Publicisti Adriatik Riza Dosti ka reaguar përmes një postimi në Facebook, duke komentuar zhvillimet politike në Kosovë dhe kritikat ndaj kryeministrit në detyrë, Albin Kurti, në prag të zgjedhjeve të 7 qershorit.
Dosti ka vlerësuar sloganin “Krejt për shtet e shtet për krejt”, duke e cilësuar si një mesazh të drejtë dhe të mençur për qytetarët e Kosovës.
Ai ka reaguar ndaj kritikave për ndarjen e mjeteve financiare nga Qeveria Kurti, duke thënë se mbështetja prej 2 milionë eurosh nuk është bërë për interesa personale, por për vajzat, nënat dhe baballarët e diasporës.
Sipas tij, diaspora shqiptare i sjell Kosovës mbi 1 miliard euro çdo vit, prandaj kujdesi ndaj saj nuk duhet të shihet si veprim elektoral, por si respekt ndaj një pjese të rëndësishme të kombit.
Dosti ka përmendur edhe vendosjen e mbishkrimit shqip dhe flamurit të Kosovës në stacionin hekurudhor në Zveçan, duke thënë se Qeveria Kurti e riktheu nën kontroll atë hapësirë në shërbim të shtetit të Kosovës.
Në reagimin e tij, ai kritikoi ashpër edhe opozitën, duke përmendur PDK-në, LDK-në dhe AAK-në, për të cilat tha se po sulmojnë Kurtin me inat politik, pavarësisht vendimeve që, sipas tij, kanë qenë në dobi të qytetarëve.
Dosti ka theksuar se mbështetja për nënat lehona, pensionet minimale dhe ndihmat për fëmijët e studentët nuk janë bërë për familjarët e Kurtit, por për qytetarët e Kosovës.
Në një pjesë tjetër të reagimit, Dosti ka shkuar edhe më tej, duke akuzuar disa figura të njohura politike dhe ish-udhëheqës të luftës se, sipas tij, përgjegjësitë për vrasjet politike dhe goditjet pas shpine ndaj veprimtarëve e ish-luftëtarëve nuk mund t’i atribuohen Albin Kurtit, por figurave të tjera të skenës politike të pasluftës.
Ai ka përmendur me emër Hashim Thaçin, Kadri Veselin, Fatmir Limajn, Ramush Haradinajn dhe Sami Lushtakun, duke i lidhur me klimën politike të pasluftës dhe me akuzat që, sipas tij, padrejtësisht po i adresohen Kurtit.
Dosti ka kritikuar edhe mënyrën e pasurimit të disa figurave politike në Kosovë, duke thënë se në lagje luksoze si Marigona Hill nuk jetojnë Albin Kurti, Albulena Haxhiu, Donika Gërvalla apo Glauk Konjufca, por figura të tjera të politikës, të cilat ai i akuzon për pasurim të madh në kurriz të qytetarëve.
Më tej, ai ka theksuar se LVV-ja dhe Albin Kurti nuk po e kërkojnë votën duke sulmuar fizikisht kundërshtarët politikë, siç, sipas tij, kanë vepruar disa figura të tjera politike me grushte, telefona apo gota ndaj rivalëve të tyre.
Në fund të këtij reagimi, Dosti ka kritikuar edhe deklarimet e Ganimete Musliut, duke thënë se sipas tij nuk është Kurti ai që po e destabilizon Kosovën, por ata që, siç shprehet ai, po e bllokojnë, sabotojnë dhe kërcënojnë vendin çdo ditë.
Në mbyllje, ai ka bërë thirrje që qytetarët të mendojnë mirë para zgjedhjeve, duke thënë se ka ardhur koha që populli i Kosovës t’i bëjë llogaritë me ata që, sipas tij, e kanë dëmtuar vendin.
“Sepse sado e gjatë dhe e errët të jetë nata, mëngjesi i ditës së re do të gdhijë se s’bën. Ku ka besim, ka edhe shpresë”, ka shkruar Dosti.