Vajzat dhe gratë janë mjaft të njohura me termin e infertilitetit, por ky nocion përfshin gjithashtu dhe djemtë e burrat.
Pikërisht për infertilitetin tek meshkuj u diskutua sot, 13 shkurt, në emisionin “Shije Shtëpie”, në Tv Klan, ku ishte i ftuar andrologu Marsid Sinani.
Mjeku sqaroi fillimisht se çfarë është infertiliteti mashkullor si koncept, teksa theksoi se ka ardhur në rritje tek djemtë e rinj me kalimin e dekadave.
“Si koncept, infertiliteti mashkullor është pamundësia e një mashkulli për të konceptuar një shtatzëni me një femër fertile pas 12 muajsh kontakt seksual të rregullt dhe pa mbrojtje. A po vërehet kjo tek meshkujt e rinj? Po, po vërehet. Gjithmonë e pas shumë dekadash, duke ardhur deri ë ditët e sotme, është parë që është ulur pragu i moshës ku meshkujt po vuajnë nga infertiliteti”, tha ai.
Rasti në moshë të vogël sa i përket infertilitetit, është i një 20-vjeçari siç shpjegon mjeku. I riu vuan nga infertiliteti për shkak të varikoçelës.
“Është 20 vjeç, si pasojë e një varikoçele. Varikoçela është zgjerimi i venave që kthen gjakun nga testi drejt organizmit. Kur këto zgjerohen, atëhere gjaku rri për kohë më të gjatë në testikul, rrit temperaturën e testikulit dhe dëmton procesin e spermatogjenezës”, sqaroi ai.
Por, cilat janë arsyet që sjellin infertilitetin në rritje? Faktorët janë të shumta siç sqaron andrologu, duke nisur nga stili i jetesës, për të përfunduar tek sëmundjet seksualisht të transmetueshme apo dhe traumat testikulare.
“Arsyet përse vëmë re rritje të infertilitetit janë faktorë dhe shkaqet nga më të ndryshmet, sepse është multifaktorial. Nuk është se është një sëmundje apo një patologji që ka një faktor kryesor, siç janë sëmundjet infektive, që është për shembull një filan mikrob që shkakton këtë sëmundjen. Në infertilitet ndikojnë shumë faktorë të ndryshëm.
Përmendim stilin e jetesës. Përmendim një dietë të varfër, imbalancën hormonale, mungesën e aktivitetit fizik, obezitetin, sëmundje të tjera shoqëruese që mund të ketë një mashkull, prezenca e varikoçelës që e përmendëm dhe më parë, apo sëmundje seksualisht të transmetueshme të shpeshta por dhe të kaluara më parë, traumat testikulare. Janë shumë faktorë që çojnë në infertilitet mashkullor”, tha ai.