Pse nuk duhet të lejohet përfshirja e Rusisë në dialogun Kosovë-Serbi?

Opinione

Pse nuk duhet të lejohet përfshirja e Rusisë në dialogun Kosovë-Serbi?

Nga: Arben Sylejmani Më: 6 dhjetor 2017 Në ora: 11:38
Arben Sylejmani

Kërkesa e Serbisë që në dialogun e ardhshme Kosovë-Serbi të përfshihet edhe ministri i Jashtëm i Federatës Ruse, Sergei Lavrov është shumë e rrezikshme për Kosovën dhe në të njëjtën kohë paraqet problem serioz për vet Shtetet e Bashkuara të Amerikës, dhe pikërisht për këtë institucionet tona dhe miqtë tanë ndërkombëtar duhet të refuzojnë me çdo kusht përfshirjen e Kremlinit në këtë proces.

Sa i përket Kosovës, përfshirja e Rusisë në dialogun e Brukselit është e rrezikshme, sepse dihet qëndrimi i saj ndaj pavarësisë së Kosovës. Sipas Moskës, shpallja e pavarësisë së Kosovës bie ndesh me të drejtën ndërkombëtare, dhe rrjedhimisht si ndërmjetësuese në këtë proces zyrtarët e këtij shteti mund të kërkojnë që temë e bisedimeve të jetë edhe kjo çështje.

Po ashtu, përfshirja e Lavrovit në këto bisedime, i rrit Serbisë apetitet për kërkesa më të mëdha ndaj palës së Kosovës gjatë bisedimeve, duke pasur në ndihmë një superfuqi të madhe, siç është Rusia.

Por përpos institucioneve të Kosovës, përfshirja ruse në këto bisedime e paraqet problem edhe për Bashkimin Evropian dhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Për BE-në përfshirja e Lavrovit në këtë dialog përcjell mesazhin se Brukseli nuk është unik në politikën e jashtme që të luaj rolin e lehtësuesit në dialogun, Kosovë-Serbi, e lerë më për tema të tjera në politikën e jashtme të këtij unioni.

Kurse, për SHBA-të, përfshirja e saj në këtë proces paraqet probleme serioze.

E para, presidenti rus, Vladimir Putin po mundohet me çdo kusht Rusinë ta vej në nivel të njëjtë me SHBA-të sa i përket temave globale, siç është konflikti në Siri dhe çështjeve të tjera në fushën e marrëdhënieve ndërkombëtare.

Ndërhyrjen në Siri, Rusia e sheh si sukses të vetin dhe në të njëjtën kohë e paraqet si dështim të SHBA-ve për të arritur sukses në ndalimin e luftës civile në këtë shtet. Përfshirja e eventuale e Rusisë në bisedimet e Brukselit vetëm sa e përforcon pretendimin e Putinit.

E dyta, përfshirja ruse në këtë proces i shkon për shtati Putinit, sepse teza e tij është se Moska dhe Washingtoni duhet të dakordohen mes tyre që problemet aktuale globale të zgjidhen në pako, e jo një nga një. Kështu që për shkak të këtij procesi, Kremlini të paktën do të provojë që të kërkoj një kompromis me SHBA-të për çështjet që ka qëndrim diametralisht të kundërt me Washingtonin, siç është: aneksimi i Krimesë nga ana e Federatës Ruse, konflikti i Sirisë dhe për çështje të tjera globale.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat