Kur do të arrihet marrëveshja përfundimtare Kosovë-Serbi? Ky është parashikimi për finalen

Politika

Kur do të arrihet marrëveshja përfundimtare Kosovë-Serbi? Ky është parashikimi për finalen

Petrit Rudi Nga Petrit Rudi Më 30 nëntor 2022 Në ora: 17:14
Albin Kurti dhe Aleksander Vuçiq

Pas arritjes së marrëveshjes për targa në mes të Kosovës dhe Serbisë, tani kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, po kërkon që marrëveshja përfundimtare mes dy vendeve të arrihet para pranverës 2023.

“Jemi pajtuar që të mos e zbatojmë vendimin tonë për të penalizuar drejtuesit e makinave me tabela ilegale serbe, ndërsa Serbia është pajtuar që të mos lëshojë më tabela të trashëguara nga regjimi i Millosheviqit. E bëmë këtë vetëm që ta deeskalojmë situatën, por edhe të krijojmë mundësi për të nisur shpejt negociatat për normalizimin e plotë të marrëdhënieve mes Kosovës dhe Serbisë. Këto negociata duhet të përfundojnë para pranverës së vitit 2023. Ky ishte qëllimi i vërtetë i këtij kompromisi”, deklaroi kryeministri Kurti për gazetën gjermane “Frankfurter Allgemeine Zeitung”.

Jetësohet plani amerikan me emërtimin franko-gjerman

Se objektivi është që marrëveshja të arrihet në vitin 2023, e thotë edhe eksperti i sigurisë, Drizan Shala.

Image
Drizan Shala

“Objektivi ndërkombëtar është që marrëveshja finale në mes Kosovës dhe Serbisë të arrihet brenda afatit me optimal mars-prill 2023 dhe kështu të jetësohet plani amerikan me emërtimin franko-gjerman”, thotë Shala për “Bota sot”.

Sipas tij, që nga qershori i këtij viti, Kurti e ka në duar propozimin franko-gjerman.

Kosova që nga muaji qershor 2022 ka pasur në duart e saj propozimin të sponzorizuar nga bashkësia ndërkombëtare dhe ku kryeministri Kurti pat pranuar në shtator 2022 për të vazhduar formalitetet brenda kornizës së BE-së për një marrëveshje finale. Kosova ka obligim shtetëror që ta zbatojë ASK-në, që të mundësohet bashkëpunimi brenda sistemit të nivelit lokal administrativ, si dhe marrëveshjes ndërkombëtare të Brukselit”, deklaron Shala.

Por, çfarë përfiton Kosova në rast të arritjes së një marrëveshje përfundimtare me Serbinë në vitin 2023?

Në aspektin ndërkombëtar Kosova fiton statusin e një shteti që respekton/zbaton dhe aplikon normat ndërkombëtare, që bazamentin e ka në forcimin e sistemit juridik të kushtetutshmërisë. Me përmbylljen e këtij procesi, Kosova fiton rrugën drejt mekanizmave ndërkombëtar, siç është Bashkimi Evropian dhe NATO-ja, si dhe OKB-ja”, përfundon për “Bota sot”, eksperti i sigurisë, Drizan Shala.

Gabimet e Kosovës

Por, ndryshe mendon doktori i marrëdhënieve ndërkombëtare, Gurakuç Kuçi, i cili kritikon qasjen e Kosovës me çështjen e targave.

Image
Gurakuq Kuqi

Kosova nuk ka treguar aftësi diplomacie, po ashtu nuk është që ka punuar apo po punon që të rregulloj diplomacinë e për më keq as sektorët e brendshëm që e fuqizojnë shtetin. Fatkeqësisht ashtu siç nuk u var implementimi i targave RKS nga fuqia e Kosovës, nuk varet as marrëveshja finale. Tërheqja dhe mosdituria e të bërit diplomaci në çështjen e targave, tregoi se nuk ka përparim në materializimin e vendimeve ashtu si dikur që qeveria Haradinaj nuk dinte që të materializonte embargon 100%”, thotë Kuçi.

Sipas tij, idetë e Kosovës për dialogun në vazhdimësi kanë hasur në vesh të shurdhër.

“Në Kosovë edhe në çështjen e targave, por edhe të asociacionit kemi dhënë opsione e ide diplomatike, mirëpo të gjitha kanë hasur në vesh të shurdhër dhe kam frikë që edhe tek asociacioni rezistenca do zhgënjehet nga vendimet qeveritare ashtu si dikur me çështjen e demarkacionit. Do bëhen gabime të llojit të eksterritorialitetit si me kishat ortodokse duke i bërë të gjitha trashëgimi serbe. Serbet kanë kolonizuar Kosovën pas 1918, a kishat i kanë tjetërsuar duke i bërë shekullore”, deklaron Kuçi për “Bota sot”.

Sipas tij, Kosova nuk është faktor përcaktues në dialog, andaj edhe nuk varet nga ajo marrëveshja finale me Serbinë.

“Marrëveshja duhet të arrihet sa më shpejt, por kam frikë që Kosova nuk do jetë faktori përcaktues i kushteve ashtu si dikur tek pakoja e Ahtisarit. SHBA-ja do e bëjë më të mirën dhe duhet të kemi besim, por janë disa detaje për të cilat ne duhet të marrim pjesë”, përfundon për “Bota sot”, doktori i marrëdhënieve ndërkombëtare, Gurakuç Kuçi.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat