Përse mbjell kanabis, Edi? - Bota Sot
Përse mbjell kanabis, Edi?

Opinione

E shtunë, 17 nëntor 2018

Përse mbjell kanabis, Edi?

Nga: Fadil Lepaja Më: 7 shkurt 2018 Në ora: 10:09
Fadil Lepaja

Dilema ime e kësaj jave ishte të shkruaj për deklaratën, tashmë të famshme të kryministrit Rama, i cili siç e dini edhe ju, sundon në anën perëndimore të Bjeshkëve të Nëmura, apo të shkruaj për darkën e madhe, publike, të sundimtarëve, këndej bjeshkëve. Edi, këto ditë, mes tjerash, foli edhe për politikën kosovare, por këndej, u mbajt mend sidomos ajo pjesa kur foli për shtazët politike të Kosovës, më saktë, për lopët politike, të cilat, sipas tij, papërgjegjshëm po e derdhin qumështin, mu te këmbët e faktorit ndërkombëtarë, duke mbyllur kështu jo vetëm rrugët por edhe shtigjet e dhive, për në Evropë. 

Nga ana tjetër, edhe zyrtarë, nga kabineti Haradinaj, pra këndej “Bjeshkëve”, në profilet e tyre në “facebook”, u pajtuan me të se “nuk është mirë me e derdhë tamblin...” , por duke shtuar se,- “nuk është mirë as me mbjellë kanabis”. Në përkthim, kjo i bie: “hajt se as ti nuk je, burrë ma i mirë, se ne, Edi ”. Demek, mos u kruaj, Edi! Edhe këndej ka burra. Po pra, si nuk ka. Këndej burra të këmbë kryqit, andej të kanabisit! Gjithsesi, burra, për Evropë!

Tash, përkundër debateve, dhe sharjeve sidomos nga opozita, mbetet e paqartë, mbjell apo nuk mbjell, kanabis, Edi. Sidoqoftë, ai, për të mirën e përgjithshme, nuk e komentoi më tej, këtë llafin e kanabisit, që i erdhi nga Prishtina. E ka kuptuar se kjo është një luftë që nuk e fiton dot me fjalë. Fundja janë veç llafe, kafenesh, rrjetesh sociale apo kabinetesh, ku bjerr kohën politika, a nuk është njësoj?  Se mos e ka parë kush, deri sot, Edin, duke punuar në arë ?! E  ka parë kush, duke mbjellë çfarëdo lloj lule, lëre më kanabis? Nuk ka fakte, as dëshmi! Mos ka dalë ndokush të dëshmojë, se me porosi të Edit, është mbjellë  kaq, apo aq hektar me kanabis? Jo or të uruar, ai edhe mund të e ketë përdorur , por ta ketë mbjellur, këtë nuk e beson kush? Fundja, a nuk e ka përdorur, kanabisin, edhe idhulli i politikës kosovare, vet ish-presidenti Clinton? Për Monikën, nuk dihet! Monica Samille Lewinsky, pra, të mos keqkuptohemi!

Tash, kur jemi te dilema, kësaj jave, për qumështin apo kanabisin, edhe mund të mos shkruhej!  Edi, atë punë e ka, të flas, pra të  provokoj portalet, dhe mediat e tjera, të shkruajnë për të. Ka edhe televizionin e tij, virtual, Edi! Por,darka, e madhe, publike në Ajvali, nuk mund të anashkalohej. Kësaj jave, shteti komplet, shkoi mysafir, për darkë pune, atje! Ishte një darkë, publiko - private si i thonë fjalës. Shteti u thirr privatisht, por jo për qejf, por për darkë pune. U thirr privatisht, për të evituar konfliktin e interesit, u tha!

Përndryshe, drekat dhe darkat, e mëdha publike, janë bërë mani në Kosovë. Qeveritarët thërrasin njëri tjetrin, për të treguar, dikush  fuqinë ( edhe forcën) e dikush pasurinë. Por, me drekat e darkat, gjithsesi politikisht të nevojshme, qeveritarët dëshmojnë njëkohësisht edhe një harmoni dhe unitet të pa(k)thyeshëm, jo vetëm karshi popullit por edhe përballë faktorit  ndërkombëtarë, me të cilin, liderët, përfshi edhe kabinetin, kohëve të fundit kanë hyrë në një luftë të pashpallur dhe në debate të ashpra publike.

Populli si populli, po duartroket, edhe pse nuk po e kupton çfarë po ndodhë, apo se kush ka të drejtë në krejt këtë zhurmë. Sidomos është e paqartë se kush është më properëndimor në këtë debat: krerët tonë institucional apo ambasadorët e vendeve perëndimore të akredituar në Prishtinë? Opozita është jashtë loje.

Njëherë për njëherë, rezultati duket barazim,  por me saktësi askush nuk e di...! Pas, lojës ngreh e mos e këput, duke pritur me durim dhe besim, kreu arriti të kapet për bisht të avionit dhe të shkojë, për lutjet e mëngjesit, në Washington! Në shpi ka mbetur populli, por ata ikën pa gajle, se nuk e gjejnë në shtëpi, kur të kthehen. E ku të shkojë, populli i shkretë, i vetmi popull në Evropë, i cili nuk hyn dot pa vizë, në Evropë. Në fund të fundit, populli aty e ka edhe vendin, në shpi! Më nuk e përzënë dot, sikur dikur, sepse e ruan KFORI, por  as kontrabandë, nuk ikë dot, pa lejen e mbase edhe ndihmën e shtetit.

Por, të  kthehemi te darka e madhe, njëkohësisht edhe tema jonë e vogël. Mesazhi kryesor, që doli nga kjo darkë pune, ishte pra, se kemi qeveri të kënaqur, me veten sidomos, e qe besa edhe me popullin. Ka shumë popuj që janë të kënaqur me qeveritë e tyre, por pak qeveri që janë të kënaqura me popujt e vet. Në rastin tonë, me qeveri nënkuptohet shumë më shumë sesa vetëm kabineti Haradinaj.  Qeveria, qysh e dini, është e koalicionit, prandaj në të hyjnë përpos ministrave dhe zëvendës ministrave, edhe Presidenti, Parlamenti, Labi, ...!

Qysh edhe mundeni me marrë me mend, në darkë, shteti, shkoi i veshur me modën e fundit, gjithsesi pa kollare, me përjashtim të Labit. Labi. Atmosfera dukej fantastike. Në njëfarë mënyre, zëvendës kryeministri, pak është koritë se nuk i ka ftuar edhe zëvendës-ministrat. Kjo mund të e luhatë kohezionin brenda vet kabinetit, sepse shumë ministra, vërtetë janë koka, por qafa janë zëvendës ministrat, të cilët kokën e lëvizin kah të duan. Sa për popullin, nuk ka dert. Ai gjithsesi ishte prezent. Populli, krejt këto i sheh në televizor. Tash televizorët janë “full” HD, dhe aroma e ushqimeve, të vjen në dhomë!

Pra, kjo ishte dilema ime. Ajo çka mbeti e paqartë, nga darka e madhe publike, ishte rebelimi i Labit! Shkuarja e tij me kollare,  në një darkë pa kollare, ku as presidenti, as kryeministri as kryeprlamentari, nuk kishin vënë kollare, ishte barazi me kryengritje, ishin një heroizëm pak a shumë.  Ishte ,me gjasë, edhe një kërcënim, për koalicionin!

E paqartë mbeti edhe deklarata e këshilltarit të kryeministrit, lidhur me kanabisin? Më kot, do të përgjigjej , Edi, se ai nuk mbjell kanabis! Pyetja nuk ishte se a mbjell? Pyetja ishte, përse?

Shfaq komentet
comments powered by Disqus
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat
Sondazh
test