Haki Abazi tregon detaje të reja për koalicionin LDK-LVV: Ja kush po e vështirëson atë

Politika

Haki Abazi tregon detaje të reja për koalicionin LDK-LVV: Ja kush po e vështirëson atë

Nga: G.B Më: 30 gusht 2019 Në ora: 14:40
Albin Kurti dhe Haki Abazi

Kanë mbetur edhe disa orë, deri në mbylljen e afatit për regjistrimin e koalicioneve parazgjedhor.

Megjithëse prej kohësh ka takime dhe bisedime në mes të krerëve të LDK-së dhe VV-së, ende nuk është arritur asnjë koalicion.

Haki Abazi i cili së fundmi i është bashkuar Lëvizjes Vetëvendosje, ka thënë për gazetën “Bota sot: se nga ana e VV-së ka gatishmëri për koalicion me LDK-në, por që përcaktimi i kandidates së LDK-së pa koordinim e ka vështirësuar diskutimin për kandidatin për kryeministër.

“Nga ana e Lëvizjes VV është gatishmëri e plotë për koalicion me LDK dhe kjo është parë me konsistencë të plotë dhe mirëbesim maksimal. Kështu është edhe tani dhe po vazhdojmë me këtë qëndrim. Përcaktimi i kandidates së LDK pa koordinim ka vështirësuar diskutimin për kandidatin për kryeministër dhe rrjedhimisht edhe prioritetet që duhet të ketë ky koalicion qeverisës”, është shprehur ai.

Sipas Abazit, LDK nuk është reformuar dhe brenda ka njerëz që janë kundër koalicionit me VV-në.

“Është fatkeqësi që LDK nuk është reformuar dhe pastruar në zgjedhjet fundit dhe sigurisht që e kanë të vështirë të dalin lehtë me opsionin që krijon rrethana për koalicion me LVV meqë ka individë brenda që kanë qenë kundër dhe vazhdojnë të mbajnë atë pozicion duke e bërë shumë të vështirë arritjen e kompromisit që do të lejonte krijimin e një ekipi që e ç’kap shtetin nga kapja dhe interesat grupore dhe klanore”, ka theksuar Abazi për “Bota sot”.

Ai shpreson që LDK-ja të reflektojë dhe të kalojë çështjet e brendshme dhe të marrë përgjegjësi, pasi qytetarët e duan një koalicion të tillë.

“Qytetarët e duan një koalicion të tillë dhe janë në pritje dhe shpresoj që LDK do të reflektojë dhe do të kapërcejë çështjet e brendshme për të mos krijuar situatë që hedh fajin diku tjetër por merr përgjegjësinë dhe tregon pjekurinë politike para vendit dhe qytetarëve. LVV i ka bërë ofertë për më shumë se një vit LDK-së”, ka deklaruar Haki Abazi.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat