Kërkesa për Trepçën, Krasniqi tregon pyetjet që qeveria duhet t’ua bëjë zyrtarëve të BE-së

Politika

Kërkesa për Trepçën, Krasniqi tregon pyetjet që qeveria duhet t’ua bëjë zyrtarëve të BE-së

Nga: G.B Më: 5 shkurt 2019 Në ora: 23:38
Ilustrim

BE sot ka kërkuar që në dialogun me Serbinë të përfshihet edhe Trepça, pasi mbrëmë Aleksandër Vuçiq tha se dialogu nuk do të vazhdojë pa u hequr statuti i Trepçës, që është votuar të shtunën në Kuvend.

Lidhur me këtë ka pasur reagime të shumta, e njohësi i çështjeve politike në vend, Faik Krasniqi, ka thënë për gazetën “Bota sot” se BE edhe këtë herë po e dëshmon se është zëdhënëse e Serbisë dhe ajo ushtron presion ndaj Kosovës duke i adresuar kërkesat e Serbisë.

“BE-ja edhe këtë herë po e dëshmon që është zëdhënëse dhe avokate e zellshme e Serbisë. Sa herë që Serbia ka ndonjë kërkesë, BE-ja menjëherë ushtron presion ndaj Kosovës. Kurse kërkesat e Serbisë s'kanë të ndalur. Nëse Serbia nuk dëshiron dialog me Kosovën, as ne s'kemi pse të bisedojmë me ta. Këto bisedime më shumë i hynë në punë asaj se neve”, është shprehur ai.

Image
Faik Krasniqi

Sipas tij, nuk ka bisedime me kushte, taksa nuk guxon të hiqet e as kërkesa për Trepçën nuk bën të merret parasysh.

“S'ka bisedime me kushte. Taksa nuk guxon të hiqet. Në asnjë mënyrë nuk guxon të merret parasysh kjo kërkesë e BE-së dhe Serbisë për Trepçën, sepse Trepça është pasuri e jona, dhe për pasuritë e Kosovës s'mund të flasim me Serbinë. Serbinë e kemi vetëm fqinj, me të cilën kemi një të kaluar shumë të hidhur, por jo edhe hisedar në pasuritë dhe tokat tona. Këtë gjë duhet ta kuptojë edhe BE-ja dhe zëdhënësit e Serbisë brenda BE-së”, ka deklaruar Krasniqi.

Ai jep dhe disa pyetje që qeveria duhet t’ia bëjë çdo zyrtari të BE-së.

“Qeveria jonë një pyetje të thjeshtë duhet t'u bëjë çdo zyrtari të BE-së: Zonja Mogherini, Italia a bisedon me Austrinë apo Francën për pasuritë e saj? Pyetja e njëjtë edhe për zotin Hahn: Austria për pasuritë dhe territorin e saj a bisedon me Gjermaninë, Italinë dhe shtetet fqinje? Kur ata nuk bisedojnë dhe as nuk guxojnë të mendojnë në atë drejtim, pse ne të bisedojmë me Serbinë? Nuk do të habitesha kur nesër BE dhe Serbia do të dalin edhe me ndonjë kërkesë perverse”, ka vlerësuar ai.

Krasniqi fajëson dhe presidentin Thaçi, i cili thotë se u fut në bisedime pa asnjë kusht dhe po tenton ta përmbyll dialogun qoftë edhe duke falur territor.

“Por këtu kemi një fajtor dhe ai është Hashim Thaçi, njeriu që u fut në bisedime me Serbinë pa asnjë kusht, dhe me çdo kusht po mundohet ta përmbyll dialogun me Serbinë, qoftë edhe duke i falë territor. Këtë njeri ne duhet ta ndalim, sepse për bisedime me Serbinë është shumë lehtë. Nuk i vazhdojmë bisedimet deri sa të ndryshohen njerëzit në BE, pasi në Maj të këtij viti janë zgjedhjet në BE. Me largimin e Mogherinit, Hahnit dhe Juncker dialogu me Serbinë merr një kahje tjetër. Dhe një nga kushti për vazhdimin e dialogut duhet të jetë që SHBA të bëhet pjesë e këtij dialogu, në mënyrë që çdo marrëveshje të jetë e garantuar nga SHBA. BE-se nuk i besohet, sepse gjithmonë ka qenë e njëanshme”, ka deklaruar Faik Krasniqi për “Bota sot’.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat