Baba Vanga nuk la asnjë profeci të shkruar: kush ia shkruan atëherë çdo vit?

Profeci

Baba Vanga nuk la asnjë profeci të shkruar: kush ia shkruan atëherë çdo vit?

Nga: b.S. Më: 18 nëntor 2026 Në ora: 23:05
Rupite, në jugperëndim të Bullgarisë, ku Baba Vanga kaloi vitet e fundit të jetës

Çdo fund viti, në portale e rrjete sociale rikthehet i njëjti emër: Baba Vanga. Lufta e Tretë Botërore, zhdukja e Evropës, takimi me jashtëtokësorët – të gjitha i "parashikoi" një grua e verbër bullgare që ka vdekur para tridhjetë vjetësh. Ka vetëm një problem: ajo nuk la asnjë rresht të shkruar. Kush i shkruan, atëherë, profecitë e saj?

Vajza që e mori stuhia

Vangelija Pandeva Surçeva lindi më 3 tetor 1911 në Strumicë, qytet që atëherë ishte pjesë e Perandorisë Osmane dhe sot ndodhet në Maqedoninë e Veriut. Lindi para kohe, nëna i vdiq kur ishte rreth tre vjeçe, ndërsa familja ra në varfëri pas luftërave që e ndanë Ballkanin në ato vite.

Historia e verbërisë së saj është vetë gjysmë legjendë. Sipas mbesës dhe biografes së saj, Krasimira Stojanova, rreth moshës 12–13 vjeçe një shakullinë e ngriti në ajër dhe e hodhi në një fushë. E gjetën pas një kërkimi të gjatë, me sytë plot rërë e pluhur. Operacionet në Shkup nuk ia shpëtuan shikimin, sepse familja nuk kishte para për trajtimin e plotë. Nga viti 1925 ajo ndoqi për rreth tre vjet një shkollë për të verbër në Zemun, ku mësoi alfabetin Braille, pianon dhe punët e shtëpisë.

Fama i erdhi gjatë Luftës së Dytë Botërore. Në vitin 1942 u martua me Dimitar Gushterovin dhe u vendos në Petriç, në jugperëndim të Bullgarisë. Njerëzit nisën t'i trokisnin në derë për të pyetur për të afërmit e zhdukur në front: a janë gjallë, ku kanë rënë. Sipas burimeve bullgare, thuhet se e vizitoi edhe cari Boris III.

Profetja që e paguante shteti

Pas luftës, regjimi komunist fillimisht u përpoq ta pengonte, por radha para shtëpisë së saj nuk u ndal. Atëherë shteti zgjodhi një rrugë tjetër: ta kontrollonte. Në vitet '60 e studioi psikologu Georgi Lozanov, ndërsa Instituti i Sugjestologjisë, i krijuar pranë Akademisë Bullgare të Shkencave, kishte ndër detyrat kryesore studimin e "aftësive" të saj. Komuna e Petriçit e punësoi, vizitat u bënë me pagesë – 10 leva për bullgarët dhe 30 për të huajt – dhe një pjesë e të ardhurave i shkonte shtetit. Rrjeti Ballkanik i Gazetarisë Investigative (BIRN) shkruan se ajo merrte rrogë nga regjimi i Todor Zhivkovit dhe se ishte e lidhur me vajzën e diktatorit, Ljudmila Zhivkova.

Thuhet se te Vanga shkuan anëtarë të Byrosë Politike, intelektualë dhe, sipas disa burimeve, edhe udhëheqësi sovjetik Leonid Brezhnjev. Emri i saj u përhap në gjithë Bllokun Lindor. Në vitin 1994, me paratë e vizitorëve, në Rupite u ndërtua kisha e Shën Petkës, pranë së cilës ajo u varros pas vdekjes, më 11 gusht 1996. Shtëpia e saj në Petriç u kthye në muze në vitin 2008.

Asnjë rresht i shkruar

Këtu fillon enigma e vërtetë – jo ajo që shesin titujt. Vanga ishte gjysmë e shkolluar dhe nuk i shkroi kurrë "profecitë" e saj. Nuk ka ditar, nuk ka libër, nuk ka regjistrime të seancave. Gjithçka që dimë vjen nga rrëfimet e të tjerëve, shpesh të shkruara vite pas ngjarjeve.

Kjo e ka bërë emrin e saj një etiketë që mund t'i ngjitet çdo gjëje. Ndjekësit i atribuojnë asaj parashikimin e sulmeve të 11 shtatorit, me fjalinë e famshme për "vëllezërit amerikanë" që do të bien nga "zogjtë e çelikut", fundosjen e nëndetëses ruse "Kursk", shpërbërjen e Bashkimit Sovjetik dhe zgjedhjen e presidentit të parë afroamerikan në SHBA. Por për asnjërën prej këtyre "goditjeve" nuk është gjetur ndonjë dokument i datuar para ngjarjes që ta vërtetojë.

Ndërkohë, parashikimet që i atribuohen dhe që mund të kontrolloheshin kanë dështuar. Lufta bërthamore mes viteve 2010 dhe 2016, që do ta linte Evropën pa njerëz, nuk ndodhi. Presidenti i 44-t i SHBA-së nuk doli "i fundit". Finalja e Kupës së Botës 1994 nuk u luajt mes dy ekipeve emri i të cilave nis me "B".

As "parashikimet" për këtë vit nuk qëndrojnë. Për vitin 2026, interneti i atribuoi Vangës fillimin e Luftës së Tretë Botërore dhe një anije gjigante jashtëtokësore që do të hynte në atmosferë pikërisht në nëntor. Jemi në gjysmën e dytë të nëntorit: anija nuk është dukur, dhe askush nuk ka gjetur ndonjë dëshmi që Vanga ta ketë thënë ndonjëherë këtë. E njëjta vlen edhe për "kalendarin" e famshëm të profecive deri në vitin 5079, burimi i të cilit mbetet i paqartë.

Kush flet në emër të saj

Njerëzit që e njohën thonë se Vanga merrej kryesisht me hallet e vizitorëve: shëndetin, të afërmit, vendimet familjare. Ivan Dramov, nga Fondacioni Baba Vanga, të cilin ajo vetë e drejtoi në vitet e fundit të jetës, i ka quajtur gënjeshtra të plota pretendimet për luftëra botërore e katastrofa bërthamore. "Të gjithë i vënë në gojë fjalë që ajo nuk i ka thënë kurrë", ka deklaruar shkrimtarja bullgare Zhenja Kostadinova, autore librash për Vangën, në një reportazh të gazetës britanike "The Guardian".

Shumë nga "profecitë" e mëdha – rënia e Bashkimit Sovjetik, e ardhmja e lavdishme e Rusisë, epërsia e saj mbi Amerikën – të çojnë te shkrimtari rus Valentin Sidorov, i cili pretendonte se e kishte takuar Vangën në vitet '70. Këto takime nuk janë dokumentuar askund. Viktoria Vitanova-Kerber, studiuese në Universitetin e Fribourgut në Zvicër, thotë se pikërisht paqartësia e burimeve e ka bërë Vangën një mjet të përshtatshëm propagande. Sipas saj, pas Sidorovit doli një brez i tërë "ekspertësh" rusë, që i përshtatën profecitë me narrativat antiperëndimore, deri te justifikimi i pushtimit të Ukrainës. Studiuesit Mary Neuburger dhe Adam Hanzel nga Universiteti i Teksasit në Austin kanë arritur në një përfundim të ngjashëm: "e vërteta" e Vangës shpesh i shërben regjimit të Putinit.

Këto tregime arrijnë edhe te lexuesi shqiptar. Një studim i BIRN Shqipëri i vitit 2024 gjeti të paktën një duzinë artikujsh në mediat shqiptare, kryesisht me citime nga mediat ruse, që përdornin "parashikimet" e Vangës për të përforcuar narrativa kundër NATO-s dhe BE-së. Në dhjetor 2025, BIRN-i shkruante se modeli përsëritet çdo fund viti: një burim anonim në rrjete sociale, pastaj tabloidet britanike, pastaj përkthimi copy-paste në portale e televizione, i paketuar si kuriozitet.

Gruaja e verbër nga Strumica ndoshta kishte një dhunti tjetër: dinte të dëgjonte. Njerëzit i tregonin hallet, frikërat e shpresat, dhe ajo u përgjigjej. Por ajo që sot qarkullon me emrin e saj nuk është zëri i saj. Është zëri i atyre që kanë nevojë që dikush, diku, ta ketë parë të ardhmen – dhe ta ketë parë pikërisht ashtu siç u leverdis atyre. Enigma e Baba Vangës nuk është çfarë pa ajo. Është pse vazhdojmë t'u besojmë atyre që flasin në emër të saj.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat