Profesori tregon garancitë, ja kush ia la në dorë Asociacionin kryeministrit Kurti? “Opozita e shfrenuar e quan ‘tradhtar’”!

Politika

Profesori tregon garancitë, ja kush ia la në dorë Asociacionin kryeministrit Kurti? “Opozita e shfrenuar e quan ‘tradhtar’”!

Nga: Nehat Shaqiri Më: 31 mars 2023 Në ora: 13:58
Albin Kurti

Në Ohër kryeminsitri i Kosovës, Albin Kurti pranoi tashmë që të zbatohen marrëveshjet e nënshkruara në Bruksel në dhjetë vitet e fundit, duke marrë përsipër që serbëve t’u jepet një shkallë autonomie vetëmenaxhuese.

Kryeministri është angazhuar për zbatimin e kësaj marrëveshjeje, bazuar në propozimin franko-gjerman dhe për këtë arsye nuk mund të lëvizë nga ky angazhim.

Kështu është shprehur analisti politik prof. dr. Enver Bytyçi, i cili thotë se opozita është shfrenuar kundër Qeverisë.

Sipas tij, janë opozita që Asociacionin ia lanë në dorë Kurtit.

“Opozita është shfrenuar kundër qeverisë Kurti, duke e deklasuar atë madje edhe me sharje fyese si “tradhtar”! Unë mendoj se opozita e Kosovës bën mirë që e kritikon qëndrimin e zotit Kurti për Asociacion dhe krijimin e tij. Kritikat e opozitës e mbajnë qeverinë nën fre. Dhe qytetarët duhet të jenë të gëzuar kur opozita e kritikon qeverinë e kryeministrin në vendimmarrjen e tij. Por në këtë rast minimumi i asaj që do të duhej të bënte opozita do të ishte të kërkonte ndjesë për qëndrimet e saj kur ishte në pushtet. Asociacionin ia lanë Kurtit në dorë si patate të nxehtë pikërisht ata që tani i gërthasin si “tradhtar”, thotë profesori për gazetën “Bota sot”.

Image
Prof. dr. Enver Bytyçi

Profesori tregon se si e sheh Asociacionin që do të krijohet.

“Besoj se do të ketë garanci se ky Asociacion, për të cilin bëhet fjalë nuk do të përshijë kësaj radhe çështjet e sigurisë. Edhe në dokumentin e marrëveshjes kuptohet se serbët do të kenë të drejta specifike në fushën e arsimit, kulturës, shërbimit të shëndetësisë e ndoshta të urbanizimit. Së paku kështu e kuptoj unë projektin e nënshkruar. Çështja është nëse të drejtat e serbëve do të jenë territorial ose jo! Nëse të drejtat e dtyre do të jenë jashtë kornizave të zbatimit të kushtetutës dhe ligjeve në fuqi në Kosovë! Pra nëse këto të drejta do të mënjanojnë institucionet e Kosovës ose jo! Marrëveshja dhe korniza e të drejtave të serbëve në Kosovë nuk duhet të atakojë shtetin, frymën e nenet e kushtetutës, ligjet që ekzistojnë për autonominë lokale etj.”, thotë ai.

Nga ana tjetër, ai shton se duket qartë se Serbia e kërkon Asociacion me qëllim që ta përdorë si kalë Troje kundër sovranitetit të shtetit dhe integritetit territorial të vendit.

“Madje në Beograd po flasin për një Asociacion territorial në katërkomunat e veriut, ndonëse pjesë e këtij Asociacioni janë dhjetë komuna me shumicë serbe. Për këtë arsye mendoj se duhen disa garanci. Garancitë janë dy dimensionesh:

Së pari, garanci nga Bashkimi Europian dhe SHBA-të në aspektin e njohjes së pesë vendeve anëtare të BE-së e katër të NATO-s, si dhe të integrimit të papenguar në strukturat euro-atlantike. Në NATO ndoshta duhet një proces i përshpejtuar integrimi, i modelit të Finlandës dhe Suedisë. Në fund të fundit më e rrezikuar nga agresioni rus në Ukrainë është Kosova, sesa Suedia e Finlanda. Kjo është arsye e mjaftueshme për ta pranuar Kosovën në NATO. Kjo garanton dhe integritetin territorial të saj. E di se NATO kërkon garanci në njohjen e kufijve, kur e pranon një vend në aleancë. Por kjo garanci i duhet kërkuar Serbisë dhe jo Kosovës.

Së dyti, Kosova, përkatësisht zoti Kurti, duhet të inicojë në parlament ndryshime kushtetuese, me të cilat ushtrinë ta bëjë institucion kushtetues dhe po me kushtetutë t’i japë të drejtën e detyrën që të ruajë dhe mbrojë çdo m2 të territorit të sotëm të Kosovës. Të përmirësojë nenin 2, ku flitet për paprekshmërinë e territorit e mostjetërsimin e tij, duke përcaktuar edhe pasojat që rrjeshin nga ndonjë nismë e çmendur për ndryshim kufijsh apo shkëmbim territoresh. Të konkretizojë me kushtetutë detyrat e ushtrisë, policisë, forcave speciale në të gjithë territorin, pavarësisht përkatësisë etnike e fetare të banorëve, si dhe të forcojë dënimet kundër kriminalitetit dhe bandave që veprojnë, siç kanë vepruar për 24 vite në veri të vendit!”, thotë profesori.

Ai shton se, nëse serbët duan Asociacion, ata duhet të votojnë ndryshimet kushtetuese në mbrojtje të integritetit territorial të vendit.

“Nëse Beogradi është i sinqertë në kërkesën e tij për të respektuar edhe në këtë formë të drejtat e serbëve në Kosovë, atëherë ai nuk duhet të kundërshtojë këto ndryshime kushtetuese. Një iniciativë për ndryshime kushtetuese për të forcuar integritetin territorial të vendit do të vejë në sprovë përfaqësuesit politikë të serbëve në Kosovë, si dhe qëndrimin e sinqert të autoriteteve të Beogradit. Nuk mund të krijohet një Asociacion për komunat me shumicë serbë në Kosovë, i cili të veprojë si Kalë Troje, si në këto 24 vite për të realizuar ëndërrën e Serbisë së Madhe!”, përfundon profesori Enver Bytyçi.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat