Liqeni i Shkodrës dhe nevoja e mbrojtjes dhe promovimit të vlerave të tij

Shkodra

Liqeni i Shkodrës dhe nevoja e mbrojtjes dhe promovimit të vlerave të tij

Më: 18 qershor 2022 Në ora: 20:38
Foto ilustrim

Liqeni i Shkodrës ndodhet vetëm 7 kilometër larg nga qyteti i Shkodrës dhe është një nga qendrat turistike më të rëndësishme të rajonit. Ndaj, “Festa e Liqenit” mblodhi vizitorë dhe grupe të shumta nga Shqipëria, Kosova dhe Mali i Zi, në përpjekje për të promovuar vlerat e biodiversitetit të Liqenit, por edhe nevojën për një mbrojtje më të mirë të tij nga ndërtimet pa kriter në afërsi të bregut të liqenit, peshkimi i paligjshëm si dhe ndotja nga mbeturinat.

Këto fenomene sipas biologes Aurora Zylaj vazhdojnë prej vitesh të jenë të pranishme në këtë zonë.

Jemi të vetëdijshëm që Liqeni i Shkodrës ka problematika dhe ka vend për të përmirësuar, por këto dy ditë, pavarësisht se janë festë, presim të jenë edhe një thirrje për ndërgjegjësim për publikun dhe institucioneve për mbrojtjen e Liqenit të Shkodrës, për gjithçka që lidhet me mirëmenaxhimin, administrimin, me mbrojtjen dhe promovimin e Liqenit të Shkodrës”, thotë ajo.

Liqeni i Shkodrës, me një sipërfaqe prej 368 kilometrash katrorë, ndahet mes Shqipërisë dhe Malit të Zi. Në pjesën shqiptare gjenden pikat e njohura turistike, Shiroka dhe Zogaj.

Studiuesi Helidon Sokoli thotë se, me rikonstruksionin që ju bë dy vite më parë pikës turistike të Shirokës, kërkohet që edhe turizmit në Liqenin e Shkodrës t’i kushtohet më shumë vemendje.

E gjithë kjo pasuri e madhe ja vlen që të shfrytëzohet tashmë në një aspekt tjetër, pasi jetojmë në kohën kur turizmi natyror, turizmi i peisazhit, ekoturizmi, duhet të marrin një shtysë të madhe. Dhe Shkodra e ka fatin që ta shfrytëzojë këtë pasuri të madhe ujore”, thotë studiuesi Helidon Sokoli.

Festa e Liqenit të Shkodrës solli veprimtari të shumta në sport, artizanat, por edhe në kulinari.

Mes grupeve, që morën pjesë në Festën e Liqenit të Shkodrës, ishte edhe ai i Federatës së Kanotazhit të Kosovës, përfaqësuar nga sekretari i saj Kreshnik Limani.

“Federata e kanotazhit e Kosovës ka ardhë sot me marrë pjesë në Festën e Liqenit të Shkodrës. Qëllimi kryesor është promovimi i kësaj pjese të bukur të Shqipërisë, kryesisht Liqenit të bukur të Shkodrës, por edhe promovimi i sportit të kanotazhit”, thotë zoti Kreshnik Limani.

Vitet e fundit, thotë Arjanit Mula nga Kosova, janë vendosur disa bashkëpunime me shoqatat e Shqipërisë, që veprojnë në fushën e mbrojtjes dhe promovimit të vlerave të Liqenit të Shkodrës, por ky bashkëpunim, shton ai, duhet të shtyhet më tej.

“Kosova nuk është e para herë që merr pjesë në këto lloj aktivitetesh. Kemi qenë me datën 23 prill në aktivitetin e pastrimit në Shirokë, ku kemi qenë si pjesë e vullnetarëve “Për Atdhe të Pastër”. Mendoj se neve e kemi një lloj bashkëpunimi, i kemi ba disa aktivitete bashkë ,dhe mendoj që këto bashkëpunime duhet edhe të mishërohen ma shumë”, thotë ai.

Ndonëse Liqeni i Shkodrës ndahet mes Shqipërisë dhe Malit të Zi, sipas studiuesit Helidon Sokoli, vlerat e tyre janë të përbashkëta.

Ndaj, kërkohet një bashkëpunim më i mirë se deri tani mes ekspertëve dhe zyrtarëve të dy vendeve në promovimin, mbrojtjen dhe shfrytëzimin e pasurive natyrore të këtij liqeni.

Të gjithë bashkë duhet të punojmë që të ketë politika të përbashkëta, jo vetëm nga pala shqiptare, por edhe ajo e Malit të Zi. Sepse, prej më shumë se 100 vitesh, liqeni ndahet me një shtet tjetër. Dhe, të dyja këto shtete duhet të koordinojnë punën në mënyrë që kjo pasuri e madhe të ruhet”, thotë studiuesi Helidon Sokoli.

Liqeni i Shkodrës është një pasuri e përbashkët mes Shqipërisë dhe Malit të Zi, por vlerësimi në të dy anët e kufirit nuk është i njëjtë. Ndërsa Mali i Zi e ka shpallur pjesën e tij të liqenit si Park Kombëtar, Shqipëria vazhdon t’a vlerësoj si zonë e mbrojtur.

Prej vitesh, qeveritë e të dy vendeve fqinje kanë premtuar hapjen e një linje ujore mes Shkodrës dhe Virpazarit si dhe një pike të re të kalimit kufitar në fshatin Zogaj, por deri tani asnjëra prej tyre nuk është realizuar./VOA

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat