Diçka për universitet tona

Opinione

Diçka për universitet tona

Nga: Prof. Dr. Naim Syla Më: 14 mars 2021 Në ora: 12:50
Prof. Dr. Naim Syla

E kishim një universitet, ndërsa tash kemi më shumë se një, disa prej tyre publikë e disa privatë. Këta janë numra, ndërsa përmbajtja është diçka tjetër. Tash më dihet se, nuk jemi të kënaqur me përmbajtjet dhe gjendjen aktuale të arsimit në përgjithësi e në veçanti me atë të lartë. Pasi që jam pjesë aktive e arsimit të lartë prej viti 1988, atëherë ndiej obligim moral e profesional të shpreh mendimet e mija hapur për sfidat që na presin për të përmirësuar këtë gjendje. Vetëkuptohet se roli kyç në të ardhmen pritet të jetë ai i MASHT-it, duke mos munguar edhe angazhimi i njerëzve të universitetit.

Unë personalisht mendoj se sfidat kryesore janë këto:

- A i nevojiten Kosovës gjithë këto universitete? Nëse po, atëherë të gjitha universitetet publike duhet të kenë statut të njëjtë, sepse vetëm kështu mundësohet mobiliteti akademikë ndëruniversitar. Nuk ka logjikë që në një X universitet të merret thirrja akademike e në një Y universitet jo. Ka raste, kur këtë numër të universiteteve publike e kanë shfrytëzuar njerëzit e politikës, duke rehatuar veten ose të afërmit e tyre privatë e politikë. Ndërsa, në përputhje me rrethanat dhe kapacitet tona, unë mendoj se, duhet bërë riorganizimi i universiteteve publike, ashtu që në një universitet të caktuar të studiohen fusha të caktuara me interes për zhvillimin e vendit. Nuk ka logjikë që në të gjitha universitet publike të kemi fusha të njëjta të studimit. Në këtë riorganizim duhet dhënë kujdes të veçantë Fakultetit të Edukimit, i cili është pikënisja për ndryshimin e gjendjes në arsimin fillor dhe atë të mesëm. Po ashtu duhet pasur kujdes te fakultetet me programe studimore të cilat kanë impakte direkte në zhvillimin e vendit, si për shembull fakultete e: shkencave natyrore, bujqësisë, teknike dhe i mjekësisë.

- Pavarësisht numrit të tyre, në të gjitha universitet publike, këshillat drejtuese (KD) duhet të jenë jo politike dhe me kredibiletet akademikë. Nuk ka logjikë, sa herë që ndërron timonieri i qeverisë të ndërrohen edhe anëtarët KD. Ose, me qëllim të ruajtjes së frymës partiake emërohen njerëz të cilët nuk kanë kurrfarë kredenciale akademike.

Të rishikohen kushtet për thirrje akademike të personelit akademikë. Tani për tani, për tu bërë profesor po thuaj se është një kriter i vetëm, numri i punimeve (ka edhe kritere të tjera, por ky është determinuesi). Të qenit profesor është më kompleks se numri i punimeve. Profesori në universitet tona do të duhej të matet edhe me performancën që ka në leksione me studentë dhe angazhime tjera. Pastaj, jemi dëshmitar se në situata të veçanta, vetëm për tu bërë dikush profesor ndërtohen rregullore të tipit ʺsui generis ʺ që vlejnë vetëm për atë konkurs. Kuptohet, në ndërtimin e këtyre rregulloreve një pjesë e ʺmeritave ʺ i takon edhe politikës ditore. Të paktën kështu i vjen aroma, sepse nuk ka logjikë që tërë kohën i kushton politikës, ndërsa letrat për thirrje akademike çdo herë i ka ok. Dikush zhytet thellë në punë universitare, ndërsa dikush tjetër aktiv ditë e natë në politikë dhe kur të vjen radha për zgjedhje ose rizgjedhje për atë nuk ka problem, sepse ka ʺpunuarʺ. Prandaj, edhe në këtë pikë nuk do të duhej MASHT të jetë vetëm përcjellës i situatave në universitete. Thjeshtë dhe qartë, pas analizës dhe rishikimit duhet propozuar procedura dhe rregulla të qarta dhe jo burokratike për zgjedhje të stafit akademikë për të gjitha universitete publike.

Agjencioni i akreditimi dhe zyrat e zhvillimit në universitete, nuk do të duhej të miratojnë hapjen dhe funksionimit e programeve studimore të cilat ndërtohen ekskluzivisht për norma ose mbi norma të stafit akademikë. Është shqetësuese kur një student kryen studimet dhe merr diplomën, e cila për standardin dhe rrethanat e vendit tonë do t'i vlente vetëm si dekor. Nga të gjitha programet studimore të cilat nuk janë në funksion të orientimeve zhvillimore dhe kapaciteteve ekzistuese, duhet të lirohemi. Ndërsa, KD e universiteteve duhet të marrin vendime unike për mbi normën e mësimdhënësit. Në fazën fillestare, ndoshta këtë punë është mirë ta bëjnë në koordinim me MASHT. Mbi norma është kancer i studimeve të mirëfillta në universitet. Duke ndërtuar rregulla të qarta, atëherë vetvetiu do të pushojnë programet studimore jo efikase, si dhe mësimdhënësit do të angazhohen më tepër në fushën e vet studimore. Sot, kemi raste kur nuk është me rëndësi se çfarë leksione mbanë profesori vetëm le t'i shkojnë si mbi normë. Jo e këndshme, por e vërtetë.

Konkurset për zgjedhje të stafit akademikë do të duhej ta bazohen në nevojat reale. Jemi dëshmitar se jo rrallë herë, një herë piketohet njeriu që do të zgjidhet e më pas ndërtohet konkursi. Madje, fare nuk është me rëndësi se, lëndët që futen në konkurs a janë të fushë së tij apo jo. E rëndësishme është fondi i orëve. Për këtë arsye jo rrallë ka zhurma në këtë proces. Jo mirë, por e vërtetë. Në këtë pikë, duhet dhënë mbështetje sidomos konkurseve për gjakun e ri të universitetit, sepse ajo është forca lëvizëse.

MASHT duhet të ndërtoj strategji afatgjate për shkollimin e kuadrove të reja profesionale në universitet perëndimore. Jam i bindur se kjo është më pak e kushtueshme, se sa disa keqpërdorime me programe studimore, me mbi norma e me ʺprojekteʺ. Kuadrot e shkolluar jashtë në të ardhmen do të ishin kurrizi i zhvillimit ekonomikë të vendit.

Besoj se, mund të ketë edhe pika të tjera, sepse tek e fundit arsimi është çështje komplekse, mirëpo kjo ishte një përgjithësim i asaj çka shoh dhe si do të duhej të jetë, gjithnjë sipas mendimit tim. Me këtë nuk pretendoj se me të gjithat ja kam qëlluar, por të paktën uroj të jetë një provokim pozitiv për njerëzit që marrin vendime, ose e kanë jetën të lidhur me universitet.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat