SHBA, një kronikë tragjike e javës dhe diplomati ‘magjistar’

Opinione

SHBA, një kronikë tragjike e javës dhe diplomati ‘magjistar’

Nga: Dr.Ramazan Bekteshi Më: 27 maj 2022 Në ora: 10:03
20 Nxënës dhe një mësues të masakruar pak ditë më parë në një shkollë të Teksasit

Epidemia e armëve: Analistë të ndryshëm pas masakrës në shkollën e Teksasit shprehen se ‘Epidemia jonë e armëve është një simptomë e demokracisë sonë të thyer’. Sërish zemrat e amerikanëve u thyen, tragjedia që mund të parandalohej këputi jetë fëmijesh në bankat shkollore, sepse një parti me kokëfortësi vazhdon të loboj për të drejtën e armëmbajtjes.

Tragjedia ndodhi sepse nuk ka legjislacion kuptimplotë për kontrollin e armëve, biles përfaqesuesit e kësaj partie (Republikanët) në garë për Senat e Kongres marrin edhe fonde nga Shoqata Kombëtare e Pushkëve (NRA). Ka rreth 400 milionë armë zjarri në pronësi të qytetarëve në Shtetet e Bashkuara - rreth 46 për qind e totalit në botë, sipas ‘Small Arms Survey’, një studim jopartiak.

Të shtënat masive në shkollen fillore në Uvalde, Teksas, ku 19 fëmijë dhe dy të rritur u vranë me armën AR-15, shënoi tragjedinë e radhës. Pra, Republikanët që janë “pro-life” paradoksalisht lejojnë që këto fëmijë të vriten posa të nisin shkollën, përshkak se ata refuzojnë të votojnë për më shumëe restriksione për armëmbajtje e kontroll rigoroz të bekgroundit. Kështu si është ligji për armë, edhe kushtetuta më e avansuar në botë është bërë një akt vetëvrasës, në formën e tashme të ligjit për armëmbajtje.

Është absurde të lejohet të shiten armët automatike, dhe efekti i tyre tragjik po përsëritet nëpër shkolla, dhe leksioni kurrsesi të mësohet nga legjislatorët e njërës parti.

Nga ky leksion duhet të mësojnë edhe dy qeveritë tona në Tiranë e Prishtinë që armët me bollëk e pa kontroll po marrin për çdo ditë jetë njerëzish të pafajshëm. Asnjëherë nuk u bë një studim nga Tirana zyrtare se sa armë enden nëpër Shqipëri pas thyerjes së depove të armëve me 1997, dhe as për eksplozivin. As Prishtina nuk e ka pastruar Kosovën nga armët që ishin blerë nga populli e diaspora për luftë kundër okupatorit, por në paqë e vrasin vetë qytetarin.

Henri Kisinxheri, për Kosovën e Ukrainën

Sërish në një moment historik e kritik ashtu si me Kosovën, ish-sekretari i shtetit Kisinxher e shkretoi duke thënë se, Ukraina duhet t'i fal territor Rusisë. Shumë historianë kanë shkruajtur për Kisinxherin, për rolin e një burrështetasi kontravers në formësimin e historisë së shek. XX. Derisa disa historianë e konsiderojnë Kisinxherin një realist ikonik të epokës sonë, e disa të tjerë siç sugjeron Ferguson, një idealist i keqkuptuar.

Image
Henry Kissinger, një diplomat dhe teoricien i shquar, por antishqiptar

A ka qenë ai, një forcë për të mirën apo për të keqen e paqes?

Nicholas Thompson, historian thotë: “Henry Kissinger është një nga njerëzit më të këqij që kanë eksistuar ndonjëherë, një forcë e së keqes. Ai i manipuloi kolegët dhe kombet. Ai falsifikoi fillimin e një lufte bërthamore për të avancuar një teori perverse të lojës personale. Ai kryente pandjeshëm krime ndërkombëtare... në përgjithësi, ai ishte dhe është shumë i mbivlerësuar si burrështetas.”

Mario Del Pero, profesor i historisë ndërkombëtare thotë: “... Atij sigurisht i pëlqente të paraqiste (dhe të përfaqësonte) veten si një mendimtar realist pa kuptim, që mund t'i mësonte Amerikës naive dhe hiper-idealiste se si të sillej në arenën brutale të politikës ndërkombëtare. Dhe Amerika e pas vitit 1968 e donte, për njëfarë kohe, atë lloj mesazhi, i cili dukej se ofronte zgjidhjen e nevojshme për të dalë nga Vietnami, dhe për të braktisur përfundimisht kryqëzatat kishotase në emër të demokracisë, modernizimit dhe zhvillimit.”

Disa mëkate të Kisinxherit: Ai perkrahu diktaturën ushtarake në Pakistan (1971), kishte rol në aferën ‘Ëatergate’, një skandal i shekullit që do të mbahet mend në historinë amerikane, derisa për luftën në Kosovë shprehet se: “Lufta e pamenduar në Kosovë ka dëmtuar marrëdhëniet me Kinën dhe Rusinë dhe ka vënë NATO-n në rrezik”.

Kisinxheri e quan politikën e administratës së Klintonit në Ballkan si një kombinim i oportunizmit politik, paaftësisë dhe pamaturisë. Për Rambujenë thotë se nuk ishte një negociatë - siç pretendohet shpesh - por një ultimatum.

Kisinxher merr anën e Serbisë okupuese dhe është një antishqiptar bazuar në deklaratat e tij për Kosovën. Pra plaku, diplomati 98 vjeçar vazhdon të flasi çartë edhe këto ditë lufte për liri në Ukrainë, të një lufte të paprovokuar, duke i dal në krah agresorit.

Image
Intelektuali, shqiptaro-amerikani Dr.Ramazan Bekteshi

 

Të nderuar lexues të gazetës “Bota sot”, komentet që përmbajnë fyerje, ofendime dhe sharje nuk lejohen në portal. Andaj, komentet e juaja do të kalojnë në filtra për aprovim dhe të tillat që përmbajnë gjuhë që nuk përkon me rregullat, nuk do të aprovohen. Ju faleminderit.
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat