O me sorrën o me korbin- rrugë tjetër nuk ka

Opinione

O me sorrën o me korbin- rrugë tjetër nuk ka

Nga: Kolec Traboini Më: 27 prill 2018 Në ora: 07:10
Kolec Traboini

Sapo hoqa nga miqësia ne facebook dhe e vura të rrijë bllok, në karakatinën që e kam quajtur 100 plus 1, një person, sepse, i paditur e i pa lexuar, pa me njohur aspak, meqë kritikoj qeverisjen e keqe të Ramalliut më quan të Saliut.  E kujt mua që kam bërë me qindra shkrime, satira e humor, madje dhe një libër me skica e poemë ironike botuar në 1995, "Rapsodi ushtore" në dy kapituj, Vrimat e Saçit, (skica) dhe Kreshnikët e Demokracisë (poemë).

Pse,  më pyesin dhe më tej, mos vallë ka qenë më e mirë koha e Saliut se sa e Ramës? E kjo pyetje naive është si të thuash se nata e djeshme ka qënë paksa më e errët se kjo e sotmja.  Ama të dyja kanë qenë natë e jo ditë. Po urithit pse i duhet drita gjersa nuk ka sy të shohë e të dallojë nuancat e dritës. Errësira për të është e mjaftueshme. Ashtu dhe për dritëshkurtrit në mendjet njerëzore, errësira është dritë e shkuar drite.  Por që ka qenë diktaturë koha e Salit të parë atë e di kushdo, madje edhe macja ime e di se nuk guxonte të dilte përjashta të takonte ndonjë maçok se e ngordhnin me gurë mitingashët e Salës.

Edhe kryeministrin e sotëm, asokohe, e patën e rrahur  vendçe, sepse kishte guximin të dilte e fliste nëpër kafenetë e Tiranës, që ishin mbushur tumllas me spiunë të regjur, të cilët nga komunistë të kuq u llangosen si shejtanët blu duke vazhduar të bëjnë zanatin e vjetër të Judës! Edhe sot atë punë bëjnë, por pushtetin e Ponc Pilatit tani e ka pikërisht ai që dikur qe pësuesi,  viktimë e përdhosjes, baltosjes dhe e përgjakjes. Borxhin mbase s'ta kthen, por hak pa marrë nuk lë shqiptari. Unë asnjëherë nuk e kam vënë në dyshim se në 27 vjet nuk kemi pasur demokraci të vërtetë por një aliazh postkomunist, një shartim e përçudnim i pangjarë në Europë. Ndryshe si do të na pllakoste kjo gjëmë që Ministri i Brendshëm i diktaturës të na bëhet Kryetar Parlamenti?!

Mbase në Afrikë ka ngjarë e ngjet kështu. Kjo tregon së populli shqiptar është nën influencën e Sindromës së Stokholmit. Bëhet mik e vëlla me atë që të vret, madje katandiset që ta mëshirojë xhelatin. Shumë njerëz nëpër media sociale me mendime bardhë e zi, ngatërrojnë e bëjnë lëmsh një gjë, kushdo që kritikon atë që sot është në pushtet e quajnë Salist sepse janë me mendje të kalçifikuar, rudiment i monizmit atrofik,  o me ne, o me armikun. Pra ta presin shkurt e s'ke ku vete, o me Ramalliun o me Saliun. Po mirë more, po unë, që nuk dua të jem me këta të dy plangprishës të Shqipërisë, si do bëj në këtë alternative, o me sorrën o me korbin? Atëherë, si tu kesh bërë këtë pyetje, marrin flakë edhe më keq. Tua quash udhëheqësin, idhullin pa krye, sorrë e korb, kjo është një thagmë e madhe.

Gati të nxjerrin hanxharët e Ali Pashës prej llagëmeve të mesjetës.  Biseda me ta është me të vërtetë  një Vaterlo e asgjë tjetër. Jepni gjegje e shtjelloni këtë teme me durim në mediat sociale se më ka gjetur një hall i madh. Shumicës së miqve ju ngatërrohet litari i politikës nëpër këmbë e më fajësojnë mua që, as timon e as tepsi e as litar nuk kam. Kam vetëm çelësat e shtëpisë sime të kohës së monizmit. Një dhomë e një guzhinë, stil i vjetër dhe falë zotit që nuk ma morën. Ku Surrel bunkeri dhe ku shtëpia ime. Po le ç’ta ngasim me tej. T’ia lemë Vetingut  këtë punë. E që ua kam llafin, ta themi shqeto fare,  sos gomari që na ngordhi po nuk na lënë rehat as mizat, të cilat në Shqipëri nuk guxojnë ta dhjesin portretin e perandorit. Mos o zot! Fytyrat, ndyrësisht të ndritura të udhëheqësve tanë, kurrsesi nuk duhen lejuar të dhiten nga mizat. 

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat