“Brukselizimi” i Luginës...

Opinione

“Brukselizimi” i Luginës...

Nga: Sevdail Hyseni Më: 1 gusht 2018 Në ora: 09:16
Sevdail Hyseni

Dialogu i Brukselit, në fazën finale të tij, në mes Prishtinës e Beogradit, ka vënë në qarkullim sloganet politike: “Veriu për Luginën”, “Reciprocitet”, “Ndarje”, “Bashkim”, “Shkëmbim territoresh”, “Korrigjim kufijsh” etj, duke përfshirë nismën preshevare  “Lugina do zgjidhje” dhe “Deklaratën” e këshilltarëve shqiptarë në Preshevë, Bujanoc dhe Medvegjë, për kyçjen e Luginës në procesin e bisedimeve ndërkombëtare.

“Brukselizimi” i Luginës, gjithashtu ka vënë në siklet Prishtinën e Beogradin, pro jo edhe Bashkimin Evropian, i cili është mësuar më lojën e litarit “tërhiq e mos këput”, në mes presidentëve aktual: Thaçi-Vuçiq, për t’i minimizuar marrëveshjet e firmosura teknike deri tani, për t’i kthyer proceset e deritashme në pikën “zero”!

Që nga viti 2011, kur ka filluar procesi për t’i normalizuar marrëdhëniet ndërmjet Serbisë dhe Kosovës, Lugina e Preshevës, nuk ka qenë në agjendën e bisedimeve, bile nga palët negociuese është tërhequr vërejtja për mos aktualizimin e një procesi, i cili nuk është në rend për diskutim. Mirëpo, pas 7 vjet bisedimesh midis Beogradit dhe Prishtinës, në prani të Bashkimit Evropian, doli në sipërfaqe problemi i Luginës së Preshevës, që kërkon zgjidhje në dy fronte: në drejtim të Beogradit me planin 7 pikësh të palës shqiptare dhe me Deklaratën politike të këshilltarëve shqiptarë të Luginës së Preshevës, që kërkojnë Reciprocitet me veriun e Kosovës.

Pavarësisht këtyre sloganeve politike, Lugina e Preshevës, do të shtrohet për diskutim në dialogun e Brukselit e si do të pritet kjo nga pala kundërshtare mbetet të shihet sipas urtisë popullore: “Nxjerr një kashtë, dalin gjashtë!”.

Si do që të jetë mesazhi përmbyllës i Marrëveshjes Paqësore të Brukselit 2018, shqiptarët e Luginës së Preshevës, do të qëndrojnë ashtu siç dinë e si munden, në vatrat e tyre stërgjyshore, duke kujtuara me hidhërim vendimet Berlinit të vitit 1878, kur tokat shqiptare deri te Molla e Kuqe përtej Nishit, mbetën me Serbi, ashtu siç vazhduan të mbesin edhe me Vendimet e Londrës, të vitit 1912, kur Kosova mbeti nën Serbi, të gjitha këto duke u legjitimuar nge Vendimet e Parisit, të vitit 1919, si dhe duke u kurorëzuar me vendimet e Beogradit të vitit 1953, kur Presheva, Bujanoci dhe Medvegja mbetën me Serbi, të cilat edhe sot administrohen nga Beogradi, me qendra rrethi në Jabllanicë dhe Rrethi i Pçinjit.

Duke i parë dhe përjetur dhembshëm vendimet e padrejta të fuqive të mëdha, gjatë historisë, shqiptarët e Luginës së Preshevës nuk presin shumë nga proceset e Brukselit, duke vazhduar rrugën në kërkim të realizimit të vullnetit të tyre historik e politik, pa humbur shpresat te Tirana dhe Prishtina, për mbështetje morale, vëllazërore e kombëtare.

“Brukselizimi” i Luginës, është një hap përpara vetëdijesimit të faktorëve vendorë dhe ndërkombëtarë, për korrigjimin e një të kaluare të errët e të dhimbshme nëpër të cilën ka kaluar kjo krahinë shqiptare, e cila, mjerisht edhe sot është e shtrënguar të privohet nga të drejtat themelore njerëzore, për të mbetur gjallë në tokat e veta, të trashëguara nga baballarët e tyre etnik në jug të Serbisë.

Kjo krahinë shqiptare e njohur herë si Kosovë Lindore e herë si Luginë e Preshevës, për të mos thënë Serbi jugore, ka mbajtur me sukses një Referendum, të vitit 1991, për të bashkuar me Kosovë, pastaj ka zhvilluar një luftë çlirimtare dhe ka arritur një Marrëveshje Paqësore të Konçulit, në vitin 2001, si dhe ka nxjerr një Platformë politike në vitin 2006 dhe disa deklarata politike deri këtë vit 2018, për të gjetur një zgjidhje për Luginën e Preshevës, ashtu siç e dëshiron vullneti politik i qytetarëve të saj.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat