Në vazhdën e shqetësimeve të intelektualit të njohur nacionalist Skënder Kapiti

Opinione

Në vazhdën e shqetësimeve të intelektualit të njohur nacionalist Skënder Kapiti

Nga: Eshref Ymeri Më: 1 dhjetor 2022 Në ora: 09:31
Eshref Ymeri

Me intelektualin mjaft të respektuar Skënder Kapiti nuk e kam pasur rastin të takohem dhe të bisedoj shtruar me të. Me këtë intelektual të nderuar nga Dardania jam njohur përmes faqeve të internetit, ku ai, shumë shpesh, ka botuar dhe vazhdon të botojë analiza mjaft tërheqëse me interes të veçantë mbarëkombëtar.

Ky intelektual është nga të rrallët që del para masës së gjerë të lexuesve me fjalën e analistit mendjehollë, të historianit erudit, të shkrimtarit mbresëlënës, të juristit gjakftohtë, të opinionistit të paanshëm, të politologut largpamës dhe të studiuesit objektiv.

Por ajo që e bën edhe shumë më të nderuar dhe të respektuar personalitetin e tij, është edukata e shkëlqyer e një intelektuali të formatit nacionalist.

Pikërisht tipare të tlla duhet ta karakterizojnë këdo që i përket shtresës së njerëzve, të edukuar dhe të formuar nëpër auditoret universitare, sepse individualitete të tilla përbëjnë ajkën e kombit, armatën e elitës me kulturë intelektuale. Roli i kësaj armate është i jashtëzakonshëm në jetën e çdo vendi. Një gjë e tillë është shumë e rëndësishme për vendin tonë, ku diktatura komuniste, pati ushtruar një dhunë kaq të egër, saqë, krahas mjerimit ekonomik që solli, pati dëmtuar rëndë botën shpirtërore të mbarë popullit.

Gjatë këtyre më shumë se tridhjetë vjetëve, analisti Skënder Kapiti, sidomos në faqet e internetit, ka shtruar vahdimisht probleme mjaft të mprehta, që përbëjnë shqetësim për mbarë kombin shqiptar. Ai ka luajtur rolin e vet, si një emancipues i vërtetë i asaj shtrese të shoqërisë sonë, inteligjencies, e cila duhet të jetë në pararojë të mbrojtjes së interesave të mbarë popullit. Por, fatkeqësisht, ai nuk ka gjetur përkrahjen e saj, paçka se ajo duhet të jetë shpresa për gjallërimin e mendimit intelektual.

Para më shumë se gjashtë vjetësh, Skënder Kapiti pati botuar në internet një anketë, me të cilën i drejtohej mbarë publikut se ç’mendonte për gjendjen ku ishte katandisur vendi ynë. Pasi e përshkruante me dëshpërim të thellë atë gjendje, ai shtronte pyetjen:

“A nuk është fakt se demokracia në Shqipëri dhe në Kosovë... po administrohet nga gënjeshtra, hipokrizia, injoranca, korrupsioni, mashtrimi, miopia, paaftësia, papërgjegjshmëria, tradhëtia dhe nga shitblerja politike? Këto vese të saj a nuk janë ngritur realisht si “kulte” të mbuluara me demokracinë idealiste?”.

Atë anketë Skënderi e pati titulluar:

“A është apo nuk është kështu?!

Dhe, domosdo, priste një përgjigje, sidomos nga radhët e intelektualëve apo edhe nga njerëzit e thjeshtë. Por, çuditërisht, nuk pati marrë asnjë përgjigje.

Duke soditur indiferentizmin paradoksal ndaj kësaj pyetjeje, jo vetëm nga radhët e inteligjencies, por edhe të publikut të gjerë, ai vëren me keqardhje:

“Por në qoftë se publiku nuk reagon fort kundër këtij realiteti dhe nuk ndëshkon shkaktarët politikë të tij, dhe nëse publiku nuk vepron për ta ndryshuar realitetin për në të mirë dhe në favor të tij, atëhere ky realitet i vjen atij si meritë”.

Populli ynë, gjatë një periudhe gati gjysmëshekullore, provoi mbi kurriz diktaturën më të egër komuniste, një diktaturë që nuk ishte parë ndonjëherë në historinë e tij shumëshekullore. Dhe krerët e asaj diktature të egër, me në krye diktatorin-kriminel Enver Hoxha, për ta përjetësuar sundimin e vet, organizuan përçarjen e popullit, nëpërmjet luftës së përbindshme të klasave, me të cilën shqiptarët i hodhën kundër shqiptarëve.

“Diktaturë, - thekson Luis Fisher (Louis Ficher -1896-1970), gazetar dhe publicist i njohur amerikan, - do të thotë shtet pa ligje dhe, për pasojë, pa kurrfarë rregulli dhe organizimi. Si ligje shërbejnë vetëm tekat e diktatorit. Shtet është vetë diktatori dhe banda rreth tij”.

Në kushtet e asaj diktature, kryediktatori Enver Hoxha ishte i vetmi person me imunitet të paprekshëm në vendin tonë, gjithë të tjerët, duke filluar nga njerëzit e rrethit të tij të ngushtë dhe deri te qytetari më i thjeshtë, trajtoheshin si materiale inerte.

Në anketën e vet, Skënder Kapiti trajton me mjaft profesionalizëm temën e komunizmit dhe të demokracisë.

Ai nënvizon me forcë se komunizmi ishte thjesht një mashtrim i kulluar, ishte me të vërtetë një opium mendjetrallisës, për t’i vënë në gjumë masat e gjera të popullit, me premtimin se “do të hanin me lugë floriri”. Ai ndalet posaçërisht te diktatura e proletariatit, të cilën diktatura komuniste e propagandonte me aq zell të papërmbajtur, ndërkohë që i ashtuquajturi proletariat s’kishte të bënte fare me realitetin konkret, sepse ajo diktaturë që i vishej atij, ishte thjesht diktaturë e partisë, e ushtruar me aq egërsi në mbarë vendin.

Skënder Kapiti, si një intelektual me ndërgjegje të lartë kombëtare, i çjerr maskën diktaturës së partisë, e cila, me shumë marifet, tallej me mbarë popullin me parullën “pushteti buron nga populli dhe i takon popullit”.

Duke pasur parasysh sa më sipër, ai nxjerr një përfundim mjaft domethënës: demokracia nuk mund të lindte pas grahmave të komunizmit. Domosdo, sepse në strofullën, ku ka ngordhur përbindshi, është e pamundur të lindë engjlli, sepse përbindshi ka lënë pas pjellat e veta.

Dhe kur pati lindur përbindshi-komunizëm? Skënder Kapiti, si një studiues-erudit, kthehet dy shekuj më pas dhe nënvizon se ai pati lindur si rezultat i krizës ekonomike që pati pllakosur Perëndimin evropian. Pra, pikërisht atëherë, kur ishin të detyruar të punonin edhe fëmijët pesë vjeç për të mos vdekur nga uria.

Nga analizat e anketës së Skënder Kapitit, vetvetiu del përfundimi se komunizmi, me diktaturën e egër që ushtron ndaj popullit “të vet”, me kalimin e kohës. vjen e merr plotësisht tiparet e fashizmit.

Ky përfundim mjaft i gjetur i këtij intelektuali me brumosje nacionaliste, më solli në kujtesë shkrimtaren e talentuar angleze Myriel Spark (1918-2006), e cila ka thënë:

“Mjafton që komunisti të vrenjtë vetullat që të shndërrohet në fashist, mjafton që fashisti të buzëqeshë që të shndërrohet në komunist”.

Faktet mjaft bindëse që Skënder Kapiti sjell në anketë-analizën e vet për dështimin e demokracisë në vendin tonë, lexuesin e vëmendshëm e nxisin të shtrojë pyetjen:

Në vendin tonë, për ç’arsye u vendos sistemi komunist?

Për t’iu përgjigjur kësaj pyetjeje, duhet t’i drejtohemi Marksit. Në teorinë e tij për revolucionin proletar, ai pati theksuar se fitores së tij duhej t’i paraprinte faza e kapitalizmit me zhvillim të lartë ekonomik. Prandaj përkrahësit e tij në Perëndimin evropian e prisnin fitoren e atij revolucioni në vendet më të industrializuara, siç ishin Anglia, Franca dhe Gjermania. Po si shpjegohet që ai revolucion nuk fitoi dot kurrë në ato vende? Përgjigjja është fare e thjeshtë:

Në themel të teorisë së Marksit qëndronin idetë e parashtruara në Manifestin Komunist, të hartuar prej tij dhe prej Engelsit dhe të botuar në vitin 1848, ide që rezultuan utopiste për Perëndimin evropian. Ai Manifest shërbeu si “Bibla” e komunizmit, të cilin qarqet industrialiste dhe intelektuale të Perëndimit evropian nuk mund ta pranonin kurrësesi për ta zbatuar. Por pas Marksit dhe Engelsit, në skenën e historisë doli Lenini, i cili,“duke e zhvilluar më tej” idenë e Marksit, shpiku teorinë e fitores së revolucionit socialist në një vend të vetëm, si hallka më e dobët e rendit kapitalist. Sigurisht, teoria e Leninit për një fitore të tillë, përmes lumenjve të gjakut, do të gjente truall për t’u zbatuar në Rusinë e prapambetur, me një popullsi 90% fshatare. Në një vend me një prapambetje të theksuar ekonomike dhe me një pushtet komunist, i cili kishte buruar nga gryka e pushkës, idetë e Leninit, me hir e me pahir, do të arrinin të viheshin në jetë. Por në vendet e tjera të Lindjes evropiane idetë e tij për vendosjen e një rendi socialist, u diktuan me dhunë nga ana e Bashkimit Sovjetik pas fitores mbi nazizmin gjerman.

Ndërkohë, idetë komuniste, gjatë viteve të luftës, në vendin tonë, me një popullsi 90% analfabete, i eksportoi shovinizmi serbosllav, i cili, për zbatimin e tyre me dhunë, pati peshkuar me kohë një njeri pa shtyllë kurrizore dhe pa kurrfarë morali, siç ishte Enver Hoxha, i cili, në bashkëpunim të ngushtë me bandën e tij kriminale në shportën e karavidheve të Bllokut, vendosi një diktaturë komuniste të përbindshme, e cila, në vitet ’80, solli si pasojë një të tillë varfërim skandaloz të popullit, i cili po rrezikohej nga degjenerimi gjenetik për shkak të mungesës së ushqimit. Dhe, siç thekson intelektuali i kultivuar nacionalist Skënder Kapiti, nga gjiri i atij komunizmi të degjeneruar deri në palcë, nuk mund të lindte demokracia. Nga gjiri i tij mund të lindte, ashtu edhe siç lindi në të vërtetë, vetëm demoshëmtia, kopja e komunizmit, por me një tjetër mbulojë maskuese, të ashtuquajturin pluralizëm. Prandaj Skënder Kapiti shpërthen:

“Si komunizmi, ashtu dhe demokracia praktike në Shqipëri, janë dy mashtrimet më të mëdha për shqiptarët. Të dyja këto kanë në themel të tyre mashtrimin politik e publik”.

Të njëjtën gjë shpreh edhe poeti mendjehollë Qazim D. Shehu në katër vargjet e mëposhtme me domethënie të thellë për demoshëmtinë neokomuniste:

Historia jonë ndreqet,

Sa herë vjen më i forti,

E njëjta xhaketë mbeti,

U kthye vetëm stofi.

Nënkuptohet që komunizmi njëpartiak, pas largimit nga skena e historisë në vendin tonë, do të sillte në pushtet demoshëmtinë shumëpartiake, e cila, duke nxjerrë në skenë të tilla shëmtira politike, bëri që, siç shprehet me dëshpërim të thellë Skënder Kapiti, të “qeverisemi nga injorantët, të korruptuarit, të pabesët, hajdutët dhe nga ata me rekorde krimi”.

Në vijim të anketës, duke i shprehur troç shqetësimet e veta, Skënder Kapiti, në Shqipen tonë Hyjnore ka futur një term bukur të goditur - “Republika e Antishtetit”. Ai nuk e përmban dot tronditjen e vet pas zhgënjimit të thellë që përjeton nga realiteti i demoshëmtisë që është ulur këmbëkryq në shumicën dërrmuese të vatrave shqiptare. Dhe brenga e tij është ulëritëse:

“Demokracia” e paskomunizmit në Shqipëri a nuk ngriti diçka si një Republikë të Antishtetit, a nuk ligjësoi ajo faktikisht të drejtën e krimit, korrupsionit, të autoritarizmave poliparti, të tradhtisë publike, të mashtrimeve, të injorancës e të halabakërisë, të antiligjit dhe të hajdutërisë politike për të rrëmbyer autoritetin, prestigjin, qeverisjen dhe pushtetin e shtetit dhe të shoqërisë?”.

Po ç’është, në thelb, Antishteti?

Antishteti është ky që po shijojnë shqiptarët, sidomos këto nëntë vjetët e fundit që po qeverisen nga diktatura neokomuniste me Ramën në krye. Ky lloj Antishteti është një fenomen i botës shqiptare, është rezultat i degjenerimit të rendit demokratik, kur populli ka larë duart nga pushteti dhe është shndërruar në një turmë të verbër, thjesht në një delemilet, i sunduar egërsisht nga oligarkia financiare rreth Ramës dhe bandës së tij. Antishteti, si ky që ka instaluar Rama në vendin tonë, është gjithmonë një rend i gënjeshtërt dhe hipokrit, i bazuar në korrupsionin e përmasave skandaloze të atyre që duhej të kishin për detyrë ta mbronin popullin, të ishin garda e respektimit të interesave të tij, kurse ata e kanë shndërruar popullin në një mall hesapi, në një burim për pasurimin e vetvetes.

Antishteti, si një institucion hipokrit, gjithmonë përsërit të njëjtat gjëra, sikur gjoja punon për të mirën e popullit, por, në të vërtetë, bën krejtësisht të kundërtën. Njëra nga mënyrat e tij të parapëlqyera për mashtrimin e popullit është shtyrja gjithmonë në të ardhmen e rezultateve të premtimeve dhe të planeve të veta. Kjo e ardhme e lumtur, të cilën Antishteti e premton dhe e propagandon me të madhe, nuk ka për të ardhur kurrë. Dhe cili ëhtë rezultati i premtimeve mashtruese të Ramës, si arkitekti i Rilind(Rivdek)jes socialiste? Braktisja e vendit, shpopullimi i tij në përmasa tmerruese që e ka kaluar shifrën 25% të popullsisë.

“Në ato vende demokratike, - thotë Aristoteli, - ku rëndësi vendimtare ka ligji, atje nuk ka vend për demagogët, atje në vend të parë qëndrojnë njerëzit më të mirë, por atje ku pushteti suprem nuk i ka themelet të mbështetura në ligje, atëherë atje dalin në skenë demagogët. Njeriu që ka arritur përsosmërinë e plotë, qëndron më lart se të gjitha gjallesat, por ama ai zbret poshtë tyre, nëse e kalon jetën pa ligje dhe pa drejtësi. Vërtet, nuk ka asgjë më të përbindshme sesa një padrejtësi e armatosur”.

Duke zbuluar mjeshtërisht thelbin e Antishtetit neokomunist, intelektuali nacionalist Skënder Kapiti thekson me dëshpërim të thellë se në vendin tonë drejtësia është varrosur përfundimisht. Nuk mund të ndodhte ndryshe, përderisa komunizmi dhe pjella e tij, demoshëmtia, përbëjnë epopenë e një mashtrimi të papërfytyrueshëm. Rama dhe banda e tij neokomuniste, këtu e gati shtatë vjet të shkuara, filluan t’u binin dhe vazhdojnë t’u bien kambanave në të gjitha udhëkryeqet e vendit se gjoja do të ndodhte mrekullia - do të kryhej “Reforma në drejtësi”. Propaganda e tyre për kryerjen e saj u bë aq e ndezur, saqë qytetarët e vendit tonë i bëri të sillnin në kujtesë legjendën biblike qëlidhet me parashikimet për rikthimin e Jezu Krishtit në tokë para se botës t’i vijë fundi. Tani, pas shtatë vjetësh, kushdo që ka, qoftë edhe sadopak vetëdije kombëtare, është bindur plotësisht se me “Reformën në drejtësi” u mbars mali dhe polli një mi. Kaq i madh është zhgënjimi i thellë nga ajo lumëzezë reformë, saqë edhe dikush nga radhët e intelektualëve me zë, si, fjala vjen, avokati Spartak Ngjela, i cili, me parashikimet që pati bërë orë e çast, e pati ngritur në qiell SPAK-un, “kryebombarduesin” kryesor për zbatimin e “Reformës në drejtësi”, e ka humbur përfundimisht shpresën te “magjia çudibërëse” e kësaj strukture me shkronja të mëdha. Nuk e di se ç’ka menduar avokat Ngjela, nëse i ka qëlluar ta lexojë analizën time, me tiktull “Reforma në drejtësi: do të mbarset mali dhe do të pjellë një mi”, të botuar në disa faqe interneti më 28 janar 2016.

Analisti i talentuar Skënder Kapiti, i edukuar që në familje me një vetëdije të lartë kombëtare, i ka bërë “rezonancën magnetike” krejt periudhës pas vitit 1990,gjatë së cilës Shqipëria është zvarritur dhe vazhdon të zvarritet e zalisur, pa mundur të ngrihet dot kurrë në këmbë, për të marrë pamjen e një vendi normal, në të cilin të kishte hapësirë funksionimi i një shteti juridik, ku të gjithë të ishin të barabartë para ligjit. Por, sipas të gjitha gjasave, një gjë e tillë do të jetë e pamundur, sepse, siç thekson Skënder Kapiti, “populli ynë... që nuk i ndëshkon ashpër mëkatet e politikës demagogjike dhe të mashtrimit,.. ka bërë të mundur kështu vetëm dënimin e vetvetes...”.

Pra, kur populli hesht para fakteve që Skënder Kapiti parashtron në analizat e veta për gjendjen e mjeruar ekonomike, korrupsionin e përmasave të frikshme, mungesën e shtetit ligjor, dhe, për pasojë, vjedhjen e votave, atëherë kjo do të thotë se ai është pajtuar me varfërinë dhe padrejtësinë, të cilat, në të vërtetë, janë “pranga” në duart e tij, janë gjenocid ekonomik. Kjo heshje revoltuese e popullit tonë para gjëmës që i ka shkaktuar banda politike e Ramës gjatë këtyre nëntë vjetëve, të bën të shtrosh pyetjen: mos vallë është e nevojshme të studiohet psikologjia e proceseve të shpirtit të vetë popullit?

Psikologu dhe filozofi i njohur zviceran Karl Gustav Jung (1875-1961), thekson se shtrati kryesor i të gjitha shkencave është shpirti, prandaj shkenca e shpirtit, nënvizon ai, duhet të jetë në gjendje të përshkruajë dhe të shpjegojë parakushtet psikologjike të individit.

Ky qëndrim soditës i popullit tonë ndaj gjëmave të rënda që i bën klasa politike neokomuniste antikombëtare, më kujton natyrën e nënshtruar të popullit rus, për të cilin shkrimtari rus Ivan Shmelov (1873-1950), në librin me titull“Dielli i të vdekurve”, të botuar në Paris në vitin 1923, shkruan:

“Rusët janë një popull që e urren lirinë dhe hyjnizon skllavërinë, i ka qejf prangat në duart dhe në këmbët e veta...”.

Më lart, mbështetur në argumentet e padiskutueshme të analistit Skënder Kapiti, shpreha dyshimin për mundësinë e krijimit të një shteti të formatit normal, të një shteti juridik, ku të gjithë të jenë të barabartë para ligjit. Dyshimin tim e argumentoj me faktin se “epopeja” e përmbysjes së sistemit komunist në vendin tonë, me kalimin e viteve, vërtetoi në praktikë se ajo përmbysje paskej qenë një skenar komedie, i menduar dhe i parashikuar me kohë, çka del fare qartë në fjalimin e Ramiz Alisë në byronë politike në vitin 1989, i cili pati deklaruar:

“Çdo gjë e kemi të programuar. Strategjinë e keni që të gjithë të qartë. Në përputhje me këtë strategji, kemi përcaktuar edhe rrugët për zbatimin e qëllimit dhe të misionit tonë. Nën një propagandë ekstreme kundër komunizmit dhe me disa ndëshkime të vogla, sa për sy e faqe, ndaj nomeklaturës së lartë komuniste, “ne, komunistët reformatorë”, do të zbatojmë strategjinë tonë në ekonomi, sipas së cilës kapitalistët dhe pronarët e ardhshëm në një vend socialist, të jemi Ne dhe njerëzit tanë. Me këtë strategji, brenda dy-tre legjislaturave, do të arrijmë që nga klasa komuniste të krijojmë klasën kapitaliste, e cila do të na përjetësojë në pushtetin politik të së Ardhmes, që e kemi planifikuar dhe po e përgatisim vetë.Të jeni të sigurtë që e ardhmja do të jetë e jona. Kurrë nuk do të lejojmë restaurimin e pushtetit politik të armiqve tanë.E ardhmja e fëmijëve tanë do të jetë e mrekullueshme, për këtë kemi derdhur kaq gjak dhe do të derdhim përsëri, po të jetë nevoja.Shqipërinë do ta gëzojmë ne dhe fëmijët tanë” (Citohet sipas: “Pas në kohë, fjalimi i pazakontë i Ramiz Alisë në vitin 1989”. Faqja e internetit e gazetës “Mapo”.22 korrik 2019).

Pra, siç e thekson shpeshherë Skënder Kapiti, komunizmi nuk mund të pillte demokraci. Sepse në skenën e jetës shqiptare, pas një diktature të egër gati gjysmëshekullore të kryekriminelit Enver Hoxha, demokracinë mund ta sillnin vetëm ata intelektualë, të shkolluar nëpër universitetet më të mira evropiane, që dalloheshin për vetëdije të lartë kombëtare, për brumosje nacionaliste shembullore. Por intelektualë të tillë nuk kishte më në vendin tone. Sepse ata, askushi me emrin Enver Hoxha, njeriu pa kulturë universitare, në përputhje me orientimet e serbosllavizmit, i cili këtë askush e kishte peshkuar me kohë si argat të bindur, i shfarosi që të gjithë nëpërmjet burgosjeve dhe pushkatimeve, kurse pasardhësit e tyre i bëri objekt të luftës së egër të klasave, i la të pashkolluar dhe i degdisi nëpër kampe internimi. Në këto kushte, në vendin tonë nuk mund të vendosej një demokraci me standadet e një shteti ligjor. Kjo për arsye se po të qe e mundur vendosja e një demokracie të tillë, atëherë do të duhej që, fill pas fitores së saj, të organizohej menjëherë një “Nyrenberg Shqiptar”,për të ndëshkuar rëndë kryekriminelin Enver Hoxha pas vdekjes dhe krejt bandën e tij, për të gjitha ato krime aq të përbindshme që patën kryer kundër popullit tonë. Ai “Nyrenberg Shqiptar”,do të bënte të mundur të shmangej skenari i mirëmenduar ramizian, sepse ndodhi ajo që thotë poeti Artur Shemaj në poemën e bukur me titull“Epopeja e tredhjes”:

Epoka që erdhi

Të gjithë i shfajësoi

Për fajet që bënë

Asnjeri s’pagoi.

Në tërë anketë-analizën e vet, Skënder Kapiti, si një intelektual mjaft i njohur në krejt hapësirën mbarëshqiptare për publicistikën e tij me theks të veçantë nacionalist, ka shtruar dhe përsëritur shpeshherë pyetjen:

“A është apo nuk është kështu?!”

Unë, si një qytetar i thjeshtë i vendit tim, të cilin, si çdo shqiptar me vetëdije kombëtare, e dua si jetën time, analistit shembullor Skënder Kapiti po i jap një përgjigje që e vlerësoj si të arsyeshme dhe ftoj t’i përgjigjen edhe bashkatdhetarët dhe bashkëkombasit e mi në Disporë, të cilët i quajnë me vend shqetësimet e tij:

Po, i dashur Skënder, ashtu është, siç thoni ju. Sepse shqetësimet që shpalosni në anketë-analizën tuaj, përmes mjeteve të informimit masiv, i keni bërë publike bash në kohën e duhur, kur themelet e nacionalizmit shqiptar janë plasaritur rëndë nën peshën e tradhtisë kombëtare, e cila, siç do ta dëshmojnë brezat e ardhshëm në largim e sipër nga atdheu amë, i mbetur pa kokë, pa shpatulla dhe pa këmbë mbi një shekull e ca më parë, ka gjasa që të çojë drejt shpërbërjes tërësore të kombit shqiptar.

Kaliforni, 30 Nëntor 2022

Të nderuar lexues të gazetës “Bota sot”, komentet që përmbajnë fyerje, ofendime dhe sharje nuk lejohen në portal. Andaj, komentet e juaja do të kalojnë në filtra për aprovim dhe të tillat që përmbajnë gjuhë që nuk përkon me rregullat, nuk do të aprovohen. Ju faleminderit.
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat