Protestat studentore në Shkup për mbrojtjen e gjuhës shqipe kanë hapur debat të gjerë për qëndrimin e faktorit politik shqiptar në Maqedoninë e Veriut dhe të Tiranës zyrtare. Publicisti Adriatik Riza Dosti, në një reagim publik, ka ngritur një sërë pyetjesh për heshtjen institucionale, trajtimin e protestuesve shqiptarë dhe mungesën e një qëndrimi të qartë shtetëror ndaj kësaj çështjeje.
Postimi i plotë i Adriatik Riza Dostit:
A më sqaron dot kush...
Pse Ali Ahmeti, politikanë të tjerë shqiptarë në Maqedoni si dhe koalicioni VLEN, në vend që t’u prinin studentëve në protestën e tyre për përdorimin e mbrojtjen e gjuhës shqipe, zgjodhën rrugën e “uljes në tavolinë” me Mickoskin për t’u marrë vesh...
Përse Shqipëria, menjëherë pas protestës studentore të Shkupit, e hoqi ambasadorin e saj atje, z. D. Mejdani, i cili ishte një mbështetës i fuqishëm i protestës, i studentëve dhe i përdorimit të gjuhës shqipe në Maqedoni, dhe e zëvendësoi atë me ambasadorin tonë në Prishtinë?
A mund të më thotë kush se cili është qëndrimi zyrtar e shtetëror i shtetit shqiptar, kur protestues shqiptarë paqësorë të ardhur nga Shqipëria në mbështetje të motrave e vëllezërve të tyre janë bllokuar në kufirin maqedonas, janë keqtrajtuar e kthyer mbrapsht?
Ata që kanë mundur të hyjnë më pas janë arrestuar, dhunuar fizikisht e janë përcjellë forcërisht për në Kumanovë...
A mund të më thotë kush se cili është qëndrimi zyrtar i shtetit shqiptar për protestën studentore të Shkupit në mbrojtje të gjuhës shqipe? A është me Mickoskin e Ali Ahmetin apo është në krah të studentëve shqiptarë?
A mund të më thotë kush pse Shqipëria, që është palë e Marrëveshjes së Ohrit, kurrë nuk ka guxuar t’i kërkojë hesap Maqedonisë për shkeljen e vazhdueshme e brutale të saj?
A më sqaron dot njeri pse Shqipëria ende s’e ka ngritur zërin për dhjetëra studentë shqiptarë të arrestuar e të keqtrajtuar nga policia maqedonase pas protestës së Shkupit?
A mund të më thotë kush ndonjë fjalë pse nuk ka asnjë lloj reagimi zyrtar prej Shqipërisë lidhur me dhunën antishqiptare që ka muaj të tërë që ka shpërthyer në stadiumet e Maqedonisë, ku ndeshjet e futbollit janë shndërruar e shoqëruar me djegie të flamurit kombëtar shqiptar, me parulla raciste e denigruese ndaj shqiptarëve e deri në përleshje të dhunshme fizike?
A mund të më thotë kush se cili ka qenë dhe është qëndrimi zyrtar i Ali Ahmetit dhe faktorit politik shqiptar në Maqedoni, sidomos i qeverisë dhe shtetit shqiptar të Ramës e Begajt, kur në Ohër dhunohet sistematikisht prej vandalëve maqedonas Muzeu historik i Manastirit të Gjuhës Shqipe?
A mund të më thotë kush se ku e gjen këtë guxim, kurajo e mbështetje shteti maqedonas që t’u mohojë kaq dhunshëm shqiptarëve në trojet e tyre amtare historinë e tyre kombëtare, përdorimin e flamurit të tyre kombëtar e gjuhën e tyre amtare?
Në pritje të ndonjë sqarimi të mundshëm prej atyre politikanëve e zyrtarëve të lartë shqiptarë të Tiranës e të Shkupit që ende thonë se flasin shqip...
A.R.D.