Shpallja e pavarësisë, vepër mbarëkombëtare e jo krahinore dhe individuale!

Opinione

Shpallja e pavarësisë, vepër mbarëkombëtare e jo krahinore dhe individuale!

Nga: Xhevat Mustafa Më: 28 nëntor 2022 Në ora: 08:49
Xhevat Mustafa

1-Është për të ardhur keq që edhe pas 110 vjetësh pavarësi dhe shtet, edhe në mes të jo pak historianëve, vazhdon një tendencë jo shkencore, jo objektive apo shqip e troç fare, e padrejtë. Fjala është për lokalizimin krahinor dhe individualizimin personal të kontributit për arritjen deri më DITËN HISTORIKE të 28 NËNTORIT 1912. Është fakt historik i pakundërshtueshëm se lirisë dhe pavarësisë ua hapën rrugën dhe ua mundësuan FITOREN kryengritjet masive antiosmane, sidomos në Kosovë dhe në krahinat e Shqipërisë së Veriut, dhe asaj veri-lindore, në harkun kohor të viteve 1908-1912. Në Kosovë dhe Kelmend në këtë periudhë kanë pasur jehonë përtej shqiptare e kanë hyrë në histori kryengritjet dhe betejat e drejtuara nga Isa Boletini, Idriz Seferi, Ded Gjo Luli, Bajram Curri... e me mentor, këshilltar e përfaqësues diplomatik atdhetarin Hasan Prishtina. Në historikun e këtyre kryengritjeve kanë zënë një vend të veçantë betejat në Grykat e Kaçanikut dhe të Ceralevës, më 30 prill 1910 e në ditët e para të majit 1910... Fillimi i vitit 1912 shënon një fazë të re në historinë shqiptare, për arësye se patriotët shqiptarë më të shquar e më aktivë vendosën të përgatitnin një kryengritje mbarëshqiptare, për t’i dhënë një herë e mirë fund pushtimit rreth 450 vjeçar turko-osman. Në mbledhjen e mbajtur në Stamboll, Ismail Qemaili u ngarkua që të sigurojë armë dhe mbështetje diplomatiko-politike e financiare nga shtetet evropiane, ndërsa Hasan Prishtina mori detyrë që të shkojë në Kosovë ta organizojë luftën në terren. Kryengritja filloi në prill të vitit 1912 në Malësinë e Gjakovës, më vonë ajo u zgjerua edhe në Pejë, Lumë, Mirditë, e tjerë. Më 21 mars të vitit 1912 në fshatin Junik afër Gjakovës u mbajt një tubim, në të cilën u vendos të fillohet kryengritja e përgjithshme. Tubimi i Junikut me programin e vet pati ndikim të drejtpërdrejtë në përhapjen e kryengritjes edhe në viset tjera. Në korrik kryengritja u zgjerua në territoret nga Mitrovica deri në Çamëri. Pas rindërtimit të pushtetit në Stamboll, qeveria e re osmane u ofroi negociata kryengritësve shqiptarë, të cilët i përfaqësonte Hasan Prishtina, që në të vërtetë e kishte mbështetjen e plotë të shqiptarëve. Me që pushteti osman nuk iu përgjigj kërkesave shqiptare, kryengritësit çliruan me forca ushtarake tërë Vilajetin e Kosovës, ndërsa në jug u çliruan Erseka, Leskoviku,  Permeti, Fieri...                                                                                                                                                                                                                                                                    Në Jugun e Shqipërisë u krijuan dhe luftuan çeta e Çerçiz e Bajo Topullit dhe Mihal Gramenos, kryesisht në krahinën e Gjirokastrës; çeta e Sali Butkës Fehim Zavalanit, Qamil Panaritit në krahinën e Kolonjës; çeta e Themistokli Germenjit, Spiro Bellkamenit... në krahinën e Korçës; çeta e Kajo Babienit dhe Ismail Derdushës në krahinën e Gorës e të Pogradecit... Mund të theksohet se më 23 korrik 1912 drejtuesit kryesorë të çetave të Jugut u mblodhën në një takim, që ka hyrë në histori me emërtimin Kuvendi i Sinjës, në sanxhakun e Beratit, me shtrirje deri në fshatrat lindorë të Fierit.  Në periudhën të cilës i referohemi, pra 1909-1912, mungojnë të dhënat faktike dhe historike të ishte krijuar dhe të vepronte ndonjë  çetë në Vlorë e krahinat e saj si dhe në Myzeqe e në Shqipërinë e Mesme... Mund të thuhet se këtë boshllëk të Vlorës e mbushi pjesërisht me veprimtari diplomatike në muajt e parë të vitit 1912 Ismail Qemali. Ai, për Shqipërinë e Jugut dhe Hasan Prishtina për Shqipërinë e Veriut, përfshirë Kosovën, në muajt e fundit 1911 e në muajt e parë të vitit 1912, të ngarkuar dhe financuar nga Klubet Patriotike në Bukuresht, Sofie, Vienë, Kajro, SHBA..., zhvilluan veprimtari intensive diplomatike me autoritete xhonturke si dhe të disa vendeve të interesuar për zhvillimet në Shqipëri, si Italia, Austro-Hungaria, Rumania, Greqia... Pra, shprehet qartë se cilët ishin gjeografikisht dhe me çeta kontribuesit më kryesorë, më  aktivë e konkretë për të sjellë në trojet mbarë shqiptare ditën e madhe të 28 Nëntorit 1912. Mesazhi apo konkluzioni është shumë i qartë në SHQIP dhe të gjitha gjuhët kryesore të botës: Çlirimi nga pushtimi rreth 4 shekullor e gjysmë turko-osman, PAVARËSIA e Shqipërisë janë vepër historike e luftërave, sakrificave, martirëve, gjakut...të gjithë Kombit Shqiptar.

2-Pra, krahas figurave me merita të mëdha e të padiskutueshme si Ismail Qemali, Isa Boletini, Hasan Prishtina, Luigj Gurakuqi...nuk duhen harruar edhe BURRAT nga klubet patriotike shqiptare në Ballkan e përtej tij, që ua ngarkuan atë MISION dhe i financuan bujarisht me flori për ta përmbushur! Natyrisht,  pa i caktuar Ismail Qemalit si qytet detyrimisht vetëm Vlorën e tij dhe pa e porositur që të mos e priste as edhe një ditë Isa Boletinin me luftëtarët e tij nga Kosova, që, siç u shpreh dhe kuptua nga faktet e lartpërmendura, me kryengritjet antiturke më 1909- 1912 i hapën rrugën lirisë dhe shpalljes së Pavarësisë!!! Edhe këta BURRA meritojnë monumente, buste dhe nderime në forma të tjera, jo vetëm në vendlindjet e tyre, por edhe në mes të Vlorës, Tiranës, Prishtinës...!  Sipas këtij vizioni, analizimi dhe interpretimi, mbështetur në një fond të pasur faktesh e të vërtetash, përfshirë edhe dokumentet se pavarësia është shpallur më parë në Tiranë, nga disa atdhetarë vendas më 26 nëntor e në Durrës më 27 nëntor 1912, dalin logjikisht të pasakta, të padrejta, shprehje subjektivizmi, lokalizmi dhe krahinarizmi, thëniet e shpeshta edhe në media, “Vlora-djepi i Pavarësisë“,  Ismail Qemali-babai i Pavarësisë”, "babai i Kombit", "themeluesi i Shtetit Shqiptar", kur dihet se firmëtarët e Deklaratës së Pavarësisë ishin 40 vetë...! Gjykoj se historianët do t’i ndihmonte shumë për të arritur tek e vërteta e plotë edhe deklarata e publiçistit dhe ish ambasadorit të mirënjohur Shaban Murati, të cilës i është referuar edhe historiani i shquar, Prof.Dr. Eqerem Zenelaj në librin e tij “Diplomacia e Ismail Kemal Bej Vlorës”, Prishtinë, 2013, f.325. Sipas të dyve “Deklarata e Shpalljes së Pavarësisë në Durrës në 26 Nëntor 1912 mban firmat e Ismail Qemalit dhe të djalit të tij Musa Qemalit, të përfaqësuesve të parisë së Durrësit dhe të përfaqësuesve të tre konfesioneve fetare”. Po më 26 nëntor, në Elbasan është bërë shpallja e Pavarësisë nga Aqif Pashë Elbasani dhe atdhetarë të tjerë elbasanas...                       Prej dekadash është  lakuriqësuar e kuptuar se Enver Hoxha dhe historiografia e tij, sidomos gjatë festimeve pompoze në Vlorë të 50 vjetorit të Shpalljes së Pavarësisë e më pas, në vijim, në përvjetorë të tjerë, mbivlerësuan apo mitizuan rolin dhe kontributin  e Ismail Qemalit( ndërsa shumicën e familjarëve të tij i kishin persekutuar) e të Vlorës si dhe fshehën meritat e qyteteve të tjerë, sidomos të Shqipërisë së Mesme e të Veriut. Kjo u bë me qëllimin e mbrapshtë apo tinëzar të futjes në borxhe ndaj tij të Vlorës, të majtizimit apo komunistifikimit të saj, deri në fanatizëm dhe "harresë" të interesave dhe kërkesave njerëzore, familjare, qytetare, sociale, mbarëvendore...Gjithashtu, edhe për t'i bërë plot vlonjatë edhe më shumë gropë gjokset prej goditjeve vetëmburrëse, tek disa edhe me doza euforie dehese, për trimëri, patriotizëm, merita historike...E fryrë nga propaganda enveriano- edramjane, Vlora, si "kryeqyteti" i ish Zonës së Parë Operative të LANÇL, u bë dhe vazhdon të jetë për 78 vjet bastion i PKSH- PPSH- PSSH- së! Njëherazi, edhe mbështetëse e "së majtës" në të gjitha zgjedhjet allashqiptare për "fitorjet" e saj e për ta mbajtur Shqipërinë sa më gjatë "robinjë" të saj...!!!???Paradoksi, demagogjia, pasinqeriteti, ligësia, mosmirënjohja... zhvishen lakuriq, kur dihet se në këta 78 vjet edhe shumica e vlonjatëve, në qytet e fshatra, kanë jetuar e jetojnë  njësoj si shumica e shqiptarëve. Domethënë, me po ato nivele pagash, pensionesh, mbështetjeje sociale apo kushtesh strehimi, punësimi, arsimimi, shërbimi shendetsor, mirëqenieje...!!!???

3-Shqetësimi i tretë, që nuk na lejon apo mundëson të ndjejmë me zemra plotësisht FESTË është se jemi si vend e si popull po aty ku kemi qenë më 28 nëntor 1912! Domethënë, të fundit në Europë për nivelet e zhvillimit, pagave, pensioneve, mbështetjes sociale, mirëqenies, demokratizimit, shtetit ligjor funksional...!!! Zyrtarisht, më 28 dhe 29 nëntor kemi dy festa, por shumica ose saktësisht rreth 1/3 e popullit në qytete dhe fshatra nuk i ndjejnë dhe përjetojnë me zemra e në tavolina!  Shkaqet, shkaktarët, përgjegjësit, fajtorët..., shumica jo pa dashje e nga “verbëria”, mund të kërkohen dhe gjenden tek partia që ka "mbretëruar" juridikisht në Shqipërinë e pas pavarësisë 65 vjet, por de facto 78 vjet, sepse edhe gjatë 13 viteve të qeverisjes nga PD, qysh para 22 marsit 1992,  kishte rrëmbyer pushtetin ekonomik!!! Mallkime e përbuzje dhe mbulim me kritika, akuza, turpe...për ata që e kanë lënë këtë vend të bekuar nga PERENDIA, me pasuri apo resurse shumë të mëdha nën e mbitokësore, me rreth 270 ditë me diell, me dy detra e plot liqene e lumenj, në këtë gjendje mjerane, me emigracion masiv e të pandalshëm të moshave të reja drejt vendeve të Perendimit! Edhe më SHQIP e më fort, sa të dëgjohet deri në majë të Korabit e të Tomorrit: Shqipëria e sotme, në këtë gjendje dhe në vendin e fundit në klasifikimet evropiane, është më së tepërmi jo nga padituria apo paaftësia e ekipeve partiake, politike dhe qeverisëse, por më shumë nga ligësia, korrupsioni i pafre, papërgjegjshmëria, pashpirtësia, mercenarizmi, antishqiptarizmi i plot prej tyre...!

Në mbyllje, duke dëshiruar dhe besuar të mos jem keqkuptuar për krahinarizëm me këtë  opinion, i uroj të gjithë SHQIPTARËT: GËZUAR 28 NËNTORIN, DITËN E PAVARËSISË, TË FLAMURIT E TË KOMBIT SHQIPTAR!  JUBILEUN E ARDHSHËM E FESTOFSHIM TË BASHKUAR!

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat