A po mbetet njeri pa u korit në politikën e Kosovës?

Opinione

A po mbetet njeri pa u korit në politikën e Kosovës?

Ismail Muçiqi Nga Ismail Muçiqi Më 20 tetor 2021 Në ora: 22:08
Bekim Jashari

“Një thënie e popullit se çka e koritë njeriun”.. “Përgjigjja gjithmonë e saktë se njeriun e koritë kajta, lakmia epshi, interesi e tjerë. Jemi dëshmitarë se që nga pas lufta shumë emra të përvetshëm të njerëzve që u morën me politikë dhe ishin bartës të funksioneve të ndryshme të shtetit të Kosovës, nuk e kaluan provimin. Sindromi i lakmisë dhe i interesit për vetveten ka kohë që po reflektohet dhe shndërrohet në dukuri negative me pasoja patologjike për shoqërinë Kosovare. Jemi popull, i cili i jetojmë në botën e ëndrrave duke e përdorur imagjinatën si ëndërr, e cila e shpreh retorikën dhe folklorizmin për krenarinë e veprave të mëdha. Edhe më karakteristik është defekti i ndërtimit të mendimit jo konsistent për rrjedhat e zhvillimit të shoqërisë. E vërteta dhe praktika ka dëshmuar se me vetëdije apo pa të shpeshherë në periudhat e caktuara nga euforia kemi ndërtuar kultin prej njeriut të cilit paradite i kemi thur këngë, ndërsa pasdite e kemi quajtur tradhtar. Këto botëkuptime, të cilat janë pjellë e shoqërive të pa emancipuara dhe të pa arsimuara mjerisht e kanë përcjell edhe klasën politike të Kosovës që nga pas lufta e këndej.

Janë pak emra te personaliteteve, të cilët mbetën pa u koritë duke ushtruar funksione të ndryshme në institucionet e shtetit. Prapë lakmia për të marr pozita sa më të larta në institucionet e shtetit ishin dhe janë kanceri më agresiv, i cili po e gërryen moralin dhe etikën, integritetin dhe karakterin e njerëzve. E kaluara dëshmoi se për shkak të lakmisë dhe të interesit personal u shkelen ligje dhe norma të cilat u shndërruan më vonë në konflikte të interesit, të cilat shkaktuan dorëheqjen e 3 Presidentëve, rënien e Qeverive duke krijuar kriza të njëpasnjëshme në funksionimin normal të rendit Kushtetues të shtetit të Kosovës. Aferat e lakmisë personale u manifestuan në shumë segmente të shoqërisë kosovare. U përfolën shumë komandantë dhe gjeneralë për pasurimin e tyre brenda natës, duke përfituar prona publike, dhe asete, me qindra sipërfaqe tokë buke të Kosovës.

Shumica nga këta politikanë që ishin ministra, deputetë, ambasadorë, kryetarë komunash ishin ata, të cilët përmes privatizimit të egër dhe shumë të dyshimtë arritën që me çmime qesharake t’i privatizojnë shumë fabrika dhe ndërmarrje shoqërore për veti. Është e vërtetë se syrin e uritur e nginë vetëm dheu kur njeriu ndërron jetë dhe kalon në botën e amshueshme. Këta njerëz, të cilët janë helmuar përmes politikës partiake duke vrapuar pas pozitave të njëpasnjëshme tani kanë humbur çdo arsye. Kjo u vërejt dhe u manifestua më së miri përmes zgjedhjeve lokale nëpër Komunat e Kosovës. U vërtetua se partitë politike nuk punojnë sipas programit dhe statutit të profilizuar, të majtë apo të djathtë por qëllimi i tyre është lufta për pushtet.

Anomalia dhe gabimi që nuk falet është rasti i zgjedhjeve komunale në Komunën e Skenderajt. Për Adem Jasharin dhe sakrificën e familjes së tij u shkruan shumë poezi, u thurën shumë këngë heroike, u organizuan shumë tribuna dhe u mbajtën shumë fjalime dhe ligjërata, përmes të cilave u vlerësua lartë heroizmi i familjes Jashari. Tani kur familja Jashari duhet të ishte institucion moral dhe shtetëror, politika qorre për interesat e një grupi të njerëzve, të cilët përfituan shumë në emër të heroizmit të Adem Jasharit arritën që ta përçajnë popullin në Drenicë, duke mos votuar Bekim Jasharin për Kryetar të Komunës të Skenderajt. Ky është turpi më i madh që i ka ndodhur Kosovës që nga mbarimi i luftës e këndej. Kjo është pasqyra e përkushtimit dhe idealizmit tonë për ruajtjen e vlerave historike dhe kombëtare të popullit, nuk kam koment tjetër!

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat