Në Mal të Zi u krye, tash radhën e ka Maqedonia e Veriut!

Politika

Në Mal të Zi u krye, tash radhën e ka Maqedonia e Veriut!

Vladrin Nuredini Nga Vladrin Nuredini Më 30 prill 2022 Në ora: 20:59
Dritan Abazoviq

E enjtja ishte njëra ndër ditët më të rëndësishme të historisë së shqiptarëve. Në Mal të Zi, një shqiptar për herë të parë në histori të këtij shteti është votuar për kryeministër. Ai është Dritan Abazoviç, i cili anipse i ri në moshë arriti që të depërtonte në skenën politike, e për më tepër në një ambient shumë sfidues, siç është struktura etnike dhe politike në Mal të Zi.

Për herë të parë në histori, ne kemi tre kryeministra shqiptarë në Ballkanin Perëndimor.

Në aspektin strategjik, ky është momentumi më i favorshëm për avancimin e çështjes shqiptare dhe për të marrë një rol më të rëndësishëm e më serioz në strukturat dhe organizatat e huaja ndërkombëtare. Ky është pozicioni që shqiptarët duhet ta ruajnë dhe ta përdorin për promovimin e kombit tonë.

Por, në Maqedoni pavarësisht, që jo zyrtarisht shqiptarët janë më shumë se 40%, ndërsa zyrtarisht 30%, dhe ende nuk e kanë pasur asnjëherë në krye të qeverisë një kryeministër shqiptarë, asnjë president, por vetëm aktualisht një kryetar Kuvendi.

Ngjarjet në Mal të Zi ku 5% e shqiptarëve e arritën këtë, e që janë histori në vete për nga përmbajtja, do të duhej të interferonin edhe në shtetin tjetër fqinjë, Maqedoninë e Veriut. Shqiptarët atje, janë etnia më e madhe e banorëve që e popullojnë shtetin e Maqedonisë.

Është jetike që historia e shkruar në Mal të Zi, të përcillet edhe në Maqedoninë e Veriut.

Kryeministri i katërt shqiptar, së shpejti, por i përkohshëm

Në një prononcim për gazetën “Bota sot”, kryetari i Komunës së Çairit, Visar Ganiu, i cili është nga partia BDI, thotë se momenti i shpalljes së Abazoviçit është historik për ne si komb.

Image
Visar Ganiu

Edhe pse që nga dita kur e kam marrë funksionin, kryetar i Komunës së Çairit, jam zotuar se politikat e vetme me të cilat do të merrem do të jenë politikat lokale, megjithatë ja që ka disa momente që do t’i quaja lirisht historike siç është zgjedhja e Dritan Abazoviçit në krye të Qeverisë së Malit të Zi dhe që u bë kryeministri i 3-të shqiptar, në tre shtete të ndryshme të Ballkanit dhe këto momente nuk të lënë të qëndrosh indiferent ndaj politikës edhe më të lartë”, thotë Ganiu.

Ai është shprehur i bindur se kryeministri i katërt shqiptar do të jetë nga shteti i Maqedonisë së Veriut, pasi që edhe marrëveshja e nënshkruar nga partnerët e koalicionit e parasheh një gjë të tillë.

Dhe po jam i bindur se kryeministri i 4-të shqiptar do të jetë kryeministri i Maqedonisë së Veriut, sepse tanimë ekziston marrëveshja ndërpartiake midis LSDM-së dhe BDI-së që parashikon qartë dhe pa asnjë mëdyshje se kabineti qeveritar i Maqedonisë së Veriut në tre muajt e fundit apo 100 ditëshin e fundit do të drejtohet nga një shqiptar, nga radhët e BDI-së”, ka thënë Ganiu për gazetën “Bota sot”.

Mungesa e rolit unifikues

Ndërsa, njohësi i çështjeve rajonale, Adnan Beqiri, i cili është edhe ligjërues në Shkollën e Diplomacisë, në Gjenevë, të Zvicrës, thotë për gazetën “Bota sot”, se në Maqedoni ka munguar një konsensus i brendshëm mes partive shqiptare dhe krejt kjo ka bërë që kjo shumicë ende nuk e ka pasur rastin ta ketë një kryeministër shteti.

Image
Adnan Beqiri

Siç dihet, e sigurisht se fatkeqësisht, shqiptarët në Maqedoni nuk kanë ditur të luajnë një rol unifikues. Partitë atje, kanë qenë të ndara ndër vite. Sikur kjo të mos ishte, dhe duke pas parasysh ndasitë edhe të partive maqedone (SDSM me VMRO-DPMNE), shqiptarët tani mund të kishin pasur një përfaqësues të tyre si kryeministër qysh moti”, tha Beqiri.

Sipas tij ekzistojnë mënyra të ndryshme se si shqiptarët mund të vijnë në pushtet, por këshilla e tij është që ata të tejkalojnë inatet, të bëhen bashkë dhe që kjo qasje do të ishte shumë më e pranueshme dhe efektive.

Ka shumë pista për t’u eksploruar, e më e mira dhe premtuesja është që në një të ardhme shumë të afërt, them çështje viti, do të ishte mirë që të liheshin anash interesat partiake dhe të organizoheshin rreth një platforme, qoftë edhe të përkohshme, me qëllim të faktorizimit më krucial të shqiptarëve atje. Kuptohet, kjo është ideale dhe vështire e realizueshme, por definitivisht shumë frytdhënëse politikisht”, thotë për gazetën “Bota sot”, ligjëruesi Adnan Beqiri.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat