Koncili i Dytë i Vatikanit (1962 – 1965)

Religjion

Koncili i Dytë i Vatikanit (1962 – 1965)

Nga: Dom Lush Gjergji Më: 7 shkurt 2023 Në ora: 16:51
Autori Dom Lush Gjergji

Kjo Deklaratë e KDV mbi dinjitetin njerëzor është shumë e rëndësishme dhe ka parime dhe përmbajtje gjithënjerëzore. 

Dokumenti ka këtë strukturë: 

Para thënie nr. 1. 

Aspektet e përgjithshme të lirisë fetare nr.  – 7. 

Liria fetare në dritën e zbulimit nr. 8 – 14. 

Përfundim nr. 15. 

Dokumenti Dignitatis Humanae për parim bazë ka këtë: çdo njeri si qenie njerëzore është i krijuar i lirë prej vetë Zotit, pra, ka të drejtë në liri, mbi të gjitha në lirinë fetare. Kështu janë shprehur etërit e Koncilit të Dytë të Vaikanit me 7 dhjetor 1965, duke votuar dhe aprovuar  këtë Deklaratë. 

Kjo e drejtë vjen prej vetë Zotit, por ajo duhet të sanksionohet edhe nga ligjet pozitive civile. Ky Dokument ishte përpunuar gjatë dhe në hollësi në 5 versione para se të aprovohej. 

E drejta e lirisë fetare si imunitet ishte propozuar nga Papa i atëhershëm Pali VI. Ai në audiencën gjeneralë më 28 qershor 1965 ndër të tjera kishte thënë: “Ju do të shihni në pjesë të madhe këtë doktrinë themelore të përmbledhur në dy propozime të famshme: në çështje fetare askush mos të jetë i penguar! Askush mos të jetë i detyruar!” (nemo cogatur, nemo impediatur). 

Dinjiteti i personit apo “qeniet njerëzore po bëhen gjithnjë e më të vetëdijshme në kohën tonë bashkëkohore dhe po rritet numri i atyre që kërkojnë të veprojnë me nismë të tyre, duke ushtruar lirinë e tyre të përgjithshme, të shtyrë prej ndërgjegjes së detyrës...” (DH 1) 

Liria fetare nuk është vetëm personale, por edhe për bashkësitë. “Liria fetare i përket çdo personi, u përket sigurisht atyre edhe kur veprojnë në formë bashkësinore... Po ashtu grupeve fetare u përket e drejta që të mos pengohen me ligje apo me akte administrative të pushtetit civil për të zgjedhur, edukuar, emëruar dhe transferuar mbarështuesit e vet..., si dhe të drejtën për të mësuar dhe për të dëshmuar publikisht fenë e tyre, me zë dhe me shkrim...”  (DH 4) 

Liria fetare i përket familjes (Khs. DH 5), dhe shteti, pushteti nuk ka të drejtë “me dhunë apo me frikë apo me ndonjë mjet tjetër dëshmimin e një feje çfarëdo apo mohimin e saj, pengimin për të bërë pjesë në një grup fetar apo largimin prej tij...” (DH 6) 

Mirëpo edhe liria, prandaj edhe liria fetare ka kufijtë e vet sipas rregulloreve apo ligjeve  morale dhe pozitive civile: si e mira e përbashkët, kërcënimi apo rrezikimi i rendit publik. “Qenieve njerëzore u njihet liria më e gjerë e mundshme, si dhe liria e tyre nuk duhet të kufizohet, përveç atyre rasteve kur dhe sa është e nevojshme.” (DH 7) 

S’ka liri pa edukim të mirëfilltë, “që të dinë t’i binden autoritetit  të ligjshëm dhe ta duan lirinë e vërtetë, domethënë qenie njerëzore që të jenë të aftë për të bërë gjykime personale në dritën e së vërtetës..., për të ndjekur gjithçka është e vërtetë dhe e mirë, bujarisht të gatshëm për të bashkëpunuar për këtë qëllim me të tjerët.” (DH 8) 

Zoti është burimi dhe zbulimi i lirisë fetare, “në dinjitetin e personit... Madje, një doktrinë e tillë mbi lirinë i ka rrënjët e veta në Zbulimin hyjnor... Dhe mbi të gjitha, liria fetare në shoqëri është në përkim të plotë me lirinë tipike të aktit të fesë së krishterë.” (DH 9) 

Modeli i përsosur i lirisë fetare është Jezusi dhe apostujt, që thotë se erdhi “të shërbejë e të japë jetën e vet si shpërblim për të gjithë” (Mt 10, 45), duke ndarë pushtetin civil prej atij fetar: Jepni Cesarit çka i përket Cesarit e Hyjit çka i përket Hyjit” (Mt 22, 21)..., por edhe më parim të qartë të përparësisë së Zotit, “pasi nuk ka pushtet që nuk vjen prej Hyjit... dhe “duhet që më tepër të dëgjohet Hyji se sa njerëzit.” (Vap 5, 29) (DH 11) 

Numri 13 i kushtohet lirisë së Kishës me këto fjalë: “Pra, ka harmoni mes lirisë së Kishës dhe lirisë fetare, që duhet të njihet si një e drejtë për të gjitha qeniet njerëzore dhe për të gjitha bashkësitë dhe që duhet të sanksionohet në rendin juridik të shoqërisë civile.” (DH 13) 

Papa Gjon Pali II ndër të tjera thotë: “Koncili i Dytë i Vatikanit paraqet një liri të jashtëzakonshme për Kishën dhe një fazë vendimtare të historisë  së saj të re. Dinjiteti Njerëzor është pa dyshim një ndër dokumentet  më revolucionare... duke hapur rrugët për dialogun e frytshëm të Kishës dhe të botës...” (Vatikan, 30 vjetori i Dokumentit DH, 1995) 

Papa Benedikti XVI thotë: “KDV pranon apo njeh të drejtën themelore të lirisë fetare... Martirët e Kishës së parë dhe të çdo kohe, kanë vdekur për fenë e tyre, për Zotin që ishte zbuluar në Jezu Krishtin dhe kështu kanë realizuar edhe për lirinë e ndërgjegjes dhe për lirinë e shprehjes apo dëshmisë së fesë së tyre...” (Vatikan, 22 dhjetor 2005) 

Pa Françesku thotë: “Arsyeja pranon në lirinë fetare të drejtën themelore të njeriut që reflekton për dinjitetin e lartë...Ajo është një sfidë në botën e globalizuar... Liria fetare është një e mirë dhe begati për mbarë njerëzimin.” 

DH ia mundëson njeriut takimin me të Vërtetën dhe Dashurinë, me ndërgjegje, Njeriu – arsyeja, ndërgjegjja, liria fetare, kërkimi i të vërtetës, janë disa  pika themelore të këtij Dokumenti. 

Prishtinë, 7 shkurt 2023                Radio Maria – Kosovë              Don Lush GJERGJI 

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat