Serbët vranë Bajram Kelmendin me të bijtë dhe profesor Fehmi Aganin

Opinione

Serbët vranë Bajram Kelmendin me të bijtë dhe profesor Fehmi Aganin

Nga: Gani Mehmetaj Më: 12 gusht 2017 Në ora: 08:35
Gani Mehmetaj

Të nesërmen e të pasnesërmen lajmet erdhën ogurzeza. Paramilitarët e policët serbë hynin  nëpër shtëpi e apartamente, i dëbonin banorët shqiptarë, flitej se nisën t’i zbrazin lagje të tëra. Dyert e shqyera e dhomat në rrëmujë, stolitë e vjedhura e fotografitë- kujtime që do të digjeshin në tërbimin e parë.

Të paralizonte në tru pamja e banorëve që e braktisnin vatrën të tmerruar. Disa prej tyre nuk arrinin të dilnin nga banesa. Pamjet e qyteteve e katundeve të lëna shkretë,  me kolonat e gjata të refugjatëve që u ngjiteshin bjeshkëve e rrugëve të përbaltura, nisën ta pushtonin ekranin e televizioneve botërore.

Lajmet e cunguara vinin gjithnjë e më të frikshme, nga burimet e ndryshme. Ndonjë  gazetar që raportonte duke iu ruajtur policisë serbe, lajmëronte se lagje, madje qytete të tëra dukeshin fantazma, ku lëviznin vetëm policët serbë e qentë e uritur. Policët tërboheshin, qentë e mbanin veten. 

Secili nga ne kërkonte familjen e vet në ndonjë imazh të filmuar, në kolonat e refugjatëve. Tre fëmijët dhe gruan i kisha në Shkup, ndërsa pjesa tjetër e familjes në Prishtinë e Pejë. Në fillim erdhën lajmet për dëbimet nga Prishtina, nisi me lagjen periferike Sofalia, ku e kisha shtëpinë. Dy vëllezërit Aliu e Haxhiun  me familje u nisën maleve të Gërmisë së bashku me banorët e tjerë të lagjes. Bombardimet e krismat e pushkëve nuk u dhanë mundësi të merrnin rrobat e duhura.

Trupat serbe nisën bombardimet në lagje me artileri, kurse kolonët serbë i ndihmuan me pushkë e mitraloza. Lagjja u zbraz për kohë të shkurtër.

Një korrespondent lajmëronte se para se të zbrazej lagjja Sofali, aty ku e kisha shtëpinë, shpërthimet e artilerisë serbe e drodhën periferinë, përderisa banorët ua mbathin kodrave. Ai raportonte për serbët lokalë të lagjes, që ndihmuan ushtrinë. Askush nuk dinte më shumë për fatin e banorëve. Pati disa versione. Disa thanë se shkuan drejt Mramorit, një katund rreth 20 kilometra nga Prishtina në Malësinë e Gollakut, të tjerët thoshin se së bashku me banorët e tri lagjeve të tjera të kryeqytetit u nisën drejt Stacionit të Trenit

 Një raport që na erdhi në redaksi tregonte për disa të vrarë, shpresoja të mos ishte asnjëri nga të familje sime, secili shpresonte për familjen e vet. Pastaj nisi zbrazja e lagjes Taslixhe dhe e lagjeve të tjera të kryeqytetit të Kosovës.  

Derisa bombardimet vazhdonin, telefonatat e pakta që arrinim t’i kapnim na bënin me dije për grumbullim të popullatës së kryeqytetit në Stacionin e Trenit. Thuhej se ishin mbi 50 mijë banorë vetëm me çanta dore. Pastaj na erdhën filmimet: mijëra gra, fëmijë e burra, të grumbulluar në hapësirën e platesë e në fushën pranë shinave të trenit, shikonin të hutuar e të tmerruar. Prej aty i nisën me trena drejt Maqedonisë.

Ditët tjera lajmet vinin edhe më dramatike. Përmes një burimi në Vjenë na erdhi lajmi se u ekzekutua avokati Bajram Kelmendi me dy djemtë, u kap Fehmi Agani në trenin për Han të Elezit. Besohej se e vranë policia serbe në afërsi të Lipjanit. Prof. Agani kishte qenë nënkryetar i LDK-së dhe pedagog i njohur. Pastaj u dha lajmi për vrasjen e kreut të LDK-së, të intelektualëve më eminentë. U përmendën emrat e Xhemail Mustafës, Alush Gashit, Fadil Hysajt, duke renditur një numër të madh emrash të mëdhenj. Njeriu s’dinte si të sillej para këtyre të dhënave që të paralizonin, ndërsa duhej t’i seleksionoje sipas peshës, t’i përpunoje e t’i përgatisje për gazetë. U krijua situatë e tillë, saqë sikur dikush të ta përmendte emrin në listën e të vrarëve, nuk do të habitesha,  ndodhnin gjëra të papara e të padëgjuara. Asgjë më nuk të habiste, të bënte ta  ndieje veten të pafuqishëm, të vogël, të brishtë e të thyeshëm si gota e qelqit. 

Në vazhdim se kush e distribuoi një lajm edhe më të frikshëm. Mund të qe ndonjë telefonatë nga Kosova, nga zëdhënësi i NATO-s, Xhimi Shia, apo dikush nga Dega e LDK-së në Austri, por dyshohej se  krahas grumbullimit të popullatës së kryeqytetit në Stacionin e Trenit në Prishtinë, për t’i dëbuar në Maqedoni e Shqipëri, u tha se policia e ushtria serbe grumbulluan mbi 20 mijë banorë në Stadiumin e qytetit. Ata do t’i bënin mburojë kundër bombardimeve të NATO-s, ose  do t’i pushkatonin një nga një a në grupe, në shenjë hakmarrjeje, sipas modelit nazist.

Megjithëse tërë ditën merrja informata nga disa burime në Prishtinë, prapë nuk e kuptoja situatën, më rrëshqiste çdo gjë, ngatërrohej nga ata që më tregonin të shqetësuar e të tronditur. Lajmet vinin kundërthënëse, saqë nuk arrije të kuptoje asgjë, atë që ta thoshte një burim, e mohonte burimi tjetër, ndërsa nuk dinte asgjë burimi i tretë. Lajmet e hallakatura i krihja pak dhe i botoja në gazetë, duke i cituar që të tri burimet e vjela nga terreni. Njerëzit rrezikonin që të lajmëronin opinionin ndërkombëtar. Çdo raport që vinte nga terreni e kishte klithmën, “Ndihmë!”

Vetëm pas disa ditësh mora një numër telefoni në një qytet shqiptar të Maqedonisë, ku bisedova me Milotin e Shkumbinin, dy djemtë e Ekrem Kryeziut, të cilët qenë të sigurt se i panë vëllezërit e mi me familje në Stacionin e Trenit.

E dhashë një njoftim në Televizionin Shqiptar, pastaj në faqen elektronike të Dojçe Veles, ku e kërkoja pjesën e familjes, e dhashë edhe në gazetën tonë, ku botoja qindra ftesa të tilla të familjarëve, drejtuar atyre që dinin diçka për familjet e tyre. E dërgova në Shkup në gazetën “Fakti” të Emin Azemit. Gazeta e tij shpërndahej me mijëra copë nëpër kampet e refugjatëve, mund ta lexonte dikush dhe të jepte më shumë të dhëna.

Shurdhëri e makthe

Askush nuk thoshte asgjë, askush nuk dinte të tregonte më shumë sesa që botohej nëpër gazeta, apo transmetohej në televizione e radiostacione. Shurdhëri e makthe. Nuk dihej për fatin e mijëra familjeve, të cilat duhej të ishin diku, majë mali, në ndonjë luginë, të strehuar nëpër hendeqe, por askush nuk donte të besonte se ata nuk ishin më. Ndodhte që njerëzit lajmëroheshin për të vdekur, ndërsa pas disa ditësh dilte se janë  gjallë, të shpëtuar nga trupat e tjerë të pushkatuar që e kishin mbuluar, apo i fshehur për të shpëtuar nga hordhitë vrasëse në ndonjë hendek. Dramat e tilla ishin emocionuese kur përfundonin mirë, si në filmat e Hollivudit. Fatkeqësisht jo gjithherë përfundonin mirë. 

Në një gjendje të tillë tensioni na duhej të bënim gazetën, t’u lajmërohesha lexuesve në telefona dhe të përpiqesha t’i ngushëlloja, meqë t’i ndihmoja s’kisha si, sepse nuk e ndihmoja as veten.

Na thërrisnin lexuesit, me shkulm vaji, na pyesnin, ju lutem a kini informacione se çfarë po ndodh në Kosovë, apo në qytetin a katundin e tyre. Pyesnin a është e vërtetë se ka shumë të vrarë? Ndonjëherë nuk arrija t’u përgjigjesha, ndonjëherë përpiqesha t’u thosha se mbase nuk ka aq shumë të vrarë, mbase ka ekzagjerime, një zot e di. I emocionuar nga lajmet tronditëse përpiqesha t’ua  jepja informacionin elementar, u kërkoja falje që s’dija më shumë, telefonat tjerë cingëronin si të çmendur, mbase kishin nisur të çmendeshim nga ajo sasi lajmesh tronditëse, nga tmerri që e dëgjonim, nga pafuqia jonë.

Redaksia në Tiranë po ashtu na jepte informacione për refugjatët në Kukës e kampet e tjera të refugjatëve, apo për familjet e ndjekura, të sistemuara në qytetet shqiptare. Ishin me mijëra. Rrëfimet e tyre të tmerronin, burra të pushkatuar rrugës, ose të ndaluar nga policia e ushtria serbe, dyshimet për përdhunimet, katunde e qytete të shkretuara.

Në Pejë e në Gjakovë, tregonin refugjatët, pos që kishin pësuar popullata, të vrarët thuhej se ishin shumë,  lagje të tëra digjeshin flakë, qytete të boshatisura. Mund të kenë mbetur grupe të izoluara.

Redaksitë e huaja na konsultonin vazhdimisht, u jepnim informacione kur kishin më shumë sesa ata, ua shpërndanim agjencive botërore, ishte mirë që lajmet për tragjedinë në Kosovë t’i merrnin vesh sa më shumë njerëz.

Gazeta “Rilindja”, botimi për Evropën Perëndimore e SHBA, që e udhëhiqja u bë burim i rëndësishëm i informacionit, krijuam kontakte me institucione të ndryshme ndërkombëtare.

Në mbrëmje dilnim të dërmuar nga puna e lodhshme dhe nga ngjarjet edhe më të lodhshme që ta merrnin gjithë energjinë. Edhe po të qenë ata njerëzit e huaj, kur dëgjoje për bombardime, dëbime, përdhunime, masakrime, gjymtime e krime të frikshme, se si të bëhej koka, një masë e madhe e qulltë, që sa s’plaste nga gjithë ajo mori të këqijash. Ndërkaq, njerëzit të dhimbseshin edhe më shumë, sepse ishin të gjakut tënd. 

Fatkeqësitë në terren zienin si në Ferr.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat