Heroit tim

Opinione

Heroit tim

Nga: Haki Latifi Më: 11 mars 2021 Në ora: 20:12
Skender Latifi

Edhe sot kur kënga e tij jehon në ëndërra tona në gjumë,

Të shkojmë t’ia themi një herë, një fjalë, T’ia njomim vargun e këngës të peshuar n’ar si thesar, si yll që ndritë n’qiellin e gjakut tim Shqiptar.

Dhe sa herë t’na merr malli të shkruajmë për Ty, të thurim vargun më të mirën që dijmë,

Për dëshmorin e kombit Skender Latifi, i shkrirë në altar bashkë me shokë për liri, i shkrirë në lulebore, i shkrirë në dashuri për Dardani.

Armikun e priti me grykë të pushkës, n’Piranë, n’Reti, e në Përdrini,

Për t’i dhënë jehonë luftës; në Prizren, n’Jeshkovë dhe në Vërri,

Aty ku luftuan shumë burra të k’tij dheu e shumë burra të fisit,

S’kam çtë them për k’ta trima e heronjë të lavdisë, se gjithë çka patën i dhanë Dardanisë,

Por një gjë e di, se nuk vdesin trimat që si rreze shtizë dhe shkëlqim i dhanë LIRISË.

Por e di se, Ti dole nga oda burrash ku piqej burrëria,

Në ato oda burrash ku tingllonte dhe digjej teli i lahutës,

Aty ku frymëzimi yt është përcjellur me këngët e burrave që kishin trimëri,

Aty n’oda burrash ku u lidhë besa për vdekje a liri.

E tash në Altar, me vargun metaforë, kurorë lulesh t’ia lini,

Se ëndrrat e dëshmorit në zhgjëndrrat tona flejnë.

E në çdo kohë T’ia çoni sihariq dëshmorit, t’ia çoni një herë,

Me të t’i dilet hakut, t’i njomet toka,

Vargun më të bukur t’ia lini te koka.

Po të vritet edhe një ushtar lirie, ju prap mos qani por me të madhe këndoni,

Dhe mos thoni u vra ushtari me emrin Skender Latifi!

Por thoni se ra për Dardani e Arbëri.

Ai ishte një djalë i ri, një djalë që, siç thoshin të moçmit, të vriste me bukurinë e pamjen e tij prej një burri trim e bujar.

Dallgët e luftës tutje e shtynë,

e unë i heshtur rri e mendoj,

Nga rrëfimet e shokëve, që të panë ty në betejë kur mësyve,

E sot marr shpresë dhe forcë, përsëri Ty të kujtoj…

E di se, ëndërr e Jotja ishte LIRIA,

Në Liri thoshe; çdo gjë lulëzon

Ideali Yt ishte dituria,

Pa dije lirinë askush s'e gëzon!

Në Rrafshnaltën mbi Landovicë, aty ku pushojnë yjet e Lirisë,

Atje ku ndahet Vërrini me Anadrini

Qëndron lapidari i Dëshmorëve

Që lëshon rreze drite pa ndal në Liri.

Aty është historia jonë për luftën e zhvilluar dhe fletë për heroizmin që ata kanë treguar.

Nga aty shohin katundet dhe fëmijët e tyre, Lirinë duke e gëzuar.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat