Asociacioni nuk është model i parashikuar në të drejtën evropiane!

Opinione

Asociacioni nuk është model i parashikuar në të drejtën evropiane!

Prof. Dr. Enver Bytyçi, Bota sot Nga Prof. Dr. Enver Bytyçi, Bota sot Më 23 tetor 2021 Në ora: 11:12
Ilustrim

Komisioni Evropian në raportin e tij të progresit për Kosovën ka kërkuar edhe njëherë zyrtarisht që Kosova të themelojë Asociacionin e Komunave me Shumicë Serbe, duke e përcaktuar këtë si kusht për marrëveshjen finale me Serbinë.

Kjo do të thotë se Komisioni Evropian, nën ndikimin e Joseph Borrell dhe Miroslav Lajçak, është I përkushtuar për ta shndërruar Kosovën në një shtet jo funksional dhe kësisoj për ta zhbërë atë si shtet. Sepse të gjithë e dinë faktin se Asociacioni i Komunave me Shumicë Serbe në Kosovë do të jetë një strukturë, e cila do të menaxhohet, kontrollohet e drejtohet nga Beogradi. Si e tillë ky asociacion do të kundërshtojë praninë dhe sovranitetin e shtetit të Kosovës në këto komuna, përfshirë dhe ato në jug të lumit Ibër.

Për pasojë zgjidhja do të mbetet ose konflikti etnik, ose zhbërja e shtetit të Kosovës. Dikush mund të mendojë se me krijimin e asociacionit mundet që Bashkësia Ndërkombëtare të bëjë më shumë presion ndaj Beogradit dhe gjendja në Kosovë të jetë stabile. Dikush tjetër mund të mendojë se krijimi i asociacionit çon në njohjen e shtetit të Kosovës nga ana e Serbisë dhe nëse ajo e njeh, atëherë është më lehtë të kërkohet mos-ndërhyrja e Beogradit në çështjet e rregullit të brendshëm në Kosovë!

Të gjitha janë spekullime dhe metoda të bindjes për kompromis. Kjo për faktin se Asociacioni i Komunave me Shumicë Serbe krijohet si strukturë paralele shtetërore brenda territorit të Kosovës dhe si e tillë ajo do të ndjekë politikat e Beogradit, synimet e të cilit janë krijimi i Serbisë së Madhe. Askush nuk duhet të jetë aq naiv sa të besojë që Beogradi me njohjen e Kosovës nuk do të punojë për Serbinë e Madhe! Përkundrazi, Serbia do të nxitë dhe mobilizojë të gjithë serbët e Kosovës e jo vetëm ata në veri të Mitrovicës, që të bëhen barrikadë për të kundërshtuar prezencën e shtetit në 10 komuna ku ata janë shumicë.

Shihni si e zhvilloi Serbia teorinë e diversionit në Kosovë. Fillimisht kërkoi me insistim krijimin e sa më shumë komunave serbe, edhe me 300 apo 500 banorë. Politikanët naivë e të etur për kompromis, përkatësisht Hashim Thaçi dhe Lutfi Haziri si ministër i pushtetit lokal, u bënë më serbë se serbët, kur ua plotësuan pa asnjë kundërshti këtë kërkesë. Dhjetë komuna serbe jo vetëm krijojnë imazhin se një e katërta e Kosovës është e banuar e serbë, por këto komuna përdoren sot si "argument" për ta pasur këtë asociacion. Naiviteti, për të mos thënë pengmarrja e politikanëve kryesorë të Kosovës, çuan në këtë situatë.

Hashim Thaçi nënshkroi më 19 prill 2013 marrëveshjen në parim për krijimin e këtij asociacioni. Ndërsa Isa Mustafa e nënshkroi marrëveshjen e dhjetorit 2015 për të njëjtin projekt të Serbisë në Kosovë. Sot të dy këta përpiqen të lajnë duart e të thonë se "nuk qenkan fajtorë". Isa thotë se Komisioni Evropian "nuk e ka fjalën për marrëveshjen e vitit 2015" të nënshkruar prej tij. Por është fakt se Kosovës Hashimi dhe Isa ia ngulën dy gozhdë të Nastradinit, duke e vënë në ditët e sotme në vështirësi qeverinë dhe grupin negociator me Serbinë.

Komisioni Evropian në raport na thotë se me nënshkrimin e Asociacionit duhet të arrihet marrëveshja finale me Serbinë. Por nuk thotë se cila do të jetë kjo marrëveshje finale. Nuk thotë nëse Kosova do të njihet prej Serbisë. Nuk na sqaron se cili do të jetë fati i Kosovës në raport me integrimin evropian dhe as aspekte të tjera. Shkurt duket shumë qartë se KE është në amulli, është i pasigurt, është në këto momente një instrument që josh Serbinë për të bërë detyrën e saj në raport me Kosovën, por nuk është as vetë e sigurt se çfarë do të bëjë Serbia edhe pas krijimit të Asociacionit!

Amullia dhe qëndrimet kontradiktore të Komisionit Evropian nuk japin asnjë shpresë se Kosova dhe Serbia do të arrijnë një marrëveshje finale për njohje reciproke. Madje KE as që guxon ta përmendë njohjen reciproke, siç bën administrata amerikane e presidentit Biden. Edhe kjo është një shenjë e qartë mos-besimi dhe pafuqie të Brukselit për të zgjidhur konfliktin midis Kosovës dhe Serbisë.

Ndaj është e domosdoshme që qeveria e Kosovës, institucionet e saj dhe grupi negociator të kërkojnë besueshmëri te institucionet e Bashkimit Evropian. Kjo besueshmëri duhet kërkuar në shumë aspekte. Së pari i duhet kërkuar KE që Kosovën ta njohin pesë vendet anëtare të BE-së. Më pas të kërkohet që të liberalizohen vizat dhe Kosovës t'i jepet statusi i vendit kandidat.

Institucionet e Kosovës duhet të studiojnë eksperiencat evropiane të respektimit të të drejtave të pakicave dhe të krijimit të zonave autonome. Nëse nuk ka askund një eksperiencë të tillë, siç është kjo që kërkohet për serbët në Kosovë, atëherë t'i thuhet Borrellit, Lajçakut, KE-së e gjithkujt që kërkon të bëjë eksperimente të rrezikshme në këtë pjesë të kontinentit evropian, se rekomandimet e tyre janë të pavend dhe në kundërshtim me të drejtën e praktikën evropiane. Nuk mundet që dikush të imponojë për Kosovën një model të cilin ai nuk e ka aplikuar në asnjë rast në Evropë e në Ballkan.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat