Nga Dibra në Dibër, përmes Trebishtit, Gjinovecit, Stebllevës, Llakaicës

Opinione

Nga Dibra në Dibër, përmes Trebishtit, Gjinovecit, Stebllevës, Llakaicës

Nga: Fitim Dika Më: 9 janar 2023 Në ora: 06:47
Dibra

Tre dibranë dashamirës të historisë, traditës, kulturës dhe normalisht maleve të Dibrës, Butrint Sela, Brezar Dibra dhe Fitim Dika, fundjavën e parë të 2023 vizituan pjesën jugore të vendlindjes së tyre ose Malet e Kuqe, që tashmë ndër popull njihen me emrin ruso-sllav Jabllanicë-Shebenik.

Pasi gjerbën espresson në kafen Retro 2, tre bjeshkatarët me arushën e maleve Jeep Grand Cherokee nisen drejt këmbimores për të këmbyer ca dollarë e denarë në lek dhe më pas drejt kufirit rajonal Xhepisht-Trebisht, ku na pritnin dy policë disi të lodhur nga vetmia përkundër ajrit të pastër që mbizotëron aty. Është kufiri i hapur në kohën e Nikola Gruevskit dhe ku mendohet se po nga kjo rrugë është larguar drejt Hungarisë.

Pas kalimit të kufirit arritëm në Trebisht ku një flamur i zbehtë shqiptar valonte afër shkollës në qendër të fshatit. Aty gjetëm një plak dhe shumë kafexhi, ku duheshim të pyesnim se, a mund të shkonim lirshëm drejt Klenjës nga Gjinoveci i braktisur. Plaku i urtë pasi pa veturën dhe gomat e saj off-road tha se mund të dilni por kini kujdes se rruga është copë-copë.

Gjinovec

Nisëm përpjetëzën me kthesa deri 150 shkallë, ku vërtet rruga ishte si mos më keq, por kjo edhe e “arsyeshme” pasi në Gjinovecin me dy kisha nuk pamë shtëpi me tym dhe asnjë banor. Nëpër varrezat e mesfshatit kishte ca kryqe dhe emrat nënkuptonin se këtu jetonin edhe minoritarë ortodoksë sllavë. Poashtu në kishë ishte shkruar diçka në alfabetin qirilic. Në dalje të fshatit pamë dy bari dhe ca dele që kullotnin, tipike e Shqipërisë, ku në çdo zgrip mali përsëri takon ndonjë person. I pyetëm për fshatin dhe si ndjeheshin, kurse përgjigjeshin, se ishin “minoritarë bullgarë”, duke i nënkuptuar se kishin marrë së fundi “pasaportën bullgare”.

Dikur kjo zonë mbahej shqiptare, pas pluralizmit anonin më shumë nga maqedonasit, kurse së fundit gati të gjithë ndjehen bullgarë.

Klenjë

Pasi kaluam fushë Klenjën ku një lum pasi lëviste i vetmuar humbiste në thellësitë e maleve, ngjashëm si lumi në Fushën e Panairit - Korab, të tre personat arritën në Stebllevën e tokave të Ataturkut.

Një lum që përfundon mes shkëmbinjve për të dalë buruar tjetër kund!

Stebllevë

Aty gjetëm një bar-kafe tipike e fshatit, ku një burrë na priti përzemërisht duke na sjellë tre kafe dhe na gostisi me hallvën steblleviane. Mikpritje e veçantë, ku pasi mori vesh se ishim nga Dibra e madhe nuk na mori paratë. Jetojmë prej shumë vitesh në kryeqendra (europiane), por rallë ose asnjëherë nuk ndodh që pronari të qerasë nikoqirin e sapo njoftuar në kafe. Vlerë e fshatit, prapambeturi e kryeqendrës.

Më pas erdhën edhe ca banorë të tjerë të fshatit dhe biseduam. Në pyetjen për kishat në Gjinovec ata thanë se aty janë gjetur ca dorëshkrime 200 vjeçare se kishat janë bullgare. E kuptuam edhe më tepër se ndikimi bullgar këtu ishte më i fuqishëm sesa i sllavëve tjerë.

Llakaicë

Për të mos humbur shumë kohë, grupi nga Stebllava niset drejt “Green Pass” për të kaluar “ilegalisht” kufirin në Maqedoninë Veriore. Pas disa vështirësive në ngjitje me off-road, arritëm në një pllajë ku një pemë ishte rrëzuar në mes të rrugës sikur tregonte se mbaroi Shqipëria dhe fillonte një shtet tjetër. Pak metra më tej ndodhej piramida e famshme e ndarjes mbrapsht të kufirit, kur disa dhjetra metra më tej një postë kufitare ish jugosllave për të mbrojtur kufirin nga banorë me tipare dhe mbase gjen të njëjtë.

Dikur këtu lëviznin dhjetra ushtarë jugosllavë e shqiptarë për të ruajtur kufirin, sot s’ka as udhëtarë për ta ruajtur dhe as polic!

Llakaica (Llakavica) ndodhej më tutje dhe rruga ishte e ndarë veçmas. Nga larg vëreheshin disa shtëpi të sapo rinovuara, por natyrisht bosh dhe pa asnjë person. Vendosëm të kalojmë nga Llakaica drejt rrugës për të dalë në magjistralen Strugë-Dibër, por ndodhi ajo që kishte vendosur natyra dhe ligji. Rruga në mes ishte derdhur dhe nuk funksiononte më, pasi shirat e rrëmbyeshme të para një muaji kishin nxjerë jashtë shtratit ujin e lumenjve. Nuk mund të rrezikonim dhe kthyem mbrapsht nga kishim ardhur.

Dikur Llakaica ishte pjesë e qarkut të Stebllevës dhe këto të dyja bashkë pjesë të Dibrës. Në këtë udhëtim natyra sikur kishte dashur me zor rilidhjen e dikurshme mes Llakavicës e Stebllevës, përkundër kufirit londinez të 1913. Pak rëndësi nga historia, por kjo zonë do zhvillohet vetëm nëse kufinjtë anulohen, por natyrisht, së pari të rregullohen rrugët me asfalt.

Fushë Studën/Orenjë

Fati jonë dhe i Llakavicës në javën e parë të 2023 ishte Steblleva dhe kthimi nga Qafa e Thanës. Nga Steblleva arritëm në Fushë Studën ku liqeni ishte vërtet i bukur në mes të natyrës magjepsëse të pyjeve të ahut. Nga aty kaluam drejt fshatit Orenjë të hafiz Sabri Koçit, rimëkëmbësit të madh të fesë myslimane ndër shqiptarë.

Mali që përmendet më së shumti ndër mediat perëndimore, është Parku Kombëtar Shebenik-Jabllanicë, kjo edhe për pasurinë e madhe të florës e faunës. Shumë bimë si murrizi, boronicat, dredhëzat e egra, ndodhet me shumicë në këtë zonë. Edhe në librat e Midhat Frashërit, përmenden shumë eksplorues gjermanë që prej para disa shekujsh u ka bërë përshtypje bimësia e këtij masivi malor.

Qafë Thanë/Dibër

Pasi arritëm në Librazhdin me pak rrugë asfalt mes tij dhe Fushë Studenit, shkuam drejt Qafë Thanës ku pak para se të kalojmë kufirin edhe hëngrëm shijshëm. Polici nga Maqedonia, mbase nga informacioni, mbase nga Jeep-i, na pyeti nëse kishim ardhur maleve. Pas përgjigjes të sinqertë tonën, vazhduam tutje dhe arritëm në Dibër përmes Strugës.

Dibra është e madhe me shumë zona dhe krahina, ku njëra ndër to është Gollobërda e fshatrave të lartëpërmendur. Nga kjo zonë dikur origjinën e kanë figura të njohura si Hoxhë Moglica, Qemal Stafa, Dritan Hoxha i Top-it, Adnan Ismaili i Logos-it, Armando Sadiku i Euro2016, e shumë të tjerë. Ky vend ka nevojë edhe për më shumë talente, por shteti tani duhet të investojë që ti vijë pak era shekull 21 dhe jo mesjetë me gjithë ato rruga të paasfaltuara.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat