Drenicaku i Malishevës, Rahovecit, Suharekës, Fushë Kosovës ...

Opinione

Drenicaku i Malishevës, Rahovecit, Suharekës, Fushë Kosovës ...

Nga: Shpat Gega Më: 21 tetor 2021 Në ora: 10:42
Foto ilustrim

Sot nëpër internet mund të gjesh lajme të shumta, informacione e dokumente të ndryshme, ndër tjerash edhe punimet e doktoraturës, magjistraturës etj. Me qëllim të transparencës, Universiteti i Tiranës (sikurse që ka bërë dikur edhe UP-ja kur pati publikuar disertacionet e doktoraturës së stafit, por sot jo!) ka publikuar online doktoraturat e mbrojtura. Shumë individë nga Kosova kanë mbrojtur disertacionet në universitetet e Tiranës dhe kanë marrë gradën më të lartë shkencore, andaj jemi dëshmitarë se në ditët e sotme mund të gjesh individë me doktoraturë, por pa ndonjë përgatitje profesionale e shkencore të nivelit të saj.

Njëra ndër to është edhe doktoratura e Arsim Nulit me titull “Potencialet natyrore të zonës së Drenicës dhe rëndësia socio-ekonomike e tyre” e mbrojtur në Departamentin e Gjeografisë në Universitetin e Tiranës (https://unitir.edu.al/potencialet-natyrore-te-zones-se-drenices-dhe-rendesia-socio-ekonomike-e-tyre/). Pavarësisht përmbajtjes e cila lidhet me këtë punim, vërehen mangësi të shumta shkencore e akademike, njëra ndër to është numri i fusnotave të përdorura. Nga gjithsej 153 faqe tekst janë të vendosura vetëm 13 fusnota!!! Një mesatare prej 1 fusnotë në 11.7 faqe!!!

Sigurisht “Ajnshtajn” i llojit të vet – gjithçka “prodhim i mendjes së tij”. Absurd i llojit të vetë, kur dihet se sot në punimet seminarike serioze, mos të flasim për ato shkencore paraqiten me mbi 20 fusnota gjatë shqyrtimit të problemit/literaturës, në punim ndoshta me 5-10 faqe.

Edhe pse në titull disertacioni përmendet treva e Drenicës si zonë e hulumtimit, ajo që është më absurde dhe që bie ndesh me çdo regjionalizim të Kosovës të bërë deri më tani, është përkufizimi i territorit. Një ndër regjionalistët më të njohur në Kosovë, profesori i ndjerë prof.dr.Riza Çavolli, pastaj profesorët e tjerë që kanë shkruar libra shkollorë e universitarë, ndërsa ta edhe prof.dr.Asllan Pushka i ndjerë, ku dhjetëra gjenerata e kanë mësuar gjeografinë prej tyre, e përshkruajnë Drenicën si trevë/tërësi/mikroregjion që shtrihet ndërmjet Çiçavicës, Kurrizit, Goleshit në lindje, malit Drenica, Kosmaç dhe pak a shumë sektorin e mesëm të lumit Klina në perëndim, në jug shkon deri tek malet e Caralevës, ndërsa në veri deri tek Mali i Thatë.

Kurse, në temën e përmendur, në të gjitha hartat e paraqitura, treva e Drenicës përfshinë pjesë të komunave Klinë, Malishevë, Rahovec, Suharekë, Fushë-Kosovë etj. (harta fq. 14). Çfarë shkarje profesionale në këtë Kosovë të vogël me territor. Prej kur, ama prej kur, një banor i Malishevës e ka ndjerë vetën “drenicak” ose pjesë e Drenicës, mos të flasim për ata të Rahovecit, Suharekës, Fushë-Kosovës etj. Ka fshatra të Lipjanit që i takojnë Drenicës si regjion, ama asessi komunave të lartpërmendura. Kjo tregon për seriozitetin dhe punën e kandidatit që paska bërë në këtë punim. Në raste të tilla, kur ka ndonjë hamendje rreth shtrirjes së një regjioni, një kandidat serioz del në terren dhe pyet banorët! Përgjigjen e kanë të gjithë!.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat