Dy mësimet e Nëntorit

Opinione

Dy mësimet e Nëntorit

Nga: Kimete Berisha Më: 10 nëntor 2017 Në ora: 08:27
Kimete Berisha

1. Zbulimi i pleqërisë.

Dita e parë e "pleqërisë:" fillon kur ti e zë veten duke thënë "dora për dorën mos u bëftë myftjaç". 
Pa marrë parasysh sa i ri je ti, dije mirë se kur e zë veten të trishtuar nga ideja se një ditë mund të bëhesh myftjaç për dikë;
a po ma jep një gotë ujë; a po e mbyll derën se po më fryen; a ma bën do bukë...atëherë, e kupton çfarë ndjenin pleqtë "tanë" kur luteshin të "largoheshin" në këmbët e veta.

Për herë të parë, e kam "zbuluar" pleqërinë, para tri javësh kur provoja ti ngjyros vet flokët në pjesën prapa kapakut të kresë. Kurrë në jetë nuk kam shkuar te frizeri, shkaku se nuk më pëlqen të ma prek kush kokën, më vjen mërzi të m'i prek kush flokët, prandaj kisha shumë shumë nevojë të mos bëhem myftjaç...t'i lyej vet flokët.
Nuk u bë që nuk u bë pa u bë myftjaç, prandaj e ula kokën dhe qava. Dhe qaj gjithmonë, edhe tash po qaj, sa herë më bie në mend dora e cila për dorën bëhet myftjaç.

2. Ajmalia mund të jetë edhe Zë, jo veç fjalë e shkruar në letër.

Kur je ngusht, më së ngushti, lëshoje ujin teposhtë. 
Qesh me fatin tënd, kur të tjerët bëhen sikur të qajnë e të vajtojnë. 
Kur mërzitesh shumë, më së shumti, lëri krejt, sidomos lë duhanin. Unë e kam lënë duhanin nga mërzia, kur e humba mikun tim më të mirë. 
Kur të gjithë presin prej teje ta hash duhanin, ti pëshurr n'të.
Mos e ushqe mërzinë.

Bash kur je keq, sillu mirë.
Ti mua, Zoti Ty. Thuaj. 
Diçka kanë ditur të parët tanë që ia kanë lënë Zotit ta ndajë drejtësinë.

Mos pi raki, mos pi asgjë përveç ujit. Kur të gjithë presin nga ti të çmendesh, ti këndo.

Kaq shumë njerëz, e kaq pak prej tyre mund të na ngushëllojnë me fjalë të mira,
Shumica nuk dinë, e të tjerët, as nuk dinë, as nuk duan,..

Ngushëllimi është arti më i vështirë.

Qysh nuk i incizova fjalët e atij që i besoja më së shumti në botë, për t'i dëgjuar kur e dëgjoj vjeshtës, në nëntor, "Kur të jesh mëzitur shumë". 
Në nëntor ndodh çdo gjë. 
Ndodh "Vjeshta e trëndafilave".

Ajmalia, e "zbulova’ sot, më 9 Nëntor 2017, mund të jetë zë, fjalë e folur me zë, e jo që është vetëm letër pa autor, që e mban trekëndësh në gjoksin tënd.

Qysh s'kam ditur t'i them: foli fjalët më të bukura që di ti për mua; shkruaje edhe njëherë tregimin "A ma kthen përsëri rininë time", fol për Dostojevskin, për Mozartin, për Jusuf Gërvallën, e për Ibrahim Rugovën se si i përqeshte recitimet në orët e mërzitshme letrare. 
Mos e lë pa e përmendur Beqir Musliun, dhe Tahir Mehën. 
Tahir Mehën që të mbronte nga të burgosurit në Goli Otok dhe të jepte cigare.

Thuaj fjalë që më magjepsin, fjalë që dalin nga arti, jo nga zemra, çka më duhet zemra, pa shpirt. 
Më merr me të mirë, më mashtro, më thuaj se s'kam askund një shoqe të dytë. 
Thuaj qysh e ke pasur zanat, se ti je ajo Tanja Torbarina që dukesh si Viviene Leight. 
S'është me rëndësi a është e vërtetë ajo që thua, kryesore thuaje bukur. 
Tregomë edhe një herë se si të dukem shoqe e mirë dhe besnike, si Jusuf Gërvalla që ishte, poet me vaj në buzë. 
Thuaj do të bëhet mirë, dhe pastaj vdis.

T'i kisha incizuar ato fjalë, sonte do t'i dëgjoja, në vend se po e dëgjoj "Më fal".

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat