Gërvalla - përfaqësues i lëvizjes kombëtare, antikomuniste

Opinione

Gërvalla - përfaqësues i lëvizjes kombëtare, antikomuniste

Idriz Zeqiraj Nga Idriz Zeqiraj Më 25 qershor 2021 Në ora: 12:57
Donika Gërvalla

Kur pas amshimit të një njeriu markant, siç ishte Jusuf Gërvalla, Hero i Kosovës, dikush provon ta baltosë, me dashje apo për mungesë informacioni, ata që e dinë të vërtetën, duhet të mos heshtin, të reagojnë faktueshëm. Mirë bëri veprimtarja e shquar, Melihate Tërmkolli, kur reagoi dhe demantoi analistin e angazhuar partiak, Blerim Latifi, i cili thotë se "po të mos vritej Jusuf Gërvalla, sot do të ishte në krye të LPK-së!"

Absolutisht, e pasaktë, e pamundur! Me Jufuf Gërvallën jam njohur në Gjimnazin e Pejës. Ai, qysh në rininë e hershme, njësoj si Ibrahim Rugova, shquheshin në mjedisin e këtij Gjimnazi, më i madhi, jo vetëm në Kosovë, por, edhe në Federatën jugosllave. Jusufi shquhej gjithnjë e më shumë, në artet e bukura, duke u bërë një artist i kommpletuar, për të përfunduar në një atdhetar të devotshëm të çështjes kombëtare, deri në flijim.

Pak histori:

Në fund-vitet `60-a, u realizua një marrëveshje punësimi sezonal, ndërmjet Jugosllavisë dhe disa shteteve të Evropës. Në vitet `70-a, numri u shtua dukshëm. Ndërkohë, forma e emigrimit për punësim u ndërpre pas vitit 1973. Por, disa të rinj, e arsyetuan largimin nga Kosova, me atë të përndjekjes politike. Sigurimi jugosllav, UDB-a, donte kontrollin mbi emigracionin dhe i dërgoi agjentët e saj.

Nëse garda e vjetër e emigracionit politik, ishte ndeshja ideologjike me Mbretin Zog apo komunistin filosllav Enver Hoxha, tani, palët ishin të bashkuar kundër Titos. Por, ndaheshin pro apo kundër ideologjisë komuniste, e përfaqësuar me Enver Hoxhën dhe klasikët e marksizëm-leninizmit, pro Lindjes apo Perëndimit?

Në vitin 1979, në këtë përballje e gjeti emigracionin e Kosovës, azilanti politik Jusuf Gërvalla. Pa humbur kohë, ai kontaktoi grupet rivale të përçara, të cilat po ndikonin edhe në përçarjen e punëtorëve ekonomikë. Pamfletët, broshurat, letrat, që binin në kundërshti mes tyre, bëri përpjekje për bashkim, të jenë të njëzëshëm.

Gërvalla nxori numrin e parë, të fletushkës "Zëri i Kosovës", në Gjermani, e cila, për herë të parë ishte botuar në një bodrum të Prishtinës, nga kreu i grupi tonë ilegal, Kadri (Os)Mani, me shokë. Përveç se si artist, ai ishte edhe gazetar profesionist. I përgjuar dhe i përndjekur politikisht, kishte gjetë strehë në gazetën "Flaka e Vëllazërimit", në Shkup. Andaj, Jusufi ishte një kuadër i gatshëm dhe i pakonkurueshëm, në përgaditjen intelektuale në mesin e emigracionit, madje, edhe jashtë kufinjëve të Gjermanisë.

Vrasja e Jusuf Gërvallës ishte një dakordim i UDB-së jugosllave, me Sigurimin Shqiptar dhe disa eksponentëve të LPK-së, hafije të UDB-së. Asnjë marrëveshje nuk është bërë, në mes palëve nacionalistë, të përfaqësuar nga Gërvalla dhe atij maksistë-leninistë, të përfaqësuar nga Kadri Zeka, në natën fatale të 17 janarit 1982. Dhe, grupet vazhduan të përçara.

Letra e Jusuf Gërvallës, drejtuar udhëheqësit komunist shqiptar, Enver Hoxha, me pyetjen se "kur do të zgjidhet çështja e Kosovës" dhe përgjigja e tij se "Çështja e Kosovës do të zgjidhet, në kuadrin e fitores të Revolucionit proletar në nivel botëror", pasoi me pyetjen dyshuese nga Gërvalla:"Po sikur ajo ditë të mos vijë kurrë?!" Dhe, që këtej, nismoi lufta e egër, kundër Jusufit, edhe nga Tirana zyrtare.

Cak i vrasjeve politike në Mërgatë, ishin vetëm nacionalistët, nisur nga Jusuf e Bardhosh Gërvalla, Vehbi Ibrahimi, Enver Hadri, Musa Hoti, plagosja e rëndë, deri në mbetje në karrocën invalidore e Rasim Zenelaj dhe disa të zhdukurëve të tjerë.

LPK-ja u nda. Krahu u Jusuf Gërvallës u distancua nga ai komunist, i komanduar nga Sigurimi Shqiptar, nëpërmjet trupit "diplomatik"! LPK-ja ishte ende në letër, por, jo faktike. Kështu u vazhdua deri në vitin 1990.

Krahu i Jusuf Grvallës iu bashkua LDK-së, tashmë, i kryesuar nga Hafiz Gagica, që përbënte shumësinë absolute të mërgikimtarëve shqiptarë. Grupet marksiste-leniniste, fillimisht, u mëdyshen nëse duhet pranuar Ibrahim Rugovën, si shef i shqiptarëve të Kosovës?! Por, pazarin e prishi financa, paraja e mërgimtarëve. Dr. Rugova ishte i mendimit se paraja duhet administruar, prandaj edhe themeloi Fondin e 3 %-it, për shqiptarët e përbotshëm, me porosinë sintezë: "Mos hidhni pare në kapuç!"

Grupet marksiste-leniniste, tashmë, nën siglën e LPK-së, u ndjenë, jo vetëm të fyer, por, edhe të dëmtuar financiarisht, sepse, veç anëtarësisë, ata vilnin, vullnetarisht, para edhe në rastin e organizimeve që bënin, herë pas here, në shtete dhe qytete të ndryshme të Evropës.

Që këtu, sulmi ndaj Serbisë u spostua në rend të dytë, duke e vënë në plan të parë LDK-në dhe themeluesin e saj Dr. Ibrahim Rugovën. Të gjitha nismat financiare, të ndërmarra nga LDK-ja dhe, më vonë, edhe nga simotrat e saj partiake, në përballimin e bllokadës të Serbisë të Millosheviçit, LPK-ja i shpërfilli, i injoroi, i sabotoi! Fatmirësisht, ishte minore, pa ndikim ndër mërgimtarët dhe u shpërfill lehtësisht.

Puçi banditesk brenda LPK-së

LPK-ja, me dy qendrat e saj kryesore, Gjermani e Zvicër, kishte krijuar njëfarë stabiliteti, por, nuk arriti t`i shtoi radhët. Tirana zyrtare, social-komuniste, me propagandën lehaqene, dërgoi emisarët e saj, të cilët, na kujtonin emisarët komunistë, kolonët serbë e malazezë të Kosovës, për të themeluar PKSH, në vitin 1941, në Shqipëri. Kryesia e vjetër e LPK-së kishte një stazh veprimtarie tej një dekade. Nuk përjashtonte as bashkëpunimin me LDK-në, në rast të fillimit të luftës. Por, krejt ndryshe mendonin një grup, separat nga Zvicra.

Një grup rishtarësh në LPK-e, pothuajse, të panjohur, të pa shkolluar, profanë në politikë, por, dinakë në hile e poshtërësi, arrivistë e karrieristë të shfrenuar, flirtues me shërbimet informative të shteteve armike të Kosovës, të dominuar nga provincialë të Drenicës, në mars të vitit 1998, realizuan puçin banditesk, brenda Kryesisë së vjetër themeluese të LPK-së. Ata i shkarkuan, paligjshëm e dhunshëm, madje, me akuzën ekstreme të tradhtisë!?

Puçin banditesk e realizoi grupi i rishtarëve të LPK-së, të koordinuar me boshtin serbo-francez dhe Tiranën zyrtare. Kushtëzimi dhe qëllimi i boshtit agjenturor ishte:

1. Shkarkimi i Kryesisë së vjetër, me akuzën e tradhtisë dhe zëvendësimi me Kryesinë e re;

2. Kryesimi i LPK-së dhe drejtimi i gazetës "Zëri i Kosovës", t`i besohet një kuadri nga Tirana;

3. Fondi "Vendlindja thërret", të vihet nën administrimin e Kryesisë së re.

Organizimi i ri, Kryesia e re, thirrej, hipokrizisht e fiktivisht, në luftën për çlirim. Por, realisht, veprohej për ruajtjen e statusquos. Dhe, kjo shprehej qartazi në porosinë e kryetarit socialist Nano, se "kryeqyteti i Kosovës, është Beogradi!" Tjerat janë broçkulla, pallavra! Dhe, kjo u lëndëzua me përçarjen e faktorit ushtarak të Kosovës dhe sabotimin e luftës.

Rrjedhimisht, UÇK-ja e LPK-së, nuk u lejua të hyjë në luftën e Kosovës, me formacionet e saja të organizuara. Dhe, si e tillë, dështoi, për t`u bërë pjesë e luftës për çlirim! Këtë e thonë vetë themeluesit e UÇK-së, duke nominuar si "sabotatorë 4 (katër) "kryeSHTAB-istët" e saj, të cilët kurrë nuk u bënë pjesë e luftës"!

Kolonel Ahmet Krasniqi - kopje e Jusuf Gërvallës

Jusufin e njoha si bashkëshkollarë të hershëm, ndërsa Ahmet Krasniqin në vitet e luftës, meqë me xhaxhain e tij, Aziz Zhilivoda-Krasniqi, kaçakun e fundit të Kosovës, vuajtëm burgjet politike të Enver Hoxhës. Projektin e luftës për liri, Jusuf Gërvalla e la të skicuar dhe të shkruar, në vitet `80-a. Kolonel Ahmet Krasniqi, do ta lëndëzonte, me taktikën dhe strategjinë, në luftën faktike, në fund-vitet `90-a.

Në të gjithë sjelljen e tij, veprimet, parimet, mirësjelljen e dashurinë për njerëzit, mbi të gjitha, pajtueshmërinë e luftëtarëve, përkushtimin për çlirimin e Atdheut - ishin pikat që i bashkonin. Pra, Kolonel Ahmet Krasniqi ishte kopja më besnike e Jusuf Gërvallës.

Gërvalla bëri gjithçka për pajtimin e grupeve, që i kishin përçarë UDB-a dhe Sigurimsat e Enverit, duke i infiltruar agjentët e tyre, në radhët e këtyre grupeve. Ai e diktoi përgjimin e UBB-së, kërkoi mbrojtjen e shtetit gjerman, por, nuk ia ofruan, sepse ligja gjermane nuk e parashikonte mbrojtjen e azil-kërkuesëve. Ai parashikoi edhe vrasjen, por, nuk u tërhoq nga veprimtaria atdhetare.

Krejt njëjtë, si intelektuali i kompletuar Gërvalla, veproi edhe Kolonel Krasniqi. Bëri shumë për bashkimin e faktorit ushtarak të Kosovës, por, dështoi. Realisht, grupimi ushtarak i LPK-së, ishte minor, i papërfillshëm në numër. Por, Koloneli i dinte infiltrimet, konspiracionet e të huajve dhe parashikonte sabotimin e mundshëm. Dhe, ashtu ndodhi. Ai krijoi bazën logjistike, në disa qendra ushtrimore, për përgaditjen ushtarake të luftëtarëve. "Asnjë ushtar i papërgaditur, të mos rrjeshtohet në luftime",- porosiste Koloneli.

Kolonel Ahmet Krasniqi ishte shantazhuar dhe kërcënuar me jetë nga kryeSHTAB-istët. Dhe, këtë nuk e fshihte. Duke folur për luftën, intensifikimin e saj në Kosovë, ai thoshte: "Nëse nuk vritem, do ta bëj këtë apo ato veprime..."! Edhe pse ishte një vrasje e pritshme, Koloneli, njësoj si Gërvalla, vazhdoi, trimërisht e njëmendësisht, se për lirinë e Atdheut, flijimi është vlerë supreme.

Sulmi i tufëzuar i maskarenjve, kundër luftëtarës Donikë Gërvalla

Rrjedhimisht, është FARK-u, me emblemën e UÇK-së, që luftoi me formacionet e organizuara. Pra, FARK-u është UÇK-ja vetë, e ëndërruar nga Jusuf Gërvalla me shokë, në vitet `80-a; e emërtuar dhe e organizuar nga Dr. Ibrahim Rugova, me bashkëpunëtorët e tij, në fillim-vitet `90-a; për ta aktivizuar, në betejat luftarake, nga Ministri i Mbrojtjes, Kolonel Ahmet Krasniqi me shokë, në fund-vitet `90-a.

Vajza krenare e Jusuf Gërvallës, Donika, është pjesë efektive e UÇK-së dhe e Luftës të Kosovës. Ajo është luftëtarja më e shquar e botës shqiptare, në arenën ndërkombëtare, që i dha përmasat madhore UÇK-së, përgjatë luftës në Kosovë. Dhe, në këtë nivel, e ngriti vajza e zgjuar dhe e guximshme, Donikë Gërvalla.

Të gjithë tellallët e opozitës, analistë e banalistë mercënarë, të marrë së bashku, nuk i kanë kontribuar luftës të UÇK-së, sa dinjitarja Donikë Gërvalla.

Donikë Gërvalla ka qenë zëri i së vërtetës gjatë luftës, pas luftës dhe, vazhdon të jetë edhe sot, në cilësinë e zëvendëskryeministrës, ministres së Jashtme dhe të Diasporës të Kosovës. Kurrë mos prisni nga ajo të merret m e qejf-bërje; me shtrembërime të historisë më të re të Kosovës; me hipokrizi, mashtrime e falsifikime groteske, për luftën e djeshme dhe paqen e sotme. Ajo është një Galile e epokës moderne: "Megjithatë, rrotullohet!"

Turpi qoftë me ju, provokatorë llapaqenër, që sulmoni, të orkestruar, heroinën e gjallë të luftës, Donikë Gërvallën, duke e keqpërdorur shenjtërinë e UÇK-së, për interesa të turpshme personale, partiake e biznesore!

Jo, kurrë nuk dorëzohet Donikë Gërvalla!

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat