Kushtetuta dogmatike mbi kishën “Lumen Gentium” – Drita e popujve

Religjion

Kushtetuta dogmatike mbi kishën “Lumen Gentium” – Drita e popujve

Nga: Don Lush Gjergji Më: 9 mars 2022 Në ora: 13:39
Don Lush Gjergji

Kjo Kushtetutë është përpunar gjatë dy viteve, kryesisht 1962-1963, dhe si temë bazë ka Kishën. Më 4 dhjetor 1962 kardinali belg Suenens-i, me pëlqimin e papës Gjoni XXIII, kishte propozuar punën rreth këtij dokumenti në dy drejtime: Ecclesia ad intra – Kisha në brendi ose në vetvete, dhe Ecclesia ad extra – Kisha në botë.

Gjëja e parë shumë e rëndësishme është definimi dhe përcaktimi i Kishës si mister – mysterion greqisht, i Jezu Krishtit për shëlbimin e mbarë njerëzimit, sipas planit dhe përcaktimit hyjnor. “Drita e Popujve – Krishti – do t’i shëndrisë nga fytyra e Kishës të gjithë njerëzit duke i shpallur Ungjillin çdo kreatyre, siç dëshiron ngrohtësisht Koncili i tubuar në Shpirtin Shenjt””(krh. Mt 16, 15), Dokumentet Konciliare, DRITA, 1992, LG 1, fq. 9/.

Çka dëshiron Koncili Dytë i Vatikanit? Që drita e Jezu Krishtit ta ndriçojë mbarë botën bashkëkohore, duke nënvizuar dy pika të fesë: shëlbimin e njeriut dhe të njerëzimit; karakterin misionar – shpallës të veprës së Jezu Krishtit, të shëlbimit, nëpërmjet Kishës.

Risia në vazhdimësi ishin harmonizuar mirë për t’iu ikur dy skajshmërive: tradicionalizmit dhe progresizmit. Kjo gjë duhet të vazhdojë nëpërmjet zhvillimeve teologjike dhe baritore. Para Koncilit të Dytë të Vatikanit Kisha paraqitej më shumë në aspektin apologjetik – mbrojtës ndaj protestantizmit dhe modernizmit, ose edhe në rolin sulmues kundër komunizmit, ateizmit dhe indiferentizmit.
 

Skema e re mbi Kishën kishte këto pjesë:

Misteri i Kishës – Populli i Zotit (LG 9-17);

Hirearkia e Kishës dhe posaçërisht mbi episkopatin (LG 18-29);

Populli i Zotit – laikët (LG 30-38);

Thirrja e përgjithshme në shenjtëri në Kishë (LG 39-42).

Nga kjo skemë bazë u përpunuan tetë kapitujt e Kushtetutës, ku si qendër bartëse është kjo: Misteri i Popullit të Zotit dhe Korpi i Krishtit në Shpirtin Shenjt (LG 9; 3, 4, 7).

Domethënia konkrete e kësaj, Kisha është mister, manifestimi historik i planit të Zotit për shëlbimin e njeriut, apo si thoshte bukur Shën Cipriani: “Populli i mbledhur nga bashkimi i Atit, Birit dhe Shpirtit Shenjt”.

Nga kjo që është thënë Kisha paraqitet si realitet kompleks apo i përberë, si bashkësi dhe sakrament, si Popullii i ri i Zotit, me kolegjin ipeshkvor në krye me Papën autoriteti më i lartë i Kishës katolike.

Kuptimi i misterit, sakramentit të Kishës (krh. LG 1-8), është shenjë e gjallë, e dukshme dhe reale që dëshomn, ofron, dhuron, mundëson shërbimin që Zoti ia jep njeriut. Kjo është vepra e Jezu Krishtit, nëpërmjet mishërimit të tij, si “shenjë” e pranisë së Zotit në mesin e njerëzve. Kështu së pari Jezu Krishti është “sakrament” i Atit në Shpirtin Shenjt, sepse natyra e tij njerëzore është “sakrament” – zbulim i pranisë dhe veprimit hyjnor.

Pas mundimit, vdekjes dhe ngjalljes së Jezu Krishtit, të ngriturit e tij në qiell, Ai më nuk është i pashëm, dukshëm në mesin e njerëzve. Prania dhe veprimi i tij vazhdon nëpërmjet Kishës me fuqinë e Shpirtit Shenjt.

Kisha si Populli i ri i Zotit i tubon të gjithë ata që besojnë dhe jetojnë me Jezu Krishtin e ngjallur, me këto veçori:

Kryet e Kishës është vetë Jezu Krishti;
Bijtë dhe bijat e Zotit janë të gjithë të pagëzuarit;
Ligji i jetës së re të hirit është dashuria ndaj Zotit dhe të afërmit;
Kisha ushtron detyrën e kripës, dritës, tharmit të shëlbimit në botë;
Kisha, si edhe Jezusi, ka dy dimensione, natyrore – njerëzoren, dhe
mbinatyroren apo hyjnore;
Kisha është një, si edhe vetë Zoti, dhe ka për qëllim shenjtërimin dhe
shëlbimin e të gjithëve;
“Detyra e Kishës është ta dhurojë Zotin njerëzve dhe njerëzit Zotit”
(kardinal J. Ratzinger).

Kristologjia parakonciliare kishte dy pjesë kryesore: apologjetika dhe dogmatika. Me ngjalljen e teologjisë biblike, si edhe rizbulimin dhe rivlerësimin e Etërve të Kishës, doli në dritë pasuria dhe bukuria e madhe teologjike mbi Kishën, sidomos ajo e Shën Palit, që e paraqet dhe kupton atë në prizmën e Korpit të Krishtit.
 

Kështu vjen në spikamë plani i amshuar i Atit, i cili zbulohet, dhurohet dhe konkretizohet në Birin, me fuqinë, pjesëmarrjen dhe ndikimin e Shpirtit Shenjt. Ati është Ai që në provaninë hyjnore ka premtuar dhe dërguar Birin, i cili shëlbon, dhe Shpirti Shenjt shenjtëron, vazhdon zbatimin e veprës së Jezu Krishtit – shëlbimin e njerëzimit.
 

Kështu në një mënyrë është krijuar kristologjia e re, e cila në qendër e ka Zotin, planin e shëlbimit, që zbatohet në Jezu Krishtin, vazhdohet në Kishë, gjithë me fuqinë, praninë dhe ndikimin e Shpirtit Shenjt.

Kjo kristologji i jep mundësi dhe hapësirë edhe njeriut, antropologjisë së krishterë, që njeriu është dhe duhet të jetë bashkëprotagonist dhe pjesëmarrës aktiv në veprën e shëlbimit.

Kristocentrizmi pa dyshim është edhe njeriu-centrizëm, sepse këto dy të vërteta Hyji dhe Njeriu në Jezu Krishtin janë tërësisht të harmonizuara dhe të përsosura, gjë kjo që mundëson krijimin e
botëkuptimit të personalizmit të krishterë.

Kjo kristologji është shtylla e ekleziologjisë së Koncilit të Dytë të Vatikanit, një ndër risitë dhe të arriturat e mëdha të kohës sonë.

Shërbimet në Kishë

Karizmat apo dhuratat e Shpirtit Shenjt janë të llojllojshme dhe në shërbim të bashkësisë – Kishës në botë.

Struktura ministeriale e Kishës katolike është:

Ministeri i rregulltë – nga shugurimi treshkallor: diakonia, meshtarët, ipeshkvinjët, që kanë karakter sakramental.

Ministeri i caktuar – lektorët dhe akolitët, që kanë shërbime në liturgji.

Ministeri i fakteve – të cilat i cakton vetë bashkësia, si katekistët, animatorët e liturgjisë dhe të këndimit kishtar, veprimtarët pastoral dhe të bamirësisë.

Meshtaria e përgjithshme e të gjithë të pagëzuarve dallohet nga meshtaria ministeriale, e cila pranohet dhe zbatohet nëpërmjet Urdhërit të Shenjt dhe që in persona Christi kremtojnë sakramentet, sidomos Eukaristinë.

Ipeshkvi – Episcopus “mbikëqyrësi i shpirtrave tanë” (krh. 1 Pt 2, 25; LG 18-20), ai që ka meshtarinë e plotë të Jezu Krishtit dhe si i tillë është apostulli i tij dhe kreu i Kishës vendore.

Meshtari – “presbyteros” – më i vjetri, si bashkëpunëtorët e ngushtë të ipeshkvit në shërbim të Kishës (LG 28).

Diakonat – shërbëtorët e veprave bamirëse në bashkësinë e krishterë (LG 29).

Laikët në Kishë

Një kapitull krejt i ri është ai mbi laikët në Kishë. Koncili Dytë i Vatikanit është i pari që pas dymijëvjetorit të Kishës katolike i ka dhënë rëndësi të posaçme laikëve apo shekullarëve. Shprehja “laik” vjen nga greqishtja laios dhe domethënë popull, ai që i përket popullit. Ky emërtim nuk përdoret aspak në Besëlidhjen e re, në tekste biblike, por vetëm në shekujt e parë të krishterimit, sidomos në mesjetë, për t’i dalluar besimtarët e thjeshtë dhe të rëndomtë nga ata
që i përkasin hirearkisë kishtare dhe janë të kushtuar.

Kuptimi i dytë i laikatit apo shekullarëve është botëkuptimi natyror dhe tokësor i njeriut, aty-këtu edhe në kundërshtim me Ungjillin e Krishtit dhe fenë e krishterë.

Kuptimi i tretë i laikatit është ky: jam laik, nuk njoh, nuk di, nuk merrem me këtë çështje apo tematikë, nuk është lëmia apo kompetenca ime.

“Të gjithë besimtarët përpos anëtarëve të Urdhërit Shenjt dhe shtresës së rregulltarëve të pranuar nga ana e Kishës, d. m. th. besimtarët të cilët pasi që me pagëzim janë bashkuar në një trup me Krishtin, janë bërë Populli i Zotit...” (LG 31).

Edhe ata, si dhe hirearkia kishtare, njerëzit e shuguruar dhe të kushtuar, kanë të njëjtin synim: shëlbimin e tyre dhe të botës.

Detyrat e laikëve në Kishë janë:

Pjesëmarrja në meshtarinë e Jezu Krishtit nëpërmjet flijimeve, lutjeve, jetës dhe dëshmisë së krishterë;

Misioni profetik – shpallja dhe dëshmia e Ungjillit, katekizimi nëpërmjet jetës dhe shërbimeve në bashkësinë e krishterë;

Shërbimi mbretëror – që të jenë në botë, por jo edhe si bota, por të përkujdesen për “Mbretërinë e qiellit” – shëlbimin dhe jetën e pasosur. Kushtetuta “Lumen Gentium” trajton edhe të krishterët katolikë dhe jokatolikë, si dhe ata që nuk janë të krishterë, por besojnë në një Zot, hebrenjët dhe myslimanët, duke hapur rrugë për dialogun ekumenik mes të krishterëve, dhe dialogun ndërfetar me të tjerët (Krhs. LG 14-15).

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat