Katolikët, martirë ose…të përdorur?

Opinione

Katolikët, martirë ose…të përdorur?

Nga: Frano Kulli Më: 3 nëntor 2018 Në ora: 15:01
Frano Kulli

Në shpërdorjen e rrëmujshme mediatike të fjalës këtu tek ne, ketyre ditëve është lakuar dendur edhe emri i përgjithshëm: katolik. Në të gjitha rasat është lakuar, në gazeta, në televizione në portalet e shumta e në rrjetet sociale, duke përmbushë kështu edhe atë hapësiren e mjaftë boshe në të cilën mungon përmendja e tij. Shkaku ishte emrimi i zotit Sandër Lleshi, Ministër  i rendit. Dhe njëra prej dy kredencialeve që u lancua si përparësi ishte besimi i tij katolik.

Në të vërtetë, nuk është vështirë të dallohet se vetëm në këto dy mënyra e mbi këta dy kategoritë e përmendura në titullin e këtij shkrimi ka qenë e mundur të ndërtohej një mardhënie e shtetit shqiptar me katolikët e veriut të Shqipërisë, me përfaqësinë më të zgjedhur të tyre, në rend të parë. Në rregjimin e Hoxhës, që përbën gati gjysmën e kohës së qenies së  shtetit shqiptar, mardhënia me katolikët u shfaq që heret, në fillesë si një patologji urrejtjeje. Një urrejtje që mbështetej mbi diferenca ideologjike me elitën e katolikëve. Jo veç prej formimit të tyre në shkollime perëndimore, por edhe për shkak të mardhënies së tyre dashurore me vendin e popullin e vet. Ata, me bindje të palëkundëshme, përgjithësisht ishin kundërshtarë që në zanafillë të ideve komuniste. Por urrejtja mbështetej edhe mbi disnivele kulturore e prirje qytetrimore të ndryshme e madje krejt të kundërta. Nëse katolikët, elitat e tyre më së pari ishin prirja dhe krahu i oksidentit, vijimtarë në hullitë e herëshme të orientimit të shqiptarëve, prijësit e ri komunistë i kishin ngulë piketat e orientimit të tyre në tjetrin krah, andej kah ishte shfaq “ai dreqi i kuq”. Dhe elita e katolikëve, ”fara e zgjedhur”, si me thanë, ishin gjithashtu  edhe prelatë të kishës.

Edhe atëherë kur kjo elitë, në ballë të rilindjes së kombit, do të bashkëngjitej natyrshëm me themelimin e me ringjalljen e shtetit shqiptar, megjithatë mardhëniet me prijësat e tij nuk është se kanë shkuar vaj. Jo veç Fishta e Mjeda a Nikollë Kaçorri, që ishin edhe klerikë por edhe Gurakuqi, një gur i randë fort në themelet e shtetit shqiptar e kontribues i paepur i tij, duke qenë kundruall arbitraritet të prijësve u gjend pabesisht i vrarë…Pastaj, një dekadë e diçka më vonë edhe shkollat katolike, ani pse ishin më të mirat e shkollave të pakta të Shqipërisë, u tentua të ndalen e më pas të mbyllen. U mbyllen, në kohën e Mbretërisë e u bë e mundur të rihapeshin mbas një vendimi të gjykatores së Naltë të Europës.

Për prijësit e shtetit shqiptarë, gjithëherë katolikët kanë qenë të padashtun. Shembujt e historisë, e shumta e vertetojnë këtë, kurse të paktë fort janë shembujt që vertetojnë të kundërtën. Në respekt e nderim të së vërtetës do pohuar kjo.

Kurse komunistët dhe prijsi i tyre paranojak, i demonstroi të gjitha mënyrat edhe më monstruozet për t’i asgjësuar “armiqtë“ katolikë. Me një strategji të kopsitur e të lidhur me “dredhat e djallit” siç do të thoshte Fishta , të egër e të akullt, sikur të kishte përballë e në kundërshti  njerëz “të përtej detit” e jo bashkëkombas të vet, me të gjitha djallëzitë i luftoi deri në sfilitje asgjësuese ata. Direkt me dhunë e egërsi, por tërthorazi edhe me metodat otomaniste, të përdorimit të të vetëve.

Martirët katolikë, Atë Gjon Shllaku, Padre Giovani Fausti, Atë Danjel Dajani, Gjelosh Lulashi, Mark Çuni, Qerim Sadiku (katolik në besim), oren e mbrame para pushkatimit, një tjetër katolik, Tonin Miloti, qe caktuar që të dënuarve prej “gjyqeve të popullit”, t’ua merrte ai fjalën e fundit…

Aspirant Tonin Miloti qe zgjedhur të formalizonte aktin e pushkatimit dhe në fund të proces verbalit, ai firmosë amanetet e tyre. Proces verbalit, në krye të të cilit shkruhej ende: Vdekje fashizmit-Liri Popullit, anipse fashizmi ishte mundur dy vjet e sa më parë. Qe zgjedhur ai edhe pse qe…zëvendësi i prokurorit dhe jo prokurori vetë.Mbasi prokurori vetë duhej me deomos të qe prej të tjerave krahina. E mbas këtij akti nuk vonon shumë e vetë ky Tonin Miloti, pason fatin e viktimave të veta martire…

Punë kasnecësh e njerëzish të vegjël kjo punë.

Se njerëzit e mëdhenj, rilindës të vërtetë prej të cilëve e kemi Shqipërinë, të tjera sjellje e të tjera kode kanë pasë…Eqrem Çabej, albanlogu i famshëm nga Gjirokastra, në një kartolinë urimi do t’i shkruante lirikut të vlertë pogradecar, Lasgushit sqimatar: Lexova “Lahuten…” e u mrekullova. Jam magjepsuar prej saj dhe jam gati të bëhem katolik prej Fishtës.

Mardhënia me katolikët e prijësve të shtetit, përposë egërsisë së skajshme e ka pasë edhe këtë dukurinë e ndërmjetme; ka pasë katolikë shërbyes, që në fillesë janë thirrur atje si përfaqësim në zyrat e shtetit, por kjo vetëm sa për dukje (fasadë). Se më pas janë përcjellë që andej pak a shumë me të njëjtin fat, kur shërbesa e tyre nuk ka gjalluar mâ si nevojë. Porse shëmbëlltyrën e deformimit të kësaj mardhënie të katolikëve të veriut me shtetin e ka sjellë të përkryer kryeminstri aktual i vendit, zoti Edi Rama. Ai mori në institucionet më të larta të ngrehinës së shtetit, si përfaqësimi i katolikëve të veriut, “katolikë” që raportin e vetëm me institucionet e shtetit e kishin pasë me institucionin e riedukimit, kryesisht. Dhe i solli në atë aulën e shenjtë, siç është parlamenti për një komb të qytetruar. I solli ata në ndejëset e Gurakuqit, të Fishtës, të Mjedës, të Maliq Bushatit, të Hilë Mosit e Riza Danit… Vetëm e vetëm si nevojë përdorimi për pushtetin. Për ta siguruar më së pari atë… Por tani që siguria e pushtetit i është zvetnuar, tani që të dy ministrat e rendit i ranë si “limonë të shtrydhur” shpejt i erdhi në nevojë një…ministër katolik. Kjo cilësi i është përmendur si njëra prej dy elementëve të qenësishëm të CV-së tij.Bashkëshoqëruar me background-in e tij serioz profesional në fushën ushtarake, si dhe një konfermë të pëlqyeshme të formimit kulturor, çertifikuar prej shkrimtarit tonë të shquar bashkëkohor, Ismail Kadaesë.

Cilësi dhe çertifikata për Gjeneral Sandrin, të cilat kryeministri ynë i ka aty, në zyrën e tij, bashkë me vetë Gjeneralin këshilltar, që prej 5 a 6 vjetësh. Por që, ja tani po rifreskohen.

Thua si nevojë përdorimi për Gjeneral Sandër Lleshin?

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat