E keqja më e madhe që Haradinaj ia shkaktoi Kosovës

Politika

E keqja më e madhe që Haradinaj ia shkaktoi Kosovës

Naile Ejupi Nga Naile Ejupi Më 15 janar 2018 Në ora: 12:21
Ramush Haradinaj, flamuri i SHBA

Zëdhënësi i gardës së Iowa-s, Greg Hapgood, ka konfirmuar se kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj, nuk ka mundur ta marrë vizën amerikane.

Haradinaj pritej të merrte pjesë më 11 janar në një ngjarje të organizuar nga Komandanti i Gardës Nacionale në Iowa, Timothy E. Orr.

“Kryeministri Haradinaj ka qenë i ftuar nga gjenerali Orr në atë ngjarje, mirëpo është për keqardhje që ai nuk ka mundur ta marrë vizën dhe të jetë së bashku me ne”, ka thënë kolonel Greg Hapgood, zëdhënës i gardës së Iowa-s.

Sipas Hapgood, në vend të Haradinajt ka marr pjesë zëvendëskryeministri Behgjet Pacolli.

Përkundër që zyrtari amerikan ka pranuar se viza e Haradinajt është refuzuar, ky i fundit refuzon ta pranojë këtë.

Ndërkaq, analistët politikë refuzimin e vizës së Kryeministrit nga vendi më i madh në botë e konsiderojnë presion direkt të Amerikës kundrejt tij.

Refuzimi me mesazh jo pozitiv

Sipas analistëve, qeverisja dhe veprimet e tij kanë ndikuar që SHBA-ja t’i japë përgjigje negative.

Analisti politik Blerim Burjani, e ka konsideruar sinjal jo pozitiv refuzimin e vizës.

Image
Blerim Burjani

Sipas Burjanit, Haradinaj është cilësuar si njeri problematik dhe që nuk ka përkrahje të ndërkombëtarëve, mirëpo qytetarët e kanë dëshiruar prandaj ata do t’i mbajnë pasojat.

“Refuzimi i vizës nga shteti i Amerikës nuk është sinjal pozitiv, është diçka që duket se duhet patjetër dëgjueshmëri edhe pse kjo çështje thuhet të jetë administrative dhe është varur nga dokumentet që i kanë dorëzuar për vizë nga një njeri që është mandatar apo Kryeministër i zorit. Ende nuk ka ndonjë deklaratë zyrtare të SHBA-së për këtë çështje, as që është marrë me këtë temë në mënyrë serioze. Ky Kryeministër është cilësuar moti si njeri problematik, pra nuk ka pasur ndonjë përkrahje apo kurrfarë nga shumë qarqe ndërkombëtare e kuptim politik, megjithatë ky njeri ka vazhduar të merret me këtë zanat, pa marrë parasysh se ka pasur rezistencë ndërkombëtare. Në këtë temë ka shumë politikanë të padëshiruar ndërkombëtarisht, por qytetarët po i votojnë, andaj pasojat i mbajnë qytetarët. Pra, në Kosovë ka njerëz që pa marrë parasysh se janë kredibil për politikën vendore dhe ndërkombëtare e sidomos me merren me këtë temë dhe ka pasur edhe shumë diskutime për njerëz që janë të korruptuar dhe janë pasuruar nga pasuria publike”, ka pohuar Burjani.

Ndërsa, analisti Jeton Kelmendi është shprehur se veprimet individuale të Haradinajt kanë ndikuar që t’ia refuzojnë vizën.

Image
Jeton Kelmendi

Kelmendi tregon mesazhet të cilat Amerika ka mundur t’i japë Kryeministrit përmes refuzimit të vizës.

“Mendoj se refuzimi i vizës nga titullarët e Kosovës nuk është refuzim i vitit, në një lloj mënyre është refuzim i kryetarit të Qeverisë kushdo qoftë ai, në këtë rast është një nga tre figurat më të rëndësishme të shtetit, prandaj mendoj se e ka gjunjëzuar Kosovën, veprimet individuale të këtij njeriu të papërgjegjshëm sigurisht ka ndikuar që t’ia refuzojnë vizën. Ka dy konotacione, sepse ka një mesazh se po refuzon si një individ t’i thonë “thirri” mendjes o Kryeministër se nuk je ai që “luan” me Amerikën, pra është mesazh i qartë. Por, në anën tjetër ka edhe konotacionin e dytë, duke e pasur parasysh Kosova e vogël dhe kryetarit të Qeverisë nuk i jepet viza, është një turp për të gjithë qytetarët e Kosovës. Por, është një përgjegjësi për gjithë qytetarët që mos t’iu besojnë një njeriu aventurier si puna e Kryeministrit të Kosovës”, ka theksuar Kelmendi.

Vendimet që ranë “ndesh” me ligjin

Duke komentuar arsyet të cilat mund ta kenë shtyrë SHBA-në që t’ia refuzojë vizën Kryeministrit, Kelmendi ka shtuar se mund të jetë politika e tij që ka rënë ndesh me Amerikën, veprimet e tij.

“Nuk dua ta paragjykoj, natyrisht nuk i di edhe arsyet se përse nuk ia kanë dhënë vizën, mirëpo arsyet e vizës së SHBA-së ka qenë një sepse vazhdimisht ka ra ndesh me politikat amerikane, pra çështja e demarkacionit, vendimet e tij arbitrare për vazhdimësi për faljen e disa milionave dhënë korporatës për ndërtimin e rrugës “Arbër Xhaferi” për Shkup, vendimet e një pas njëshme që kanë rënë ndesh me ligjin, por kryesorja ka qenë tentativa për të zhbërë Gjykatën Speciale, e cila ka qenë një mesazh shumë i qartë nga SHBA-ja që mos ta bëjnë dhe kokëfortësia e njeriut të papërgjegjshëm Ramush Haradinaj, ka bërë që vazhdimisht të bëjë një sërë skandalesh dhe këto mesazhe i jepen që qytetarët të shikojnë” shih ne i refuzojmë” dhe ju këtu e zgjidhni një kryeministër të papërgjegjshëm e dështojmë krejt Kosovën, pra kthjelleni mendjen”, ka nënvizuar Kelmendi.

Edhe pas deklarimit të Zëdhëndësit  të gardës së Iowa-s, Greg Hapgood për refuzimin e vizës, Haradinaj nuk e ka pranuar këtë duke pohuar se vazhdon të jetë në pritje dhe se në momentin që do ta marrë vizën do të udhëtojë për në Amerikë.

Ndërkaq, Amasada e SHBA-së në Prishtinë nuk ka dalë me ndonjë prononcim lidhur me vizën e Kryeministrit.

Analisti politik Skender Zogaj, thotë se fillimisht Zyra Amerikane në Prishtinë duhet të tregojë arsyen e mos dhënies së vizës, përndryshe nëse jo deri më tani mbetet supozim gjithçka.

Image
Skender Zogaj

E keqe e madhe për Kosovën

Mirëpo, Zogaj ka shtuar për “Bota sot” se mos shkuarja e Haradinajt në Amerikë më shumë se për të është e keqe e madhe për Kosovën.

“Që të mund të vlerësohet saktësisht gjendja, kërkohet informacioni i plotë dhe zyrtar, sepse, me rastin e vizave janë një varg formalitetesh të cilat, nganjëherë edhe për çështje krejtësisht të vogla dhe të parëndësishme, dalin pengesë për marrjen e vizës, sidomos për në SHBA, që, ka një disiplinë ekstreme pavarësisht se për kënd bëhet fjalë. Zyra Amerikane në Prishtinë hiç nuk e ka për turp që të tregojë arsyen e mos dhënies së vizës, prandaj derisa nuk e ka thënë troç arsyen, gjithçka që thuhet është supozim, e supozimet nuk janë të mira, sepse, me thashetheme dhe shpifje e kemi sjellë vendin në pikën kritike të ekzistencës. Është mirë të jemi më racional dhe të lëmë të zhvillohen ngjarjet sipas rrjedhës së natyrshme, sepse, koha është tepër e turbullt dhe nuk bëjmë mirë që t'ia shtojmë mjegullën! Mos shkuarja e Kryeministrit të Kosovës në Amerikë, më shumë se për Ramush Haradinajn ,është e keqe e madhe për Kosovën”, ka pohuar Zogaj.

Image
Dardan Islami

Ndërsa, opinionisti Dardan Islami është shprehur se pasi që ende nuk ka marrë refuzim, kjo formë është presion direkt ndaj tij.

Sipas Islamit, strategjia qeverisëse e Haradinajt duhet të përfundojë me ratifikimin e marrëveshjes me Malin e Zi, përndryshe vendi rrezikon shumë.

“Ai ende nuk ka marrë refuzim kam përshtypjen, por kjo formë e sancionit është presion direkt ndaj tij dhe ka të bëjë me demarkacionin. Është hera e pare ku vendorët nuk përfillen as këshillat e as kërcënimet të miqve perëndimore dhe deri sa presidenti po hakmerrej me iniciativën e tij siç e pranoi vetë i "mashtruar nga perëndimorët",  Kryeministri u nisë me hapin se për çdo gjë që jap në negociata, unë edhe kërkoi diçka tjetër, edhe pse i shqyer nga të tjerët, ai e shfrytëzoi momentin për t’i tregu qëndrimet e tij ashtu siç bëri edhe në Bruksel. Kjo strategji medoemos duhet të përfundojë me ratifikimin e marrëveshjes me Malin e Zi, përndryshe rrezikojmë shumë! Nëse ndodh para 4 shkurtit besoj se ai do të jetë në Uashington në “Lutjet e mëngjesit””, ka deklaruar Islami.

Kryeministri Haradinaj, javën e kaluar ka marrë pasaportën shqiptare për të cilën ka thënë se do ta mbajë me nder dhe nuk do ta shfrytëzojë.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat