Dy letra për Kosovën

Opinione

Dy letra për Kosovën

Nga: Fadil Lepaja Më: 19 dhjetor 2018 Në ora: 14:52
Fadil Lepaja

Kosovës i kanë ardhë dy letra. Dikur letrat ishin mënyra kryesore e komunikimit, në largësi. Qytetarët, apo më mirë me thanë populli, se qytetarë nuk kishte asokohe, shumica ishin analfabet. Prandaj, askush nuk u shkruante letër njerëzve të thjesht, përpos kur shteti kujtohej për ta. Atëherë shteti u dërgonte ndonjë shkresë, të cilën ata duke u dridhur e  lexonin te dikush që dinte shkrim e lexim. Këtë shërbim, e paguanin me ndonjë vezë, e me raste edhe ndonjë pulë/gjel apo ndonjë ushqim tjetër bio. Atëherë së paku, ushqimi ishte bio.

Duke qenë se, asokohe, shteti nuk i shkruante për të mirë, ata e prisnin me drojë çdo letër nga lartë, nga atje ku vendosej për fatin e njerëzve të zakonshëm. Që ta dini, njerëzit u bënë qytetarë vetëm në demokraci, kur  u bënë sundues kolektiv, dhe i zgjodhën në mënyrë demokratike përfaqësuesit e vet, në institucione, pra në kuvend, në RTK edhe në krejt mediat e tjera të (pu)shtetit përfshi edhe rrjetet sociale.

 Ato tash, na i interpretojnë edhe ëndrrat tona, na i lexojnë me zë edhe letrat që vijnë prej lart, pasi ne nuk mund t’u besojmë veç syve tonë as një përkthimi me “google translate”.

Natyrisht, ne duhet të trajtojmë me respekt letrën e zonjës Mogherini,  pasi qysh edhe ajo dhe Be, na trajtojnë me respekt sikur çdo vend të Afrikës apo Azisë. Të shkosh në Evropë, vetëm për Kosovarët, ende nuk është një udhëtim rutinë prej dy orësh me aeroplan. Kjo është loja e vjetër e dashurisë së një anshme. Mjafton që Mogherini, e respekton presidentin.

Por, Amerika po! Qysh e dimë edhe nga kënga e vjetër patriotike, ne nuk kemi frikë, sepse i kemi djemtë në Amerikë. Letra e Mogherinit, nuk na bëri përshtypje shumë, letra e Trump, nxiti interpretime të shumta.

Pra, na kanë ardhur dy letra. Shihet nga letra e saj, se Mogherini, do “Nobelin” me çdo çmim. Asaj, për shembull, i duket realist opsioni i dy presidentëve për këmbim territoresh. Për të është e mjaftueshme, që këta të dy të falin njëri tjetrin, pastaj te fusha e pajtimit në facebook, qytetarët e Kosovës dhe Serbisë të përqafohen virtualisht.

Nga Brukseli, me vite, na kanë informuar se problemi ynë po zgjidhet, se Hashimi po pajtohet me Vuçiçin edhe me kaq mbyllet konflikti historik. Krejt problemi paska qenë se do toka të Hashimit paskan mbet andej e do toka të Vuçiçit paskan mbet këndej. Situata është e thjeshtë, pra, nuk kemi pse luftojmë.

Por, Qeveria dhe parlamenti në Kosovë, si populistë që janë, po thonë se presidenti nuk ka mandat, nuk është palë në bisedime. Nuk mundet me shitë as me ble asgjë, që nuk ja ka lënë baba me tapi, ose që nuk e ka fitua vet ...me djersë!

A është palë në bisedime Presidenti? Varet prej Batonit. Debate pafund po zhvillohen në çdo kafene të Kosovës, përfshi edhe televizionet të cilat kohëve të fundit, për nga adrenalina, edhe ato janë ngritur në nivel kafenesh.

Kështu, ditëve të fundit na kanë ardhur dy letra. Njëra nga Evropa dhe tjetra nga Amerika. Qytetarët, e hutuar po enden prej statusi në status, për me kuptua çka po ndodhë.

 Çka ka dashtë me thanë, me letrën e tij, Presidenti Trump, kjo është pyetja një milionshe? Ajo megjithatë, përkundër interpretimeve, e ve Kosovën dhe interesat e saj në radhë të parë, pastaj i përmend edhe dy presidentët si argat të kësaj pune. Askush më nuk i sheh ndaras, dy presidentët.

Sa për letrën e Mogherinit, askush pesë pare nuk i jep. Aq pare, qysh e dini edhe vet, bëjnë dy pula, sipas këngës që e duan aq shumë kosovarët.

Tash, ju mos u çuditni, prej nga ky komunikim me letra kur dihet se politikën e bëjnë postimet në rrjete sociale.

Me e kqyrë holl e holl, edhe Skenderbeu, në kohën e tij, komunikonte me letra, qoftë me me BE apo me  Washingtonin. Edhe Ismai Qemajli me telegrame, priste leje nga Mogherini për këmbime territoresh. Edhe zogu i I-rë, prej Mogherinit mori leje për Shën Naumin.

 Rrjedhimisht edhe presidenti ende merr letra dhe i poston në facebook. Presidenti Trump, për shembull,  me krejt botën, përmes postimeve në Twiter. Por jo edhe me Hashimin.

Ka dyshime se krejt buxhetin, presidenti po e shpenzon për këto letra, rezervim karrigesh dhe për botim librash. Kompanitë lobuese, munden me t’a rezervua karrigen afër kujt të duash, duke filluar prej presidentit Putin, kancelares Merkel, e deri te presidenti Trump. Munden me sigurue edhe një shtrëngim duarsh apo një fotografim me kë të duash. Kanë lidhje! Munden me porositë një deklaratë për personalitetin e dikujt. Për shembull munden me të quajt Xhorxh Washington të fshatit tënd. Munden me porositë edhe një letër kritike për kundërshtarët e tu. Bota bashkëkohore është rrëfim i rrëfyer nga mediat, që u pëlqen njerëzve. Apo është vetëm mit?

Sidoqoftë, presidenti i vetëm, veç me buxhetin e shtetit, përballet me krejt Kosovën. Pastaj armata e interpretuesve, nëpër borë e nëpër shi, defilon prej ekrani në ekran. Prej portali në portal. Prej batoni te ... Batoni,  dhe anasjelltas.

Eh. Na zuri viti i ri, me halle të vjetra. Babadimri për Krishtlindje, apo vit të ri, sivjet do të i drejtohet popujve me një status në facebook, apo Twiter. Nuk ka dhurata. Kosova ishte përjashtim. Ajo mori dy letra. Njëra për kryetarin e tjetra për Kryeministrin.

Çka është realiste? Zonja Mogherini thotë se nuk është realiste të pajtohet Kosova me Serbinë , dhe se mjafton që dy presidentët të përqafohe dhe ajo të marrë Nobelin!

Dikur, Serbia e presidentit Millosheviç, në vlugun e ndryshimeve kushtetuese, i pat imponuar Kosovës  një udhëheqje. Pastaj xehetarët u mbyllën në miniera dhe kërkonin dorëheqjen e tyre...! Tjerat janë histori!

Qysh e dini, ndryshimet kushtetuese u kryen me dhunë. Zyrtarët e dorëhequr, i tërhoqën dorëheqjet. Kosova hyri në Serbi, dhe Kosovarët dolën prej institucioneve. Më vonë edhe i përzunë prej Kosove. Pastaj u kthyem!

Rreth vicioz, historia!

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat