Ekspertët: Facebook dhe mediat sociale duhet rishikuar - Bota Sot
Ekspertët: Facebook dhe mediat sociale duhet rishikuar

Shkencë & Teknologji

Ekspertët: Facebook dhe mediat sociale duhet rishikuar

Më: 13 prill 2018 Në ora: 19:20
Facebook

 Facebook dhe kompanitë e mëdha të mediave sociale duhet të rishikohen për të parandaluar përdorimin e paligjshëm të informacioneve private, rrjedhjen e të dhënave personale dhe për të ruajtur privatësinë individuale, theksuan ekspertët.

Çështja e privatësisë individuale në mediat sociale u bë temë e nxehtë në javët e fundit pas raportimeve se Cambridge Analytica me bazë në Britani ka përdorur të dhënat private të 87 milionë përdoruesve të Facebook pa autorizim në vend dhe në SHBA.

"Është mirë të kemi disa rregullore. Siç e kemi parë, këto kompani kanë fuqi të madhe", tha Bill Howe, profesor në Shkollën e Informacionit në Universitetin e Washingtonit.

"Njerëzit duhet të kuptojnë, çdo gjë që bëni në internet është e gjurmuar, ka profile digjitale që bëhen nga veprimet e njerëzve dhe ato u janë shitur kompanive dhe kështu me radhë", shtoi ai.

Edhe pse shumica e përdoruesve të mediave sociale në mbarë botën u tronditën nga raportet, Howe thotë se kjo dukuri nuk është përhapur vetëm në industrinë e teknologjisë, por ka ndodhur për një kohë shumë të gjatë.

"Kjo nuk lidhjet vetëm me Facebook ose Cambridge Analytica. Ky është një incident që hapi debatin rreth këtij tensioni themelor midis modelit të biznesit të shumë prej këtyre kompanive dhe nevojës së njerëzve për një intimitet të menaxhueshëm", tha ai, duke tërhequr vëmendjen e aspektit "joetik" të skandalit të rrjedhjes së të dhënave në Facebook.

"Ajo që është joetike në lidhje me këtë është fakti se aplikacioni që u zhvillua për t'i kërkuar njerëzve leje për të përdorur të dhënat u ofrua nën pretekstin e mbështetjes së kërkimit akademik. Por, gjithashtu këto vazhduan t'u shiten kompanive", shpjegon ai.

Aleksandr Kogan, një studiues në Universitetin e Kembrixhit, krijoi një aplikacion kuizi në vitin 2013 në Facebook, i cili u instalua nga rreth 300 mijë njerëz që shpërndanë të dhënat e tyre dhe të dhënat e disa shokëve të tyre.

Në vitin 2015, Kogan shpërndau të dhënat nga aplikacioni i Cambridge Analytica. Facebook njoftoi muajin e kaluar se kjo ishte kundër politikave të saj për zhvilluesit për të shpërndarë të dhënat pa miratimin e përdoruesve.

Facebook tha se menjëherë ndaloi aplikacionin e Kogan nga platforma e tyre dhe kërkoi që Kogan dhe Cambridge Analytica të vërtetonin zyrtarisht se i kishin fshirë të gjitha të dhënat e marra në mënyrë të palejuar.

Megjithëse Cambridge Analytica thotë se ka informuar Facebook-un, të dhënat u përdorën për Brexit dhe zgjedhjet presidenciale të vitit 2016 në SHBA.

- Thirrje për transparencë dhe përgjegjësi

"Askush që kupton mediat sociale nga një këndvështrim praktik nuk është i befasuar nga ajo që Cambridge Analytica mund të bëjë", tha Lisa Low, asistente e Marrëdhënieve Publike në Universitetin Teknik të Teksasit.

"Shtresa mesatare e amerikanëve është shumë naive në aspektin se çfarë presin nga platformat e mediave sociale si Facebook...Një amerikan i shtresës së mesme, përdoruesi i Facebook-ut, nuk i shkon mendja se dikush kontrollon jetët e tyre të përditshme", shtoi ajo.

Low tha se incidenti i kohëve të fundit është "një thirrje për më shumë transparencë" dhe kërkoi që përdoruesit e internetit të jenë më të kujdesshëm në lidhje me atë që ata shpërndajnë, se si sillen në mediat sociale dhe mbi të gjitha të veprojnë me përgjegjësi më të madhe.

"Ne mendojmë se kjo hapësirë ??virtuale në të cilën jetojmë është private, ndërsa sigurisht që nuk është ... Çdoherë që futeni në këto aplikacione, ju çdo herë shpërndani një pjesë të vogël të vetes suaj dhe e hapni atë derë, ndoshta në fillim vetëm pak, kurse ngadalë ajo hapet e gjitha", shpjegon Low.

"Kjo nuk është diçka për të cilën vetëm Facebook është fajtor. Sigurisht, Snapchat, Instagram dhe Twitter, të gjitha, në njëfarë mase, po gërmojnë të dhënat tona çdo sekondë çdo ditë...Mendojmë se është falas. Nuk ka asgjë falas. Ne duhet të jemi më të informuar si përdorues", tha ajo.

- "Është e pamundur të rregullojmë diçka që nuk kuptojmë"

Low theksoi se është një sfidë e madhe për të rregulluar Facebook-un, por shtoi se të presim që Facebook të rregullohet vetë është diçka "naive".

Rregullimi u bë temë e nxehtë gjatë dëshmisë së Zuckerberg para komisionit të Senatit të SHBA-së të martën dhe Dhomës së Përfaqësuesve të mërkurën.

Shumica e spektatorëve e kuptuan faktin se kishte një boshllëk të gjerë të perceptimit midis ligjvënësve dhe bashkëthemeluesit të Facebook Zuckerberg për mënyrën se si funksionon Facebook dhe çfarë mund të bëjnë kompanitë e mediave sociale.

"Isha shumë i impresionuar nga prania e tij. Ai ishte shumë i respektueshëm dhe i matur", tha Roy Cohen, një këshilltar karriere në New York dhe autor i librit "The Wall Street Professional's Survival Guide".

"Duhet të merrni parasysh se individët të cilëve po i drejtohej në përgjithësi janë dy gjenerata para tij. Ata janë të moshuar. Teknologjia themelore nuk është diçka që ata do të kuptonin domosdoshmërisht. Kështu, ai i shikonte ata drejt në sy, ishte shum konkret në përgjigjet e tij. Ai ishte shumë profesional dhe shumë i matur", thotë Cohen.

Low tha se detajet teknike të mediave sociale mund të jenë shumë të komplikuara, ndërsa ligjvënësit kanë nevojë për dikë që kupton kompleksitetin e saj nëse duan të rregullojnë diçka.

"Është e pamundur të rregulloni diçka që nuk e kuptoni. Është e qartë për ata që janë në sektorin e teknologjisë se (Zuckerberg) po u përgjigjej pyetjeve, por ata nuk dinin çfarë pyetje të prashtronin", thotë ajo.

Ajo këshilloi zyrtarët se ndoshta duhet të kërkojnë nga sektori i arsimit ose teknologjisë ekspertë që të formojnë një komision nëse janë përcaktuar për të zbatuar rregulloret.

Cohen tha se mungesa e kohës ishte një çështje në dëshminë e Zuckerberg, pasi çdo ligjvënës kishte katër deri në pesë minuta për të bërë pyetjet e tyre dhe për të dëgjuar përgjigjet e tij.

"Si një person i teknologjisë, ai duhej të kishte shumë më tepër kohë për të zbuluar misteret e Facebook-ut dhe kjo do të ishte e vështirë që ky grup të kuptonte", tha Cohen.

"Senatorët duhej të parashtronin pyetje që do të kërkonin një përgjigje të thellë, kështu që ai ishte në gjendje të shmangte, me shumë zhdëvjelltësi, vëmendjen rreth çështjes më kritike në lidhje me teknologjinë, dhe ai t'i ofronte ekipit të tij një shpjegim pas dëgjimit. Kjo ishte një teknikë shumë e shkathët", vlerëson Cohen.

- GDPR e Europës mund të ndihmojë rishikimin në SHBA

Howe shpjegon se gjatë dëshmisë, Zuckerberg, i cili u pyet se çfarë lloj rregullash janë të zbatueshme për kompanitë e mediave sociale, u vendos në një pozicion sikur të jetë një përfaqësues i të gjitha kompanive të mediave sociale.

"Ai po merrte fajin për atë që të gjithë e kanë bërë gjatë gjithë kohës", tha Howe, duke marrë parasysh faktin se Zuckerberg gjatë dëshmisë së tij tha se një rregullim në industrinë e mediave sociale është "i pashmangshëm".

"Një shembull ku mund të bazohemi është Rregullorja e Përgjithshme e Ruajtjes së të Dhënave në Evropë (GDPR). Kjo është një rregullim shumë i gjerë dhe gjithëpërfshirës rreth asaj se çfarë lloj kontrolli individët duhet të kenë mbi të dhënat e tyre dhe se si mund dhe nuk mund të përdoren", tha Howe.

"Unë mendoj se rregulloret do të vijnë dhe se GDPR do të ketë një ndikim të madh në atë që shohim. Qendra kyçe e këtyre rregulloreve do të jenë gjëra të tilla si 'askush nuk lejohet të përdorë të dhënat e mia për asgjë', shtoi ai.

GDPR është përfaqësues ligjor i Bashkimit Evropian (BE) për të ruajtur privatësinë e individëve dhe për të mbrojtur të dhënat e tyre nga përdorimi i paligjshëm.

Pas zbatimit të tij më 25 maj, qytetarët e BE-së do të jenë në gjendje të kenë kontrollin e të dhënave të tyre personale.

Megjithatë, Howe paralajmëroi se meqenëse GDPR është gjithëpërfshirëse, ajo mund të dëmtojë kompanitë fillestare dhe të vogla teknologjike në SHBA, një nga çështjet që Zuckerberg shtroi gjatë seancës para kongresit.

"Rregulloret e mëdha ndikojnë në mënyrë joproporcionale ndaj kompanive më të vogla, sesa te kompanitë më të mëdha. Është shumë e shtrenjtë për të qenë në përputhje me këto ligje, si GDPR që është e gjithanshme dhe gjithëpërfshirëse", tha Howe.

Ai theksoi se kompanitë e mëdha të mediave sociale, si Facebook, kanë një rrezik më të lartë, sepse ato mund të shkaktojnë dëme më të mëdha.

"Për një kompani të vogël, ekziston një kufi se sa dëm mund të bëjë. Gjatë fazave të hershme, rreziku është i ulët dhe nevoja për inovacion është e lartë", tha Howe.

"Shpresoj se rregulloret në SHBA do të pranojnë faktin se kompanitë më të vogla janë më pak të pajisura për të qenë plotësisht në përputhje me këto ligje të forta", përfundoi ai.

Shfaq komentet
comments powered by Disqus
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat
Sondazh Pas votimit të projektligjeve për shndërrimin e FSK-së në ushtri, a mund të ketë inskenime nga Serbia për një luftë të re në Ballkan?
test