Tregtarët e falimentuar të shpresës

Opinione

Tregtarët e falimentuar të shpresës

Nga: Kimete Berisha Më: 7 shtator 2017 Në ora: 16:54
Kimete Berisha

Keni tregtuar me pozita, me moralin tuaj, me karakteret tuaja, keni bërë tregti me institucione, me pare dhe me fytyrën tuaj, por keni dështuar të bëni tregti me shpresat tona.

Jeni të mbaruar.
Sepse, s'na jepni shpresë.
Ne sot s'ndjejmë asgjë.
As gëzim, as hidhërim. 
Ndjejmë nevojë të ikim nga Ju.

Çfarë lideri është ai, tha Napoleoni, që nuk tregton me shpresat e njerëzve.

Tregtoni.
Nashtë.
Tregtoni me shpresat tona.
Na mashtroni.
Na flisni për përralla që s'i kemi dëgjuar e për poezi që s'i kemi lexuar.
Është mashtrimi më i bukur, kur pret të bëhet mirë.

Çka duhet të presim ne nga Ju!
Kë duhet ta presim.
Ne ju njohim qe 100 vjet.
Ju vini e shkoni
shkoni e vini
Grabisni krejt çfarë u del përpara
Turp nuk u vjen.
Dhe prap ktheheni në vendin e "krimit".

Ose jam e dëshpëruar unë, 
vërtetë nuk jam në qejf, ama unë ju pashë sot juve si një tufë shpirtërash të ngujuar "The others", që vetëm ju ende nuk e dini se keni perenduar.

Ju mund të jeni të mirë. Të ndershëm. Gjithçka mund të na jepni: bukë, tambël, rrush të zi e molla të kuqe, ju mund të na çoni edhe në det, të na përkundni për gjumë të mirë, por ama shpresë nuk na jepni.

Jeni aq të harxhuar,
aq të lodhur
aq të rraskapitur nga vetmia dhe nga frika
si i vdekuri kapeni për fijës së kashtës
Të vdekur, të kapur dorë për dore
për ta shpëtuar njëri-tjetrin nga njëri-tjetri

Ju jeni armiqtë më të çmendur të njëri-tjetrit
Përfytyro qysh vallëzojnë në valle, kërcimtarët që urrejnë njëri-tjetrin.
Në fund, të gjithë rrëzohen, në kokërr të shpinës, bashkë.

Sa shumë urrejte
Pasiguri.

Sa ftohtë.

u janë vjetëruar përrallat
u janë moçmuar dëshirat
U janë shumëzuar mëkatet, siç shumëzohen macet e zeza në verë.

Nuk ju nënçmoj pse jeni të kqij
Ju mohoj pse nuk jeni shpresëdhënës
Nuk ju shkëlqejnë sytë kur flisni për të nesërmen

Por, u shkëlqen ngjyra në flokë
U shkëlqejnë buzët e thara 
I ujisni lulet në fustanet e në setrat e qepura pa sjhije

I ushqeni mjekrat me trëndafila
në zemër e keni Yllin, e në shpinë e keni Hënën tetovazh

Dielli nuk ju sheh.
E Toka ju njeh.

P.S. Dëshiroj të fle.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat