Kosova, ka apo s`ka ushtri - Bota Sot
Kosova, ka apo s`ka ushtri

Opinione

E diel, 21 tetor 2018

Kosova, ka apo s`ka ushtri

Nga: Gani Qarri Më: 21 korrik 2018 Në ora: 06:26
Gani Qarri

Në pyetjen drejtuar ish profesorit të ndjerë Dr. Esat Stavilecit se çfarë kanë të përbashkët Shqipëria dhe Kosova, ai do të përgjigjej, si me profeci:

Që të dyja,të përbashkët kanë paaftësinë:

Shqipëria për të mbajtur shtetin

Kosova për ta bërë shtetin.

Ndaj ua tërheq vërejtjen që të keni kujdes,se Shteti nuk është mall që shitet në treg!

Koincidenc apo jo, fatkeqësisht profecia e tij e dhembshme,sot po ndodhë me të dy vendet tona.

Udhëheqësit shqiptar në të dy anët, nuk punojnë për mbrojtjen dhe mbarëvajtjen e shtetit, por bëjnë pazare dhe shesin e tjetërsojnë tokat e tij, për mbajtjen e vetes në pushtetit dhe mbetjen e vazhdushme në politikë.

Sa i takon Kosovës, ka mbi katër vite, që kur flitet pothuajse çdo ditë publikisht, për nevojën e krijimit të Ushtrisë së saj si vend i pavarur, e cila megjithëse ka shpallur pavarësinë qysh në vitin 2008, pushtetarët vendor, duke nxituar për grabitjen e çdo pasurie të mundshme të vendit për vete, familjar dhe bashkëpartiak, realisht nuk kanë qenë asnjëherë të interesuar të ndërtojnë institucione të njëmendta shtetërore, nga droja se mund të rrezikoheshin personalisht dhe ndëshkohej veprimtaria e tyre e paligjshme.

Ndaj ata lanë me qëllim pas dore, si ngritjen jo-partiake të policisë dhe kapaciteteve tjera të sigurisë së paanshme politike, ashtu edhe forcat mbrojtëse të shtetit të Kosovës, siç është ushtria.

Megjithëse që nga fillim marsi i vitit 2014, bëhen përpjekje të pareshtura për shndërrimin e FSK-s në Ushtri, dhënies së mandati ushtarak asaj për garantimin e integritetit territorial dhe mbrojtjen e vendit në rast sulmesh nga jashtë, nuk mund të thuhet saktësisht se sa në realitet,është në gjendje edhe vet FSK, ta marrë përsipër këtë detyrë me prioritet, si cilado ushtri e shteteve sovrane, kudo në botën mbarë.

Për fat të mirë, këto ditë FSK, po pajiset nga SHBA edhe me 51 automjete të blinduara ushtarake të tipit HUMVEE, 27 prej të cilave do ti marr falë si donacion i dhuruar nga ushtria e SHBA-s, ndërsa 24 sosh, do të blihen me parat e buxhetit të FSK-s.

Por megjithëse ajo si organizatë, gëzon përkrahje të gjerë dhe ne të gjithë FSK-n, e konsiderojmë si Ushtri të Shtetit tonë, për çudi, reagimet qoftë edhe në raste të veçanta, formale a publike të udhëheqësve dhe komandantëve kryesor të saj, as në momentet më eklatante të tjetërsimit praktik të tokave të Kosovës, nuk u dëgjuan asnjëherë deri më tani.. 

Madje jo vetëm në rastet kur u kërcënua formalisht integriteti territorial i vendit, por edhe në momentet kur faktikisht u tjetërsuan tokat e shtetit tonë të brishtë dhe pjesë të konsiderueshme të Kosovës, u përvetësuan nga shtete fqinje, zëri i "ushtrisë" sonë, nuk u dëgjua kurrë publikisht.

Le tu shkojmë zhvillimit të ngjarjeve në mënyrë kronike dhe ashtu siç ndodhën ato me radhë:

Së pari kishim ndryshimin e dhunshëm të vijës kufitare ndërmjet Kosovës dhe FYROM-it, tjetërsim ky i cili u bë në bazë të një marrëveshje kundërthënëse të dy shteteve fqinje, pa e pyetur vendin tonë, nënshkruar në vitin 2001 ndërmjet Serbisë dhe FYROM-it, komplot që u realizua më 2009 nga i famshmi Murat Meha me shokë dhe i shkaktoi Kosovës, humbjen e 2.500 hektarëve tokë të saj.

Kështu, FYROM u fut edhe një herë, në thellësi mijëra hektarëshe brenda tokave të shtetit tonë, në pjesën më neuralgjike kufitare të Debëlldesë me rrethinë, por megjithatë nga FSK, të cilën ne e mendojmë për ushtri të ardhshme, nuk u shfaq as një reagim i vetëm, sado i vogël, kërkesë a dëshirë modeste për sqarim apo edhe një arsyetim të thjeshtë të këtij vendimi të paprecedent.

Ndaj lind pyetja se a e konsideron edhe FSK veten ushtri, apo ndjehet mjaftueshëm e angazhuar me përgjegjësit aktuale që ka, për mbrojtjen nga katastrofat natyrore, tërmetet, vërshimet ujore dhe zjarret që mund të kërcënojnë shtëpitë, malet dhe fushat e Kosovës.

Hashim Thaçi, me të filluar bisedimet me Serbinë,që në nisje të tyre,krye më vete, shfuqizoi Pavarësinë e Kosovës duke e zhvlerësuar atë me "Fusnotë", i dha disa komuna dhe i ofroi autonomi të zgjeruar territoriale Zajednicës serbe në mbi katër qytete të Veriut me rrethinë, pranoi që FSK edhe kush e di për sa vite me radhë, të mos guxojë të vendoset në veri të Kosovës, nuk siguroi asnjë dokument zyrtar që shqiptarët e dëbuar me dhunë të kenë të drejtë të kthehen në vatrat e tyre shekullore matanë Ibrit, si dhe nënshkroi marrëveshjen në kundërshtim me hiq më pak se 23 pika të Kushtetutës së Kosovës në Bruksel për krijimin e Zajednicës si një mini-shtet serb në veri dhe bosnjëzimin e vendit tonë.

Megjithatë ushtria jonë sërish heshti për të gjitha, nuk reagoi as u dëgjua fare dhe nuk kundërshtoi asnjërën nga këto pika të rrezikshme për të tashmen dhe të ardhmen e Kosovës.

Siç duket gradimi i disa udhëheqësve të FSK me shenjat e kolonelëve dhe gjeneralëve, bëri që edhe aktet e tilla bizare të presidentit, të heshtën nga ta.

E nëse edhe për tradhtitë që po i bënë Thaçi Kosovës duke ua shit lirë tokat e saj vendeve fqinje, nuk e ngritë zërin ushtria, atëherë kush u dashka ti mbrojë tokat e shtetit tonë?!

Përkundër të gjithave sa ndodhin në këtë vend, nga dëshira për të pasur edhe Kosova ushtrinë e saj, kërkesat e qytetarëve vazhdojnë me intensitet të pa shuar që FSK, të transformohet sa më parë në Ushtri, mandati i të cilës, ata ende shpresojnë se do të ishte sigurimi i integritetit territorial të Kosovës, mbrojtja e vendit nga sulmet e jashtme, ruajtja e paqes dhe stabilitetit edhe në këtë pjesë të Ballkanit dhe Evropës.

Për tu zhgënjyer tërësisht dhe bërë dhimbja edhe më e madhe, FSK si një organizatë që mëton të bëhet ushtri, jo vetëm se nuk reagoi fare për rastet e mëhershme, por ajo si rëndom, heshti tërësisht, frikshëm dhe në mënyrë të pa-kuptueshme edhe së fundmi, me rastin e kontrabandimit të sivjetmë klandestin të 8300 hektarëve tokë të Kosovës, që pushtetarët e shantazhuar të vendit, pa fije turpi, para syve të FSK-s, ia falën Malit të Zi.

E kush duhet ti ruaj dhe mbrojë më me vendosmëri se ushtria, kufijtë e shtetit të vet, për tjetërsimin e të cilëve ajo nuk mëton të thotë asnjë fjalë?!

Ndërsa, për tu kthyer frika në ankth të pafund si dhe shkaktuar kaos e pasiguri totale, “kryekomandanti suprem i ushtrisë” dhe presidenti kontravers i vendit, Hashim Thaçi, megjithëse ka kohë që ka nisur fushatën më të re për faljen e tokave tjera të Kosovës dhe pothuajse çdo ditë deklaron hapur,se do të bëhen kompromise edhe më të dhembshme, në krahasim me ato të deritanishmet, për arritjen, sërish me falje toke, të kinse një marrëveshje dypalëshe me Serbinë, ajo që do duhej të vihej pa asnjë hezitim në mbrojtje të tokave të vendit, garantojë integritetin territorial dhe sigurojë paprekshmërinë e kufijve të Kosovës, në vend se të ngritët e thotë mjaft, përsëri hesht dhe nga FSK, si ushtri e ardhshme, sërish nuk vije, jo kundërshtim, por asnjë lloj reagim qoftë ai edhe krejt i vakët.

Pse ndodhë kjo, mos vallë u ka premtuar Thaçi gjeneralëve aktual të FSK, se po heshtën edhe kësaj radhe, ai do ti gradojë ata në Mareshal, ani pse pa fituar asnjë betejë me rëndësi në terren dhe pa u shndërruar FSK fare në ushtri, me kusht që ata ta miratojnë edhe faljen e një të tretës së Kosovës, Serbisë gjenocidiale e cila për rreth dy dekada pas luftës , ende mban peng trupat e mbi 1600 të të kidnapuarve, varret e të cilëve ka mese 20 vite që rrinë të hapur, duke pritur kthimin e tyre?! 

A thua mëton njëmend FSK, të jetë vërtetë ushtri shtetërore, apo edhe ajo vet është pajtuar të mbetet polici e Thaçit dhe komandantëve lokal, politika destruktive e të cilëve ka bërë që Kosova, si i vetmi shtet në Ballkanin Perëndimor, ende të mbahet nën "geto" dhe e izoluar nga gjithë bota.

Për aq më keq, duket se ka komandantë të cilët edhe vet ekzistencën e shtetit tonë, e matin me mbajtjen e Thaçit në politikë, dhe megjithëse ai shet e tkurr përditë e më tepër tokat e vendit tonë, mos-reagimi i tyre të krijon përshtypjen sikur disa nga ta edhe hartën e Kosovës, e shohin si “pelenë” për shpëtimin e prapanicës së presidentit nga ndonjë përndjekje e mundshme penale.

Ndaj duke pasur të gjitha këto parasysh, është mese e sigurt se me veprime të tilla, FSK, nuk mund të bëhet ushtri dhe për fatin tonë të mirë, vetëm prania e forcave të NATO-s,që nga paslufta e këtej, ka shpëtuar Kosovën nga ripushtimi dhe mësymjet e Serbisë. 

Hashim Thaçi me sejmenët e vet, në emër të një marrëveshje të ashtuquajtur për normalizimin e marrëdhënieve me qeverinë serbe, qysh në prill të vitit 2013, nga tryeza e bisedimeve, e riktheu sërish Serbinë si hisedarë dhe faktor vendimmarrës në Kosovë.

Kasta e dështuar politike që ai udhëheqë, që nga paslufta vijon pa fije turpi ta gënjej dhe zhvat në vazhdimësi popullin e pa fajshëm të Kosovës, duke premtuar në mënyrë të rrejshme kinse së shpejti do ta formojnë edhe ushtrinë.

E për fat të keq, ushtria jo vetëm se nuk do të formohet as këtë vit, por tanimë flitet hapur gjithandej, se presidenti me shokë edhe ushtrinë e Kosovës e kanë ingranuar si pjesë të marrëveshjes me Serbinë, gjë që paraqet tradhtinë më të rëndë kombëtare e shtetërore të Thaçit dhe suitës së tij ndaj Republikës së pavarur të Kosovës.

Me planin e tij, u nda Mitrovica,ndërsa Kosova me mbi 95% shqiptar, u shndërrua në shtet "multi etnik", më 2004, papritmas u organizuan protesta të pa kuptueshme me sulme mbi objektet fetare ortodokse, pas të cilave u betonuan enklavat serbe, u ngritën e zgjeruan në dhjetëra hektar zonat e mbrojtura dhe krijua eksterritorialitet për kisha e manastiret serbe, u legalizua vjedhja e përvetësimi i çdo pasuri me vlerë, u bë rrënimi total i ekonomisë së vendit dhe kontrabandimi masiv i parave dhe të gjitha aseteve më të çmueshme të Kosovës deri në vendet më të largëta të botës.

Në bashkëpunim me agjentet e UDB-se nga Kosova dhe bashkë koordinim me Aleksandër Vuqiqin, Thaçi arriti ta bind edhe bashkësinë ndërkombëtare për ndarje te Kosovës, vetëm e vetëm që të mos funksionalizohet, apo të paktën ai personalisht të hiqet nga ndjekja penale e Gjykatës Speciale, ani pse ndarja ishte kundërshtuar përherë fuqishëm që në vitet 1992/1993, 2004 dhe 2007. nga SHBA dhe BE si opsion.

E fuqizuar nga Thaçi me shokë, Serbia me ndihmën e Rusisë dhe disa shteteve tjera në rajon dhe botë, janë trimëruar aq shumë dhe ri-ngritur aq ashpër, sa që jo vetëm e kundërshtojnë me të madhe, por edhe luftojnë, jo krejt pa sukses, vet pavarësinë e Kosovës.

Të udhëheqë vendin dhe delegacionin shtetëror, një njeri nën presion të vazhdueshëm dhe shantazh te përhershëm, në bisedimet me një shtet që ka në dorë fatin e karrierës së tij, si Serbia, kjo është vërtetë e pa precedent.

Ndaj, FSK nëse vërtetë mëton të bëhet ushtri, duhet ti ketë parasysh të gjitha këto dhe rreziqet tjera nga brenda dhe jashtë, që i kanosen Kosovës, të shkëputet sa më parë nga faktorët negativ vendor dhe ndikimi partiak, të riorientohet në mënyrë shtetërore dhe shndërrohet në forcë zyrtare të mbrojtjes së vendit, ose të heqë dorë përfundimisht nga mëtimi i saj për tu bërë ushtri.

Mjerisht  me Thaçin në krye, tash e sa vite dhe që nga paslufta e këtej, u jetësuan dhe po realizohen me përpikëri ekscilente të gjitha planet e projekteve më antishqiptare të Serbisë në Kosovë dhe trojet tona në Kosovën lindore dhe Iliridë, me tendencë për zhbërjen e tërësishme të çështjes shqiptare atje.

FSK, pa dyshim, ka në mesin e saj oficer të zot të cilët, jemi dëshmitar se kanë treguar rezultate të shkëlqyeshme, nëpër akademitë më prestigjioze ndërkombëtare, megjithatë partnerët më të mëdhenj ndërkombëtar dhe kryesor të vendit tonë, nisur nga përvoja me këtë organizatë që edhe më tej vazhdon të udhëhiqet nga komandant të lidhur me politikën, misioni i të cilës dirigjohet, jo nga shteti por nga komandantët rajonal, duket se nuk e shohin më domosdoshmërisht FSK-n, si ushtri, por si polici që u shërben njerëzve si Thaçi me shokë dhe jo shtetit të Kosovës.

Fatkeqësisht, produkt i drejtpërdrejtë i gjithë kësaj gjendje kaotike, është politika e inkriminuar kosovare me në krye Hashim Thaçin dhe nëntokën kriminale të vendit, që me ndihmën e agjentëve të UDB-së, miq të ngushtë e këshilltar kryesor të pushtetarëve tradhtar të Kosovës dhe Aleksandër Vuqiçit, pa asnjë kusht dorëzuan Kosovën në duart e Beogradit, duke i mundësuar edhe nonsensin e të drejtës së vetos Serbisë.

Ky është komploti më i madh, ndodhur në variantin më të keq të mundshëm deri më tani, kundër pavarësisë dhe tërësisë territoriale të Kosovës.

Ndaj duke parë se komandantët kryesor të FSK-s, të cilët vazhdojnë të mbajnë pozitat e para udhëheqëse, mbeten kryekëput nën ndikimin e politikës së pushtetarëve të inkrimimuar, dhe nuk janë në gjendje të realizojnë detyra të një ushtrie të njëmendtë shtetërore, NATO kërkon që Ushtria e Kosovës, të themelohet nëpërmjet ndryshimeve kushtetuese, nisë nga e para dhe udhëhiqet nga oficer karriere, të cilët do të ishin në gjendje për mbrojtjen e shtetit, jo të politikës ditore dhe realizonin në teren projektet e NATO-s.

Pra,nga Kosova si shtet i pavarur, sipas të gjitha gjasave do të kërkohet krijimi i një force tërësisht të re dhe ushtrie të njëmendtë profesionale shtetërore, pa ndikime partiake, të pavarur politikisht dhe të udhëhequr nga oficer profesionist, e zonja t’u përgjigjet të gjitha sfidave të sigurisë në tërë territorin e Republikës së Kosovës, garantoj mbrojtjen e vendit nga sulmet e jashtme dhe terrorizmi global si dhe të kontribuojë për paqen kudo, bashkë me partnerët ndërkombëtar.

Një force e gatshme, për të intervenuar brenda dhe jashtë vendit, e cila duhet ta ndryshojë strategjinë e veprimit dhe të jetë në gjendje për tu përshtatur dhe aktivizuar, për kohë sa më të shkurtër, në rrethana nga më të ndryshmet, sipas standardeve më të larta të NATO-s, ushtri e cila di dhe mund të reagoi me kohë për neutralizimin e shpejt dhe efikas të kërcënimeve të çfarëdo natyre, duke filluar nga mbrojtja e integritetit territorial të Kosovës, e deri te pjesëmarrja në operacione të përbashkëta ndërkombëtare, si dhe të jetë e aftë të integrohet në NATO dhe organizmat tjera euroatlantike, njëjtë si ushtritë e shteteve fqinje në rajon ,duke i shërbyer me dinjitet Kosovës dhe nderuar shtetin tonë të pavarur.

Shfaq komentet
comments powered by Disqus
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat
Sondazh
test