Këtë vendim Rama dyshohet se e mori me direktiva të Beogradit – po e fundos këtë ëndërr të shqiptarëve

Politika

Këtë vendim Rama dyshohet se e mori me direktiva të Beogradit – po e fundos këtë ëndërr të shqiptarëve

Nga: A.M. Më: 22 shkurt 2022 Në ora: 23:01
Edi Rama

Ditë më parë, Qeveria e udhëhequr nga Edi Rama në bashkëpunim me Akademinë e Shkencave të Shqipërisë miratuan vendimin që teknikisht dhe juridikisht në platformat e saj softuerike (MS Windoës, MS Office etj.) të ketë tri gjuhë shqipe: Albanian Albania, Albanian Kosovo dhe Albanian North Macedonia.  

Për këtë gjë, reagoi edhe Qendra për Edukim dhe Përparim në Prishtinë ku vlerësoi se ky vendim i Akademisë së Shkencave të Shqipërisë dëmton të ardhmen e gjuhës shqipe.    

“Përfaqësues të Qeverisë së Shqipërisë, të frymëzuar nga Akademia e Shkencave e Shqipërisë, kanë bërë veprime konkrete për përçarje kombëtare, duke ndikuar, lejuar dhe miratuar trajtimin e gjuhës shqipe si tri gjuhë të ndryshme zyrtare në platformat e Microsoft-it, që përdoren nëpër institucionet shtetërore e arsimore në Shqipëri. Korporata Microsoft, pa fajin e vet, duke respektuar qëndrimin politik dhe juridik të Shqipërisë, ka lejuar teknikisht dhe juridikisht në platformat e saj softuerike (MS Windoës, MS Office etj.) të ketë tri gjuhë shqipe: Albanian Albania, Albanian Kosovo dhe Albanian North Macedonia”, thuhet në njoftimin e lëshuar nga Qendra për Edukim dhe Përparim në Prishtinë.  

Opinionisti nga Shqipëria, Skënder Kapiti në një prononcim për gazetën “Bota sot” kundërshtoi ashpër vendimin e qeverisë së Edi Ramës për ndarjen e gjuhës shqipe në tri regjione.    

Fillimisht, ai u shpreh se gjuha shqipe me dialektet dhe nëndialektet e saj është pasuria e jashtëzakonshme kulturore dhe themeli kryesor kombëtar shqiptar    

Image
Opinionisti nga Shqipëria, Skënder Kapiti

“Gjuha letrare kombëtare, ajo e standardizuar i shërben bashkimit dhe forcimit të unitetit kombëtar. Gjuha shqipe me dialektet dhe nëndialektet e saj është pasuria e jashtëzakonshme dhe thelbësore kombëtare e kulturore, është themeli kryesor kombëtar shqiptar, e cila duhet që të konvertohet e të unifikohet në një gjuhë qytetare e moderne duke mos përjashtuar, por duke e pasuruar gjuhën zyrtare me të gjithë shumëllojshmërinë dhe me diversitetet e të folmes së saj, duke e standardizuar atë me rregulla të cilat duhet të jenë të detyrueshme si gjuhë kombëtare  e shkruar dhe e folur”, deklaroi opinionisti.    

Krahas kësaj, Kapiti vlerësoi se me këtë veprim të Qeverisë Rama për ndarjen e gjuhës në tri grupe, kthehemi në kohën e Vilajeteve shqiptare.  

“Gjuha shqipe , sot nuk duhet të shkojë drejt dialektizmave por duke i studiuar dialektet me qëllim të pasurimit, zhvillimit, të  unifikimit e të gjithëpërfshirjes së gjithë kësaj pasurie të pashtershme dialektore e nëndialektore në funksion të gjuhës letrare. Mirëpo kjo se çfarë fantazon kryeministri Edi Rama me ndarjen e gjuhës shqipe në tri grupe, në atë shqipe të Shqipërisë, shqipe e Kosovës dhe shqipe e Maqedonisë Perëndimore na çon mbrapa, në kohën e Vilajeteve shqiptare”, theksoi ai.     

Më tej, opinionisti potencoi se në këtë vendim të Ramës mund të ketë ndikuar Beogradi, i cili synon të propagandoj se shqiptarët e Shqipërisë janë ndryshe nga ata të Kosovës.  

“Kjo që thotë  Edi Rama është në kundërshti me përpjekjet dhe me veprën e rilindësve kombëtarë,  si dhe duket se  ka ndikim nga Beogradi, cili propagandon  atë se shqiptarët e Shqipërisë janë ndryshe nga ata Kosovës, por Rama e shton edhe një tjetër më shumë, atë se shqiptarët e Shqipërisë, shqiptarët e Kosovës dhe ata të Maqedonisë sikur  kanë gjuhë e kulturë të ndryshme. Kjo që thotë Edi Rama është antizhvillimore dhe regresive, sepse unë kontaktoj dhe kam fisin tim në Kosovë dhe shumë e shumë të njohur shqiptarë nga Maqedonia, dhe kam konstatuar se ata janë shumë të përkushtuar dhe me zell të madh kanë dëshirë  që ta flasin gjuhën standarde  shqipe, madje shpesh pavarësisht se e flasin shqipen sipas dialektit të tyre ata i dëgjon t’i thonë njëri-tjetrit fol shqip, në kuptimin e asaj se fole gjuhën e Tiranës, pra atë letrare”, nënvizoi Kapiti.  

Krejt në fund, ai tha se e gjithë kjo bie në kundërshtim me ëndrrat e brezave që e gjithë bota shqiptare të ketë një gjuhë të standardizuar.  

“Kjo që thotë Rama bie ndesh me përpjekjet dhe me ëndërrta e brezave, të patriotëve, të dijetarëve, të rilindësve, të studiuesve e të gjuhëtarëve shqiptarë për të pasur jo vetëm Shqipëria por e gjithë bota shqiptare një gjuhë të standardizuar. Kjo që thotë Edi Rama është kundër aspiratës së bashkimit kombëtar, dhe sikur shkon në një linjë edhe me disa farë pseudo intelektualësh të cilët kanë hedhur idenë për një komb kosovar, por Rama tani sikur është dakord me këtë, por edhe për një komb të shqiptarëve të Maqedonisë. Kjo nuk ndodh askund, nuk ndodh p.sh. që një kryeministër gjerman të thotë se duhet një gjuhë gjermane për gjermanët e Zvicrës, të Austrisë”, përmbylli Skënder Kapiti për “Bota sot”. 

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat