pashallëkut të Prizrenit, i cili me 6.000 ushtarë ishte nisur nga Prizreni me qëllim që ta kthente Abdurrahman Pashën në Prishtinë. Mirëpo, kryengritësit arritën ta zmbrapsin këtë sulm dhe ta mbajnë qytetin në duart e tyre. Si duket kjo ishte edhe periudha e fillimit të humbjes së autoritetit dhe dominimit të sundimtarëve lokalë, pasi që pushteti i administrimit tanimë kishte kaluar në duart e vetë perandorisë, dhe se ndikimi i marrëdhënieve politike të krerëve lokalë nuk ishin të një rëndësie të veçantë. Lidhmëria ndërmjet oxhaqeve shqiptare ekzistencën e saj e gjente vetëm në lidhjet e krushqive, lidhjet martesore të cilat ishin traditë e oxhaqeve shqiptare që u trashëguan edhe te pasardhësi i oxhakut të Gjinollëve, Abdyrrahman Pasha me oxhakun e Rrotllit të Prizrenit, Izet Mehmed Pasha.

Shfaq komentet
comments powered by Disqus
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat