Popujt përcjellin mesazhin e paqes dhe bashkimit

Opinione

Popujt përcjellin mesazhin e paqes dhe bashkimit

Nga: Ramazan Çeka Më: 12 qershor 2022 Në ora: 20:29
Ramazan Çeka

"Aulona Inter Folk Festival" sërish me një spektakël madhështor në qytetin e Vlorës, aty ku flamujt ndërkombëtarë shpalosen nga arti e kultura e kombeve.

Në qytetin e bukur bregdetar të Vlorës, për tre ditë e netë rradhazi, ashtu siç bashkohen ujërat e dy detrave tanë të mrekullueshëm, u bashkuan edhe artistë popullorë nga trevat shqiptare, por edhe të Europës për të marrë pjesë në Festivalin Folklorik Ndërkombëtar "Aulona Inter Folk Festival", që ishte edhe edicioni i 14-të i këtij spektakli madhështor, i cili hapi e mbylli me sukses siparin e tij.

Edhe pse ky festival për qytetin e Vlorës është bërë traditë, sërish mund të them me bindje se për të gjithë të pranishmit duket si hera e parë, pasi sjell emocione që nuk përshkruhen me fjalë dhe as që përsëriten shpesh, pikërisht se spektakle të tilla të organizuar në një festival janë tejet të rralla për shtete shumë të zhvilluara e shumë më të mëdha nga ç'është vendi ynë, aq më tepër për një qytet si ç'është Vlora jonë, ku një grup organizatorësh vullnetmirë sakrifikojnë gjithëçka për të dhënë më të mirën e mundshme për realizimin e tij.

Përgatitjet për organizimin dhe mbarvajtjen e festivalit kishin nisur muaj më parë dhe si gjithmonë nën kujdesin e veçantë të artistit të paarritshëm, punëtor dhe vizionar, me kulturë e pasion e, mbi të gjitha, me shumë dashuri, Sejmen Gjokoli "Mjeshtër i Madh", që me projekt-planet e tij ka fituar prej vitesh besimin e Bashkisë së qytetit e Ministrisë së Kulturës, që si gjithmonë vazhdon ta mbështesë në këtë angazhim kulturor.

Kështu institucionet e qeverisjes vendore vazhdojnë të bashkëpunojnë dhe vlersojnë këtë aktivitet me vlera shumëpalëshe, i cili përkon edhe me hapjen e sezonit të turizmit bregdetar të gërshetuar kaq bukur edhe me turizmin kulturor nëpërmjet të cilit Vlora vazhdon të promovojë vetveten me gjithçka të bukur që gjindet në brendësi të saj.

Përgjatë gjithë këtyre ditëve, u zhvilluan aktivitete të shumta e të larmishme deri në mbyllje të këtij edicioni të katërmbëdhjetë të "Aulona Inter Folk Festival" në darkën e gëzimit të mbarvajtjes dhe suksesit të festivalit me të katërmbëdhjetë ansamblet folklorike pjesmarrëse, të cilët për koincidencë rastisën të ishin të njëjtë në numër sa dhe vetë edicionet.

Si një kolor i ylbertë rrezatuan qytetin bregdetar të Vlorës të shtatë flamujt e ardhur nga shtatë shtete të Ballkanit dhe Europës, të cilët po të ishin pikë për t'u mbledhur sërish do formonin numrin katërmbëdhjetë. Të gjitha grupet ishin më shumë se entuziaste për pjesmarrjen, aq sa improvizonin skena me shfaqje artistike kudo ku gjenin shesh, hapësira të mrekullueshme që, për hirë të së vërtetës Vlorës së bukur nuk i mungojnë.

E kështu për tri ditë me radhë këto ansamble e kthyen Vlorën dhe rrethinat e saj në një skenë gjigante, natyrale, ku ritmet e valleve e ngjyrat e larmishme potente të kostumeve të mrekullueshëm përndritën jo vetëm skenën zyrtare të festivalit, por edhe rrugët, trotuaret, sheshet e mjediset e tjera të qytetit mikpritës, duke i dhuruar një spektakël madhështor folklorik me këngë e valle tradicionale nga popuj të Ballkanit dhe Europës.

Sipas organizatorëve edicioni i këtij viti e çoi në 105 numërin e përgjithshëm të ansambleve e grupeve folklorikë të ngjitur në skenën e këtij festivali në këto katërmbëdhjetë vite, duke sjellë në qytetin e Vlorës plot 3850 artistë nga 28 vende të Ballkanit, Europës e Azisë.

Ky edicion pati një program shumë të larmishëm dhe plot risi, i cili nxiti shpirtin e garës mes pjesëmarrësve, çka vihej re jo vetëm tek tematika e këngëve dhe valleve, por edhe tek interpretimi dhe demonstrimi i koreografisë dhe kostumografisë si pjesë e kulturës popullore të vendeve pjesëmarrëse dhe që peshonte dukshëm në vlerësimin e Komitetin Organizator.

Në këtë edicion pati një performancë të shkëlqyer gjithëpërfshirëse, pasi si në një paradë të prezantimit të kostumeve ansamblet pjesmarrëse për herë të parë performuan para koncertit, duke e kthyer pedonalen e qytetit të Vlorës në një pasarelë si një ylber shumëngjyrësh deri në Bulevardin "Ismail Qemali" të qytetit.

Mes ovacionesh e duartrokitjesh siparin e këtij festivali e hapën të zotët e shtëpisë me një këngë elegjiake si homazh për poetin dhe regjisorin Petrit Ruka, i cili prej nisjes së këtij festivali ka qenë anëtar i bordit të Qendrës Kulturore "Aulona" dhe regjisor i përvitshëm i festivalit. Pikërisht ky festival i dha nderin, vlerësimin dhe respektin e merituar këtij njeriu me kontribut të jashtëzakonshëm për këtë qytet.

Festivali gjithashtu nderoi edhe burrin e shquar të kombit Hasan Prishtina, i cili para pak kohësh me rastin e 110 vjetorit të shpalljes së Pavarësisë "erdhi" në Vlorë i derdhur në bronx në një shtatore dinjitoze për figurën dhe veprën e tij për t'u përjetësuar krah Plakut të urtë Ismail Bej Vlora.

Në këtë edicion morën pjesë edhe shumë grupe folklorike nga viset shqiptare dhe nga Vlora, për të konkuruar, përshëndetur dhe uruar mirëseardhjen performuan Ansamblet "Krahu i Shqiponjës Taip Madani" e "P & E", si dhe grupet polifonike "Krojet e Velçës" dhe "Bilbili".

Gjirokastra u përfaqësua nga Ansambli "Lunxhëria", Saranda nga grupi i valleve "Rodhon to Amarandon", Kosova u përfaqsua nga Ansambli "Isa Boletini" e "Anamorava", Mali i Zi u përfaqësua me Ansamblin "Trojet Tona", kurse shqiptarët me banim në Zvicër, të cilët kishin udhëtuar rreth 2000 km u përfaqësuan nga grupi popullor "Hareja".

Nga grupet e interfolkut Rumania u përfaqësua me Ansamblin "Crisana", Bullgaria u përfaqësua me Ansamblin "Zdravets", kurse Moldavia u përfaqësua më Ansamblin "Izvorasul".

Për performancat e të gjitha grupeve pjesëmarrëse gjuha nuk ishte aspak një barrier, pasi popujt i transmetojnë mesazhet përmes një pasurie të pashterrëshme që janë folklori dhe trashëgimia etnokulturore. Performancat e grupit nga Moldavia dukej sikur tingëllonin shqip.

Një përgatitje e jashtëzakonshme e cila ngjalli edhe mjaft emocione tek të pranishmit ishte performanca e realizuar nga një grup qytetarësh amerikanë të ardhur në Vlorë për pushime, të cilët me ambicjen e tyre në një kohë rekord mësuan të interpretojnë me shumë krenari vallen shqipe. Nën drejtimin e koreografit të AKKVP, Genc Kastrati, ata performuan në skenë duke përshëndetur festivalin, veshur me kostume popullore nga kostumografia "Tradita Popullore - Edlira" e Edlira Sulaj, duke fituar kështu një dashamirsi të jashtëzakonshme nga publiku, çka u reflektua në duartrokitjet e gjata.

Përgjatë gjithë atyre ditëve pjesëmarrësit e festivalit patën fatin të njihen me qytetin e Vlorës dhe resurset kulturore e historike të tij. Kështu ata vizituan mjaft vende historike e arkeologjike. Organizatorët u mundësuan atyre edhe një udhëtim ekstra për të vizituar Manastirin në Ishullin e Zvërnecit, si dhe të njihen me plazhet e mrekullueshme të Radhimës ku Resorti "Bojo" për një ditë u vendos i tëri në dispozicion të pjesëmarrësve.

Pasi përformuan për dy netë rradhazi erdhën në natën finale të festivalit dhe u ngjitën në skenë të gjitha grupet pjesëmarrëse, ku me pjesët e tyre më të zgjedhura sollën për qytetarët e Vlorës një spektakël të jashtëzakonshëm folklori, duke mbyllur kështu me shumë sukses edicionin XIV të "Aulona Inter Folk Festival", 2022.

Për arritjen e këtij suksesi meritë të veçantë ka edhe moderatorja tashmë e njohur brenda dhe jashtë Shqipërisë Silvana Braçe, e cila me buzëqeshjen magjike dhe profesionalizmin e saj u bë një urë lidhëse mes gjithë artistëve pjesëmarrës dhe publikut të mrekullueshëm.

Kupën e edicionit të XIV të festivalit e fitoi Ansambli "Izvorasul" nga qyteti Cahul, Moldavi, të cilën, pas një përshëndetje zyrtare për festivalin si zot shtëpie, ua dorëzoi kryetari i Bashkisë së Vlorës z. Dritan Leli.

Gjithashtu një tjetër vlerësim i merituar dhe i gjetur si kohë e si vend u bë nga kryetari i Bashkisë së qytetit të Vlorës, pikërisht në skenën e "Aulona Folk Festival" për drejtorin e këtij festivali z.Sejmen Gjokoli, i cili u vlerësua me "Mirënjohje" për kontributet në fushën e trashëgimisë shpirtërore tashmë të shtrira në disa dekada, për punën më Folk Grup "Bilbili" që po i mbush 30 vjet, por Aulona Folk Festival është ai eveniment që ka ngjallur dhe ngjall të tjera emocione.

Sejmen Gjokoli me kontributin e tij, si dhe bashkëpunimin me specialistë e dashamirës të kulturës, i kanë instaluar qytetit një institucion trashëgimie më vete, një portë komunikuese shpirtërore me këngë e valle e vlera etnografike të kombeve të tjera ballkanike, europiane dhe botërore.

Në fund për të gjitha grupet pjesmarrëse u ndanë diploma dhe dhurata me emblemën e festivalit.

Një vlerësim përcjelli edhe unë si gazetar për kolegët e Radio Televizionit Shqiptar regjisorin Llesh Nikolla dhe operatorët Shkelzen Sinani e Gjergj Reveli, të cilët bënë një punë të palodhur për të pasqyruar këtë spektakël në ekranin e vogël në çdo shtëpi shqiptare.

Me një falenderim dhe vlerësim do ta mbyll këtë shkrim me fjalët më të mira për gazetën "Bota Sot" që gjithmonë me dashamirësi krijon hapsira për të pasqyruar aktivitete të tilla që janë krenari për artin e kulturën shqiptare.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat