Studentët nuk janë jetimë! - Bota Sot
Studentët nuk janë jetimë!

Opinione

Studentët nuk janë jetimë!

Prof. As. Dr. Enver Bytyçi Nga Prof. As. Dr. Enver Bytyçi Më 6 dhjetor 2018 Në ora: 19:38
Protesta

Sot në Universitetin “Aleksandër Moisiu” studentët organizuan një protestë. Shkova që t’i mbështes ata. Por nga 400 pedagogë, ishim aty 4 prej tyre! Akademikët u fshehen. Disa kalonin aty pranë dhe ironizonin. Një turmë studentësh filluan të provokojnë protestuesit. Ishte e qartë se ata po luanin rolin e grevëthyesit. Thërrisnin kundërparulla, hidhnin batuta ndaj studentëve protestues dhe akuzonin se “Protesta ishte e politizuar”!

Kjo situatë vazhdoi deri në orën 11.20 minuta, kur dikush u largua prej godinës qendrore të Kampusit në Spitallë. Sapo makina kaloi postbllokun studentët provokatorë e grevëthyes u zhdukën. Po mos e kisha parë me sy këtë skenë, nuk do ta kisha besuar!

Prej këtij momenti protesta mori gjallërinë e vet. Studentët e grmubulluar sfiduan grevëthyerjen dhe ia arritën qëllimit!
Me këtë rast kam disa këshilla dhe sugjerime:

- Mos i nxitni studëntët dhe rininë kundër njëri-tjetrit. Ky do të ishte fundi i procesit të rrënimit të shoqërisë sonë! 
- Hiqni dorë nga grevëthyerja. Kjo është metoda më antidemokratike dhe më dinake e pushtetit! 
- Një lutje për kolegët e mij pedagogë dhe akademikë: - Ju mund t’i përkisni bindjeve të ndryshme politike, por ne jemi në auditore, sepse studentët janë aty! Ne u mësojmë atyre se si në Athinën e Lashtë të Perikliut njerëzimi fitoi të drejtën e protestës. E nga ana tjetër u japim mesazhet e nënshtrimit! Mos i përbuzni ata. Studentët kanë nevojë për ju, për fjalën tuaj, për mbështetjen tuaj! Së paku mos u tallni me hallet e sakrificën e tyre!
- Askush të mos guxojë t’i fyejë studentët, sepse fyerja nuk harrohet gjatë gjithë jetës!
- Një lutje për vetë studentët: - Kërkoni që të gjithë doktorët e shkencave dhe profesorët të publikojnë punimet e tyre shkencore e t’i nënshtrohen ekspertizës, si dhe kontrollit të imtë! Ndryshe do ushqeheni me paditurinë dhe mashtrimin!
- Ndërsa në fund një lutje për rektoratin dhe drejtuesit e tjerë: - Pastrojeni universitetin nga ndikimi dhe kërcënimi i bandave dhe kriminelëve që janë fut brenda tij!

Shfaq komentet
comments powered by Disqus
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat
Sondazh Pas votimit të projektligjeve për shndërrimin e FSK-së në ushtri, a mund të ketë inskenime nga Serbia për një luftë të re në Ballkan?
test