Pse ishte historike vizita e kancelarit gjerman, z. Olaf Scholz në Kosovë, si dhe politikisht shumë dimensionale..!

Opinione

Pse ishte historike vizita e kancelarit gjerman, z. Olaf Scholz në Kosovë, si dhe politikisht shumë dimensionale..!

Nga: Rexhep Elezaj Më: 12 qershor 2022 Në ora: 16:46
Kancelari gjerman, Olaf Shcholz

Së pari, vizita e kancelarit të Gjermanisë, z. Olaf Scolz në Kosovë me 10 qershor 2022 ishte historike, sepse është kancelari i parë i Gjermanisë i cili zyrtarisht e viziton Kosovën pas pavarësisë së saj në vitin 2008, ngase asnjëherë më përpara gjatë historisë nuk kishte ndodhur që ndonjë kancelar gjerman ta kishte vizituar Kosovën.

Pra, kjo është hera e parë që ndonjë burrështetas gjerman i nivelit kaq i lartë politik ta vizitojë Kosovën, pranë blic-vizitës të ish kancelares Angela Merkel në vitin 2011 në aeroportin e Prishtinës, por e cila nuk konsiderohej si vizitë plotë protokollare në Kosovë.

Së dyti, vizita e z. Scholz ishte historike, sepse marrëdhëniet midis popullit shqiptar dhe atij gjerman, qysh nga fillimi i LDB-re (1940), pastaj gjatë kohës së ish Jugosllavisë, kur me mijëra punëtorë shqiptarë nga Kosova si “Gastarbeiter” gjeten punë në Gjermani (1969-1990), por ky bashkëpunim posaçërisht pas suprimimit të autonomisë dhe ripushtimi të Kosovës nga regjimi kriminal i S. Millosheviçit (1989), me mijëra shqiptarë të Kosovës u detyruan të kërkonin azil në Gjermani deri në vitin 1999, kur Kosova do të çlirohet. Pra, marrëdhëniet shqiptaro-gjermane gjithherë i ka karakterizuar fryma e mirëkuptimit dhe bashkëpunimit, jo vetëm social, i cili është shprehur dhe realizuar në disa forma, që nga vitet e 1960-ta e deri më sot.

Pastaj, strehimi dhe pranimi i statusit të azilantëve të qindra të përndjekurve politik nga Kosova në vitet e 80-ta, sidomos pranimi dhe strehimi më vonë i mijëra shqiptarëve të dëbuar me dhunë nga regjimi kriminal i Serbisë gjatë viteve 1989 – 99, kur në Gjermani azil do kërkojnë mbi 700 mijë shqiptarë, numëri më i madh i të cilëve pas luftës u kthye në Kosovë, ndërsa mbi 400 mijë mërgimtarë tanë edhe sot e kësaj dite jetojnë dhe punojnë në Gjermani, etj.

Së treti; Gjermania ishte ndër dhjetë shtetet e para e cila e njohur pavarësinë e Kosovës (20 shkurt 2008), duke qëndruar pranë Kosovës me tërë potencialin e saj politik, diplomatik dhe ekonomik, pa harruar për asnjë çast ndihmat e saja humanitare dhe financiare të paraluftës tonë çlirimtare (1990-99), të cilat qeveria gjermane ia ka dhënë Kosovës përmes formave të ndryshme, por as investimet e disa firmave gjermane pas luftës në Kosovë, e që kapin vlerën prej Miliarda eurosh.

Po ashtu, përfaqësuesit shtetëror dhe diplomatik të Gjermanisë në të gjitha forumet diplomatike ndërkombëtare, filluar nga KS i OKB-së e deri tek ato financiare e kanë mbështetur pa rezerva kauzën e pavarësisë së Kosovës, dhe kjo mbështetje do kulmon, pa asnjë dyshim, me vizitën historike të kancelarit Olaf Scholz pardje në Prishtinë, kur për herë të parë kancelari Olaf Scholz doli hapur me formulimin dhe kërkesën ndaj Serbisë, që “Marrëveshja finale mes Kosovës dhe Serbisë duhet të përmbyllet me njohje reciproke”, deklaratë e cila gati sa nuk e çmendi presidentin serb A. Vuçiq..!?

Së katërti; është pikërisht shteti dhe populli mik gjerman, ai i cili nën udhëheqjen e znj. A. Merkel, e ka ndaluar në mënyrë të prerë ndarjen e Kosovës si dhe ndryshimin e kufijve në Ballkanin perëndimor. Është pra qeveria gjermane ajo e cila e ka ndihmuar hapur dhe me të gjitha mjetet çlirimin dhe pavarësinë e Kosovës, është qeveria gjermane me znj. Merkel në krye, ajo e cila ka investuar miliarda euro në rindërtimin e Kosovës së shkatërruar nga lufta e fundit, qoftë me dërgimin e firmave profesionale në Kosovë, qoftë me shpërndarjen e ndihmave humanitare në krejt Kosovën, në vlera prej qindra miliona eurosh. Dhe, është pikërisht qeveria gjermane e vetmja në Evropë, e cila gjatë kohës së luftës çlirimtare (1998-99) në afërsi të Shtutgartit kishte lejuar duke i “mbyllur sytë” hapjen e qendrës për rekrutimin e të rinjve tanë, grumbullimin dhe dërgimin e pajisjeve ushtarake në frontin e luftës, duke i “shkelë” madje ligjet e saja kushtetuese, nga ku për në frontin e luftës janë organizuar dhe përcjellë me qindra djem dhe vajza të reja, të cilët kishin statusin e azilkërkuesve në këtë shtet mik.

Pra, ndihmat gjermane për Kosovën kanë qenë të jashtëzakonshme, të cilat qeveria gjermane ia ka ofruar dhe dhënë Kosovës, para, gjatë dhe pas luftës çlirimtare, dhe për këtë mund të sjellim me qindra shembuj tjerë që flasin për marrëdhënie tejet miqësore midis Kosovës dhe Gjermanisë, por besoj se mjaftojnë këto që u cekën më lartë, për ta kuptuar më sakët dhe drejtë se pse vizita e kancelarit gjerman z. Olaf Scholz pardje në Kosovë kishte përmasa historike për dy popujt tanë të një grupi të afërt etniko-evropian, arianito-ilir..!

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat