Pa dyshim, Zoti i ndjenë lutjet e agjëruesit të sinqertë

Religjion

Pa dyshim, Zoti i ndjenë lutjet e agjëruesit të sinqertë

Nga: Afrim Tahiri Më: 12 maj 2021 Në ora: 23:33
Afrim Tahiri

“Këta janë ata që pendohen, që e adhurojnë Allahun, e falënderojnë Atë, që agjërojnë, përkulen (në namaz), bien në sexhde (gjatë namazit), urdhërojnë vepra të mira, pengojnë të këqijat dhe u përmbahen kufijve të caktuar nga Allahu. Jepu lajmin e mirë besimtarëve!” (Et Teube, 112)

Të dashur besimtarë, motra e vëllezër

Le t’ia drejtojmë të gjitha falënderimet më të përzemërta Allahut Mëshirëplotë, që na e mundësoi të agjërojmë edhe një Muaj të Ramazanit! Ndonëse në situatë jo të favorshme shëndetësore, ndonëse nën kërcënimin e pandashëm të pandemisë Kovid-19, ia dolëm ta shijojmë nektarin e bekuar që mund ta gjejmë vetëm në çastet e agjërimit! Përveç vdekjes, nuk ka forcë tjetër që mund ta pengojnë lidhshmërinë e besimtarit me Krijuesin e vet, sidomos gjatë agjërimit lutjet janë më të shpeshta e më të përshpirtshme.

U lutëm, për shëndet, për më shumë mbarësi, për mirëqenie, për rehati shpirtërore, sociale, ekonomike për të gjithë ata që janë në nevojë, u lutëm për paqe e begati gjithandej në botë!

Përkundër problemeve pandeminë me të cilat u përballëm, sidomos ne myslimanët e vendit gjatë këtij agjërimi, gjithsesi që na munduan shumë edhe skandalet, aferat, padrejtësitë, hipokrizitë dhe manipulimet e përditshme të “parisë sonë fetare”, e cila doli nga një urdhër i “urdhëruesit misterioz”!

Mbase edhe këtë situatë të palakueshme e kemi sprovë nga Allahu xh.sh. për mëkatet tona eventuale, për mossinqeritetin tonë absolut ndaj Absolutit tonë! Të kalosh një agjërim nën pallavrat e “produktit” që nuk është prodhim as i vendit dhe as i banorëve (myslimanëve) të vendit, kjo po që është një sprovë e pastër para së cilës na vë I Plotfuqishmi.

A kemi qenë ndonjëherë më shumë se sa sot të nëpërkëmbur, të kërrusur, të shkelur në dinjitet, me një Institucion tërësisht të depersonalizuar, më skandalozë, më qesharakë, më të dezorganizuar? Kurrë! Kurrë nuk jemi sprovuar me tendenca të hapura për t’u tallur me Krijuesin tonë, duke e këmbyer dashurinë e tij të “materializuar” në përkrahje gjithëpopullore, me një grusht “urimesh e përshëndetjesh” të një grusht individësh të pasinqertë me besimin të cilit, thonë se, i përkasin!

Unë do të kisha pasur shumë dëshirë që atmosfera tërësisht fetare e këtij Muaji të na përcjellë sa më gjatë, që të kemi mundësi që sa më gjatë e më shumë të lutemi, t’i drejtohemi Zotit Fuqiplotë që të na shpëtojë nga këto sprova të padinjitetshme për myslimanët e vendit. Pa dyshim që Zoti do t’i ndjejë lutjet tona, sepse myslimanët e vendit, nuk e meritojnë këtë gjendje të rëndë shpirtërore, nuk e meritojnë këtë “organizim” të diktuar nga ata që shquhen me imoralitet dhe me disponibilitetin e tyre tallës e fyes! “Urdhëruesi misterioz” i shkaktimit të këtij kaosi të turpshëm në Institucionin tonë – në BFI – duhet ta përjetojnë peshën e mallkimit tonë.

Myslimanët e Maqedonisë së Veriut, të gjithë këta që e kaluan edhe këtë Muaj të Agjërimit, e meritojnë një Institucion që do të reflektojë vullnetin e tyre dhe dëshirën e flaktë për shkapje nga duart jo të denja për ta prekur as bravën e derës së BFI-së
Motra e vëllezër myslimanë!

Urrejtja, përçarja, mosdurimi ndërvëllazëror, ndërfamiljar e ndërnjerëzor, është gjëja më e urryer te Allahu i Gjithëdijshëm! Unë lutem që Fitër Bajrami, të na gjejë të gjithëve në përqafim ndërvëllazëror, në përqafim ndërfamiljar, duke shprehur praktikisht dashuri dhe ndihmë ndaj nevojtarëve, ndaj të varfërve, jetimëve e të ngratëve. Do të ndjehemi më të plotësuar përgjatë kësaj Feste Islame, e cila duhet të gufojë nga dashuria jonë për njeriun, nga respekti ynë ndaj familjes, ndaj fqinjëve ndaj miqve. Të dashur, të respektuar e të mbarë, Zoti Fuqiplotë do të na japë edhe më shumë fuqi për t’u përballur me sfidat, me të papriturat, do të na ruaj nga rënia në gracka dhe do të na japë forcë që t’i bindim grackavënësit që të jemi sa më larg hipokrizisë, të jemi sa më miqësorë në mes vete. Sepse, kështu na urdhëron Allahu Fuqiplotë: “Mos u madhështoni para meje dhe ejani të përulur si besimtarë”! (En Neml, 31)     

Të dashur besimtarë!
Më lejoni që nga thellësia e zemrës t’ua përcjell urimet e mia më të mira për festën e Fitër Bajramit, duke e lutur Allahun Mëshirëplotë që t’ua ketë pranuar agjërimin dhe të gjitha ibadetet e kryera gjatë Muajit të Mëshirës!
Ju uroj –
Gëzuar për shumë mote Fitër Bajramin!
(Drejtues i Lëvizjes Myslimane për Reforma në BFI të RMV)

Shfaq komentet
comments powered by Disqus
Më të lexuarat
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat