O Shpend... qeni!

Opinione

O Shpend... qeni!

Nga: Kimete Berisha Më: 24 janar 2017 Në ora: 10:57
Kimete Berisha

Atmosferë e zymtë. Heshtje e depresion. Borë. Akull. Ftohtë. Sevdaja nën zero. Nuk dëgjohet njeri.

Kur u bë ora 7 e 45 min. dola nga banesa me shku n'punë, dhe posa e hapa derën e hyrjes, e u nisa shkallëve, disa qen, njëri prej tyre Kerberi, m'u sulën.

Unë si myslimanët, i kam shumë mërzi qentë, pasi që kam dështuar njerëzit t'i bëjë shokë, lëre më qentë.

M'i pa me sy, qeni dukej normal, 80 % ujk, ama, fati im që qëllova e veshur me hellanka dhe e mbathur me çizme ortoped. (S'po ju tregoj a u rrëzova gjatë përpjekjes time titanike për ta shpëtuar jetën, për të mos ua kënaq disave zemrën).

Kur s'e do s'e do. Kurrë nuk i lidhi flokët, e bash sot u çova e i bëra punxhë, plus për t'ju përshtatur shijes dhe shikimit të qenit, u vesha bardh e zi. Nuk mungonte as bunda, të cilën e nxora nga pluhuri i historisë.

S'është me rëndësi a e vrava gishtin a jo, kryesore arrita të futem në hymje, prita disa minuta derisa u qetësua situata, dhe pastaj si në gjendje lufte, u nisa vrap në punët e mia.
Kaq rrezik kam qenë veç në luftë.

Kryetari i Prishtinës merret me politikë globale, bën profile psikologjike të sulltanëve e diktatorëve, e ndan pleqninë e punëve të botës, ndërsa nuk është në gjendje m'i lidh qentë e kryeqytetit. 
Pak matanë rrugës, një kolonë tjetër qensh ia kishin mësy një gruaje.

Fëmijërinë e kam kaluar në lagjen Tavnik të Mitrovicës (deri në klasë të pestë), dhe rininë në pjesën veriore të qytetit, ama kurrë në jetë (kam shkuar e jam kthyer nga shkolla vetëm), nuk më ka ndjek' asnjë qen.

Me m'pas hëngër sot qeni, ty nesër t'kish hëngër dreqi, kryetar.

Se Kerberi (me seli në Nëntokë), edhe ashtu është i krijuar t'i ndalojë të vdekurit të çohen nga varret për t'u bërë përsëri të gjallë.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat